"Bolero në vilën e pleqve" Roman me Autor Fatos Kongoli. Shtëpia botuese Toena, 2008. faqe 288. Dy pleq, në një vilë, dhe një infermiere që kujdeset për ta. Në aktin e fundit të jetës, pleqtë i shkruajnë letra njëri-tjetrit, të cilat i zhdukin pa lënë gjurmë, ndërsa infermierja përpiqet më kot t'i shtjerë në dorë. Botën e mbyllur të vilës e trazojnë kohë më kohë doktori i familjes, njeri qejfli, hokatar dhe i paparashikueshëm; djali i pleqve, bos i një firme të fuqishme ndërtimi, me gruan e tij të re e të bukur; vajza e madhe e pleqve, gjyqtare e rreptë; një femër enigmatike, po aq e bukur, veshur gjithmonë me të zeza, etj.


Duke na sjellë me këtë libër prozën e tij më të përkryer, Kongoli, përmes rrëfimit të infermieres, zbulon misteret e saj, dramat e personazheve, me ndërlikimet, dëshirat e fshehura, në një mjedis shpesh të egër, të pamëshirshëm, ku femra është më e pambrojtura. Një qasje ndaj ekzistencës njerëzore, që nuk e kemi hasur më parë në letrat shqipe. Bolero në vilën e pleqve" është romani i krizës ekzistenciale. Në thelbin e tij ndërtohet mbi një kurth të padukshëm. Prania dhe kërcënimi i vdekjes për pleqtë e vilës, në fakt, është kontrapunkti për vdekjen e gjallë të shërbestares së tyre, të karakterit qendror të veprës. Gjithkush që hyn e del në vilë me shqetësimin për fatin e pleqve që jetojnë në një komoditet dhe luks të plotë, as që e vë re se ç'ndodh me vajzën, sikur ajo të jetë një njeri pa të shkuar dhe që zor ndokush mund t'ia parathotë të ardhmen. Ajo është një qenie kalimtare në udhën e tyre që duhet vetëm të vërë në lëvizje mekanizmin që i mban gjallë të vjetrit, të kujdeset për axhendën, oraret e ilaçeve, të të ngrënit, pse jo, të mbajë barometrin e humorit të tyre. Secili prej tyre ka vetëm një qëllim: të bëhet sa më i dukshëm në këtë krizë që ua kërcënon identitetin. Drama ka "luftë të brendshme", elektricitet, gjendje e situata shpeshherë absurde, ka gjetje dhe zgjidhje shpesh befasuese. Letërkëmbimi i të moshuarve, këmbëngulja për të plotësuar zbrazëtitë dhe pengjet që koha ua mori, tensioni shpeshherë i shpikur në kërkim të më shumë vëmendje, janë mjetet me të cilat autori operon për të arritur tek idetë e tij. Edhe vetëperceptimi i personazhit kryesor qysh në krye të librit si "qenie me nivelin zero të zhvillim mendor", e parathotë tërmetin e ardhshëm të jetës së saj, një nga gjërat më të trishtuara që do të doje të lexoje për fatin e një gruaje, që mbyllet, siç edhe ka nisur, me vetminë e saj para pasqyrës dhe refuzimit të vetvetes.