Borizani

Fshat në Shqipëri, në Qarkun e Durrësit
(Përcjellë nga Borizan)

Burizana është një fshat i cili bën pjesë në Rrethin e Krujës dhe në prefekturën e qarkut Durrës. Fshati Burizanë i cili ndodhet rreth 30km larg Tiranës, ka rreth 5500 banorë dhe një një sipërfaqe prej rreth 13 000 km². Fshati ka një shkollë, e cila është 12 vjeçare, ka kishë, xhami, qendër shëndetësore dhe dikur ka pasur edhe pallat kulture i cili nuk është më funksional.

Burizanë


Historia

Redakto

Burizana si fshat mendohet se i ka fillesat e saj që në kohën e Skenderbeut, në faqen perëndimore të kodrave të Fezës gjenden edhe sot rrënojat e një shtëpi me dy dhoma e një korridor në mes.

Emri i fshatit vjen në dy variante nga gojëdhënat.                                                                                          

  1. Së pari, vjen emri Burizanë i cili vjen pasi rrëzë kodrave ku shtrihet fshati ka shumë burime ujore, mbi 35 të tillë. E për këtë arsye, si një zonë burimesh, thuhet të ketë marrë edhe emrin Burizanë.                                                                                                                                        
  2. Së dyti vjen emri Borizanë, në epokën e Skënderbeut mendohet që kjo zonë kryesisht të ketë qenë një zonë ku vendoseshin bazat ushtarake të Perandorisë Osmane, personi i cili i bie borisë për të njoftuar ardhjen e pushtuesve quhej Borizan dhe pikërisht nga kjo rrjedh gojëdhëna e emrit Borizanë.                          

Prandaj emrin e fshatit e gjejmë në dy variante, edhe pse më shumë mbështetet varianti i parë, pra përdorimi i emrit Burizanë gjejmë një përdorim të gjerë duke krijuar në njëfarë mënyre përplasje të këtyre emërtimeve, pasi në tabelat rrugore fshati emërtohet si Borizanë e në disa institucione,siç është shkolla, por edhe në dokumentet zyrtare të lëshuara nga Bashkia Krujë emërtohet si Burizanë.                                                                                                              

Gjatë periudhës së parapavarsisë në fshat pati disa lëvizje. Në krye të njërës nga këto lëvizje qëndronte Haxhi Qira me bashkëfshatarët e tij Alush Qirën dhe Sefer Salën. Haxhi Qira dërgoi në gjykatën e Stambollit, si pretekst hapjen e mbylljen e një kanali, por me prapavijë parimore që lidheshin me probleme të fshatit, kundër Esad Pashë Toptanit. Këtë gjyq e fitoi me të drejtë Haxhi Qira.  

Lufta Nacionalçlirimtare rreshtoi në formacionet luftarake edhe Burizanëlinj, si gjatë luftës kundër fashizmit Italian ashtu edhe nazizmit Gjerman, ku u zunë rob vëllezërit Haxhi e Ramazan Xhixha në përleshje me forcat e ushtrisë fashiste. Ramazan Xhixha u ekzekutua me varje në qytetin e Krujës ndërsa Haxhi Xhixha u internua në Itali ku dhe më pas u ekzekutua. Gjatë luftërave pati edhe humbje civilësh si dhe shkatërrime te shtëpive.

Gjeografia

Redakto

Burizana shtrihet në veri-perëndim të qytetit të Krujës dhe ndahet përmes nga aksi i vjetër rrugor Fushë-Krujë – Milot. Pika më skajore është Boka e Kuqe e cila kufizohet me fshatin Shpërdhet e Thumanë në veri. Në jug kufizohet me fshatin Luz i Sipërm. Në lindje kufizohet me fshatin Picrragë deri tek Uji i Kuq. Në perëndim me °fshatrat Derven e Gramëz.

Shtrirja gjeografike në vijë ajrore L-P 3.8 km gjatësi dhe 3.4 km V-J. I gjithë kufiri është tokësor. Brenda këtyre kufinjve sipërfaqja e Burizanës është 12.920 km². Në perëndim relievi është fushor,në lindje është kodrinor. Përsa i përket ndarjes në lagje përgjithësisht emërtimet e lagjeve janë sipas fiseve të cilët banojnë aty. Përjashtim bën lagjia Micjonë, e cila deri në vitet 50 ka qenë fshat më vete, ndërsa banorët janë pëgjithësisht të ardhur nga Malësia e Krujës.

Përsa i përket ndërtimit gjeologjik terroitori është me prejardhje tektonike, kryesisht përbëhet nga gurë gëlqerorë.

Tokat janë të larmishme dhe ndryshojnë nga njëra zonë në tjetrën. Fushat në Perëndim (e njohur nga banorët e zonës si Pylli i Butë) ka tokë të hirtë, zona më në lindje (pjesa poshtë xhades) ka tokë të hirtë kafe. Zona e kodrave të Fezës ka tokë kafe dhe në periferi të Kënetës së Madhe ka toka të murrme.


Burizana ka një klimë mesdhetare, me dimër të butë e verë të ngrohtë. Temperaturat mesatare vjetore arrijnë 17-18 °C. Muaji më i ngrohtë është korriku ku temperatura mesatare është 30-31 °C. Sasia e reshjeve luhatet nga 3500-4200 mm. Në klimën që ka fshati ndikon pozita gjeografike, qarkullimi i masave ajërore, relievi si dhe prania e detit Adriatik.

Hidrografia

Burizana ka mjaft burime ujore,rreth 35 të tillë. Ndër to veçojmë gurrat, kroje, të cilat kryesisht janë në dalje rrëzë kodrave, ku 19 prej tyre përdoren për ujë të pijshëm. Disa nga këto jane: Kroi i Lamshimeve, Gurra e Xhixhë-Danëve, Gurra e Cenit, Gurra e Burizanës (quajtur nga banorët si kroi i burizanëve), ajo e Farruqëve, Lekëve etj.

Gjithashtu vendi ka përronj të shumtë, të cilët janë: Përroi i Kukës, Maçana, Përroi i Cenit dhe Përroi i Lekëve të cilat mbledhin ujrat e mbi kodrave në lindje dhe kanë drejtim L-P.

Fshati gjithashtu ka edhe dy liqene,që të dy artificial.

Liqeni i Lekëve me sipërfaqe 1.2 km² dhe thellësi mbi 9m.

Liqeni i Micjonës me sipërfaqe 1.1 km² dhe thellësi mbi 40m.

Këneta e madhe, e cila sidomos në dimër mbulon me ujë me dhjetëra hektar tokë, si dhe kanali ujëmbledhës, që fillon nga kodrat në Saraçe duke qarkuar fushat deri në lumin Ishëm.

Demografia

Redakto

Burizana ka rreth 5500 banorë dhe 923 familje. Përqindjen më të madhe të popullsisë e përbëjnë grupmosha mbi 25 vjeç dhe përsa i përket gjinisë me një përqindje të vogël dominojnë femrat. Popullsia e fshatit për nga prejardhja është heterogjene, që dmth fiset që jetojnë aty janë të gjithë të ardhur, disa prej tyre shumë herët disa më vonë.

Fisi (Mbiemri) Prejardhja
Shima KRUJA
Farruku Nga lagjja Abaze në Krujë
Laçi Kruja
Qira Kruja
Qërrushi Ishmi
Qemalli Mali i Zi
Leka
Balla Kruja
Mera Burreli
Dani Malsia e Krujës (fshati Picrragë)
Xaka Malsia e Krujës (fshati Najë)
Tanuzi Burrel
Kola Rrësheni
Pali Rrësheni
Xhafa Kruja
Saja Kruje
Paturri
Kadiu Burreli
Hima
Hysa Fshatrat e Tiranës
Lama Kruja
Hidri Malsia e Krujës
Dema Malsia e Krujës
Cakoni Burreli
Sefa
Vogli
Vinjolli
Rroci Malsia e Krujës
Sala
Tema
Rinxhi Me prejardhje Egjiptiane


Përgjithësisht shumica e fiseve kanë ardhur shumë herët dhe normalisht cilësohen si popullsi vendase. Për nga besimi fetar dominon myslimanizmi, vetëm dy fise jo të mëdha janë të besimit katolik. Për sa i përket rracës, është një fis i vogël me prejardhje egjiptiane. Megjithatë në fshat nuk ka pasur asnjëherë probleme për arsye të rracës apo fesë, përkundrazi marrëdhëniet janë shumë të mira dhe nuk bëhen dallime.

Ekonomia

Redakto

Ekonomia e fshatit në tërësi mund të konsiderohet si një ekonomi mesatare. Ekonomia përfshin tri sektorët e ekonomisë.

Në bujqësi prodhimet kryesore janë: drithërat e bukës, foragjere, perime e frutikultura. Fshati ka1500 ha tokë bujqësore.

Vitet e fundit popullsia është orientuar gjithnjë e më shumë drejt punësimit në sektorin industrial. Ndërtimi i fabrikës së çimentos në zonën e Bokës së Kuqe, e cila është edhe fabrika më e madhe në Ballak, ka sjellë punësimin e shumë banorëve të zonës. Gjithashtu ka edhe disa gurore, të cilat sëbashku me fabrikën  nuk sjellin vetëm mundësinë e punësimit por sjellin edhe një shkallë të madhe të ndotjes së ajrit.

Sektori i shërbimeve gjithashtu është një burim të ardhurash i cili është relativisht i zhvilluar.

Gjithashtu një pjesë e mirë e të ardhurave vijnë nga remitancat, dërgesat e emigantëve drejt familjarëve të tyre.

 

Arsimi

Redakto

Me 16 Shtator 1913 u hap shkolla shqipe në Burizanë me 15 nxënës dhe me mësues Xhemal Emiri. Mësimi zhvillohej në ambientet e xhamisë. Gjatë luftës së parë botërore shkolla u mbyll për tu bërë spital. Gjatë kësaj periudhe si ambjente për zhvillimin e mësimit shërbenin disa dhoma,madje gjate viteve 1951-1952 për mungesë klasash, dy banorë të fshatit, Hasan Hysa dhe Asllan Tanuzi, ofruan dhoma nga shtëpitë e tyre për të shërbyer si klasa.

Gjatë viteve 1952-1953 u përurua ndërtesa e re e shkollës së Burizanës.

Duke qenë se në viti 1946 Shqipëria kishte 80% të popullsisë analfabetë, në Burizanë u ngritën kurset e luftës kundër analfabetizmit, në bazë lagjeje, nën kujdestarinë e mësuesve të shkollës dhe me drejtues vullnetarë nga Burizana.

Në vitin 1955 të gjithë banorët e Burizanës nga 7-40 vjeç dini shkrim e këndim.

Me 1 Shtator 1957 u hap për herë të parë në fshat shkolla 7-vjeçare. Në 1965 kjo shkollë u kthze në 8-vjeçare.

Në 1959 u hap për herë të parë në Burizanë Kopshti i Fëmijëve.

Në vitin shkollor 1976-1977 u hap shkolla e mesme dhe matura e parë ishte në vitin 1980.

Në vitin 1980 u përurua ndërtesa e re e shkollës. Inagurimi i saj u bë nga Muharrem Sefa, Mehmet Seseri, Petrit Laçi dhe Kadri Xhafa.

Shkolla e sotme e Burizanës vazhdon të jetë po e njejta. Ajo u rikonstruktua në vitin 2018.

Sot shkolla e Burizanës është 9-vjeçare dhe gjimnaz bashkë, në të njëjtën ndërtesa dhe shkolla quhet “Shkolla e Mesme e Bashkuar Haxhi Qira”.

Shërbimet

Redakto

Në qendër të fshatit ndodhet Qendra Shëndetësore, e cila u ndërtua rreth viteve 60, deri pas viteve 2000 ajo vazhdonte të  funksiononte jo vetëm si konsultore dhe infermieri por edhe si maternitet dhe kishte mjek të sëmundjeve të ndryshme. Fatkeqësisht sot shërben vetëm si infermieri dhe konsultore.


Kultura

Redakto

Si qendër kulturore dikur ishte Pallati i Kulturës, i cili u ndërtua në vitin 1973. Ai u ndërtua nga ekonomia e fshatit dhe shërbente si sallë për mbledhje të ndryshme dhe të niveleve të larta shtetërore duke qenë se kishte edhe një kapacitet relativisht te madh. Gjithashtu atz zhvilloheshin shfaqje nga më të ndryshmet me karakter kulturor si; kërcimi, shfaqje teatrale, shfaqje cirku etj,.          

Pallati i Kulturës ishte funksional deri në vitin 1991, ku shpejt pas rënies së diktaturës u përvetësua dhe privatizua dhe fatkeqësisht nuk është më funksional.


Problemet

Redakto

Deri para një viti një nga problemet kyesore ishte mungesa e infrastrukturës, por problem i cili fatmirësisht gjeti zgjidhje në 2018. Por me gjithë investimet që janë bërë si në rregullimin e rrugës ashtu edhe në atë të shkollës vazhdon të ketë akoma shumë probleme.

Një ndër problemet kryesore është ndotja e ajrit. Fshati ndodhet i rrethuar nga dy fabrikat e çementos, njëra në fshatin Zallë në kufirin jugor te fshatit e tjetra në perëndim të fshatit, gjithashtu edhe guroret që ndodhen përgjatë pjesës perëndimore krijojnë një ndotje shumë të madhe të ajrit.

Një tjetër problem është papunësia. Pikërisht nga papunësia një pjesë e popullsisë, sidomos rinia janë detyruar të emigrojnë jashtë Shqipërisë, ose pjesa e rinisë që kryejnë arsimin e lartë përgjithësisht largohen drejt qyteteve për mundësi punësimi si dhe për kushte më të mira jetese.