Bujqësia e qëndrueshme
Bujqësia e qëndrueshme është bujqësia që përmbush nevojat e brezave të sotëm dhe të ardhshëm ndërkohë që siguron produktivitet, mjedis të shëndetshëm, si dhe barazi social-ekonomike[1].
Koncepti mbi bujqësinë e qëndrueshme
RedaktoIdeja e bujqësisë së qëndrueshme është artikuluar fillimisht në Raportin e Bruntland në vitin 1987, së bashku me konceptin e zhvillimit të qëndrueshëm[2], ndonëse praktikat e para që mbështeteshin në qëndrueshmërinë e bujqësisë datojnë që prej kohërave të lashta. Në ditët e sotme, kjo bujqësi është vendosur në qendër të kërkimeve të shumta nga studiues të fushave të ndryshme, në përpjekje për të ofruar alternativa të qëndrueshme të zhvillimit bujqësor, të cilat nuk cënojnë rentabilitetin e bujqësisë, por as nuk kompromentojnë vazhdimësinë e resurseve lokale. Që një fermë të jetë e qëndrueshme, duhet të sigurojë sasi të mjaftueshme prodhimi cilësor, të mbrojë resurset e saj, të jetë e sigurt nga ana mjedisore dhe njëkohësisht fitimprurëse[3]. Qëndrueshmëria në sistemet bujqësore ndërthur koncepte të lidhura me reziliencën (aftësia e sistemeve për të amortizuar tronditjet apo goditjet) dhe persistencën (aftësia e sistemeve për të vazhduar për një periudhë të gjatë), si dhe adreson një sërë çështjesh të gjera ekonomike, sociale dhe mjedisore[4]. Bujqësia e qëndrueshme duhet të jetë në gjendje të zhvillohet vazhdimisht ndërkohë që ruan resurset natyrore dhe sociale mbi të cilat mbështetet[5].
Parimet e bujqësisë së qëndrueshme
RedaktoBujqësia e qëndrueshme mbështetet në disa parime kryesore:
Parimi 1: Përmirësimi i eficiensës në përdorimin e resurseve është thelbësor në bujqësinë e qëndrueshme.
Parimi 2: Qëndrueshmëria kërkon veprim të drejtpërdrejtë për të ruajtur, mbrojtur dhe fuqizuar resurset natyrore.
Parimi 3: Bujqësia që dështon në mbrojtjen dhe përmirësimin e jetesës rurale, barazisë dhe mirëqenies sociale, është e paqëndrueshme.
Parimi 4: Rritja e reziliencës së individëve, komuniteteve dhe ekosistemeve është element kyç në bujqësinë e qëndrueshme.
Parimi 5: Ushqimi dhe bujqësia e qëndrueshme kërkon mekanizma qeverisës të përgjegjshëm dhe efektivë[6].
Praktikat e bujqësisë së qëndrueshme
RedaktoNjë bujqësi e aftë për të siguruar në vazhdimësi ushqim dhe resurse të tjera për një popullsi gjithnjë në rritje është thelbësore për ekzistencën e njerëzimit dhe për çdo veprimtari humane[7], por përmbushja e këtyre nevojave të sotme dhe të ardhshme po kompromentohet gjithnjë e më shumë nga një sërë praktikash dhe faktorësh si: intenstifikimi bujqësor, punimi jo i përshtatshëm i tokës, përdorimi abuziv i lëndëve ushqyese, ndotja etj. Ekzistojnë një sërë praktikash që mund të aplikohen në bujqësinë e qëndrueshme dhe në sistemet e qëndrueshme të ushqimit:
- fermerët mund të përdorin metoda që mbrojnë shëndetin e tokës, reduktojnë përdorimin e ujit dhe ulin nivelin e ndotjes në fermë;
- konsumatorët dhe tregtarët mund të përzgjedhin ushqime të prodhuara nëpërmjet metodave që mbrojnë shendetin, që janë miqësore me mjedisin apo që fuqizojnë ekonominë lokale;
- kërkuesit shkencorë në fushën e bujqësisë e qëndrueshme mund të kryqëzojnë linjat e tyre disiplinare, duke ndërthurur biologjinë, ekonominë, inxhinierinë, kiminë, zhvillimin e komunitetit dhe shumë të tjera[8].
Sot, shqetësimi mbi qëndrueshmërinë përqendrohet në nevojën për të zhvilluar teknologji dhe praktika bujqësore që nuk kanë efekte të kundërta në mjedis (pjesërisht pasi mjedisi përfaqëson një aset të rëndësishëm për bujqësinë), që janë të aksesueshme dhe efikase për fermerët, që çojnë në përmirësim të produktivitetit ushqimor dhe kanë efekte pozitive në të mirat dhe shërbimet mjedisore[9].
Referimet
Redakto[1]FAO (2014), Building a Common Vision for Sustainable Food and Agriculture. Principles and Approaches. https://www.fao.org/3/i3940e/i3940e.pdf Konsultuar më 04.12.2021.
[2] Tait, J.; Morris, D. Sustainable development of agricultural systems: Competing objectives and critical limits. Futures 2000, 32, 247–260.
[3] Reganold, J. P., Papendick, R. I., & Parr, J. F. (1990). Sustainable Agriculture. Scientific American, 262(6), 112–121. http://www.jstor.org/stable/24996835
[4] Pretty J. (2008). Agricultural sustainability: concepts, principles and evidence. Philosophical transactions of the Royal Society of London. Series B, Biological sciences, 363(1491), 447–465. https://doi.org/10.1098/rstb.2007.2163
[5] Weil, Raymond. (1990). Defining and Using the Concept of Sustainable Agriculture. Journal of Agronomic Education. 19. 126-130. 10.2134/jae1990.0126.
[6]FAO (2014), Building a Common Vision for Sustainable Food and Agriculture. Principles and Approaches. https://www.fao.org/3/i3940e/i3940e.pdf Konsultuar më 04.12.2021.
[7] Velten S, Leventon J, Jager N, Newig J. What Is Sustainable Agriculture? A Systematic Review. Sustainability. 2015; 7(6):7833-7865. https://doi.org/10.3390/su7067833
[8] UC Sustainable Agriculture Research and Education Program. 2021. "What is Sustainable Agriculture?" UC Agriculture and Natural Resources. https://sarep.ucdavis.edu/sustainable-ag Konsultuar më 04.12.2021.
[9] Pretty J. (2008). Agricultural sustainability: concepts, principles and evidence. Philosophical transactions of the Royal Society of London. Series B, Biological sciences, 363(1491), 447–465. https://doi.org/10.1098/rstb.2007.2163