Denis Diderot (shqipërimi: Deni Didro), u lind më 5 tetor 1713 në Langres, në Shampanjë dhe vdiq më 31 korrik 1784; ai ishte bir i një tregtari thikash dhe i gruas së tij, Anzhelikë Vinjeron. Nga viti 1723 deri më 1728, shkoi në kolegjin e jezuitëve të Langresit, para se të vazhdonte kolegjin Luigji i Madh (ndryshe kolegji i Harcurit) në Paris. Më 1732, mbasi mori titullin magister artum i Universitetit të Parisit, u regjistrua në kurset e teologjisë në Sorbonë. Duke punuar në të njëjtën kohë si ndihmës te një avokat, Didroi jetonte me punë të vogla: shkrime predikimesh për fillestarët klerikë, mësime private, redaktim artikujsh gazetash dhe përkthime nga anglishtja. Më 1742, u njoh me Zhan-Zhak Rusonë, me të cilin do të lidhte një miqësi që vazhdoi për katërmbëdhjetë vjet, deri në grindjen përfundimtare. Më 1743, kundër dëshirës së prindërve të tij, Didroi u martua me një rrobalarëse, Antuanetë Shampion; nga katër fëmijë që patën do të jetonte vetëm një vajzë, Anzhelika. Më 1746, Didroi u dha pas ndërmarrjes së gjerë të Enciklopedisë, fillimisht e menduar si përkthim i thjeshtë i një vepre angleze të Efraim Shambers (rreth 1680-1740), titulluar Cyclopaedm, or An Universal Dictionary of Arts and Sciences, botuar më 1728. Nën nxitjen e bashkëbotuesve, Didroit dhe D\'Alamberit, Enciklopedia mori pak nga pak përmasat e një vepre të pavarur dhe monumentale. Bashkëpunëtorë të shumtë u ftuan të jepnin ndihmesën e tyre, secili në specialitetin e vet. Botimi filloi më 1751 dhe do të vazhdonte njëzet vjet. Paralelisht me punën e tij prej botuesi dhe bashkërenduesi, Didroi përpiloi një numër të madh shkrimesh filozofike. Njëri prej tyre, Letër mbi të verbrit në përdorim të atyre që shohin (1749), i kushtoi tre muaj e gjysmë burg në Vansenë për \"materializëm\" dhe \"ateizëm\". Ai krijoi gjithashtu pjesë teatrore (Djali i lindur jashtë martese, 1757; Ati i familjes, 1758), shkroi kritikë arti, tregime dhe romane. Nipi i Ramoit (1760-1777), dialog satirik, në fillim u njoh në përkthimin gjermanisht të dhënë nga Johan Volfgang Gëte (1749-1832). Rreth vitit 1762, Didroi filloi të mbante letërkëmbim filozofiko-politik me careshën Katerina II e Rusisë, që e bëri bibliotekar për gjithë jetën.

Statuja në vendlindje

Filozofi e kaloi dimrin 1773-1774 në Shën Petërburg, ku pati biseda të shpeshta me Katerinën e Madhe. Ai punoi gjithashtu për Plani i një edukmi publik në të gjitha shkencat, në perspektivën e një reforme të mësimdhënies në Rusi. Didroi vdiq në Paris më 31 korrik 1784.

Gjatë punës mbi \"Enciklopedinë\" u krijua një bërthamë bashkëpunëtorësh të rëndësishëm, një rreth \"enciklopedistësh\", qendra e të cilit ishte Didroi. Përveç atyre që morën përsipër hartimin e veprës, Didroit dhe D\'Alamberit (që e cilësuan filozofinë \"fizikë eksperimentale të shpirtit\"), ra në sy, mes të tjerëve, prania e Melshior Grimit (1723-1807), publicist i shoqërisë së lartë dhe diplomat me prejardhje gjermane, si dhe e një ithtari të moralit materialist të mbështetur mbi egoizmin, filozofit Klod Adrian Helvetius (1715-1771), veç të tjerash edhe fermer.

Enciklopedistët e kishin zakon të mblidheshin në shtëpinë e baronit të pasur dhe me influencë Holbak (1723-1789), gjithashtu filozof. Pa dyshim që Didroi bashkëpunoi për përmirësimin e veprës së tij Sistemi i natyrës (1770), gjuha fillestare e së cilës ishte disi e ashpër. Kjo vepër e ngjizur si \"bibla e materializmit\", përmbledh arsyetimet e fizikës dhe të fiziologjisë së kohës kundër idealizmit dhe dualizmit të shpirtit dhe të materies: shpirti është gjithmonë veçse shprehje e veprimtarisë së nervave të trurit.

George Wilhelm Friedrich Hegel (1770-1831), adhurues i madh i Didroit, rimori te Fenomenologjia e shpirtit \"dialektikën e zotërisë dhe të shërbëtorit\", që figuron te Zhak Fatalisti, dhe nxori prej andej parabolën e çlirimit nëpërmjet punës që gëzonte borgjezia në krahasim me fisnikërinë: skllavi, që jeton \"me frikën e të zotit\", bëhet i domosdoshëm për këtë të fundit duke krijuar botën në të cilën jeton. Në fund, vetëdija e botës së përpunuar nga shërbëtori zëvendëson këtë. Ne gjejmë te Mjeshtri Puntila dhe shërbëtori Mati, të Bertold Brehtit (1898-1956), një interpretim marksist të kësaj dialektike.

Natyra është shumë më tepër se një mekanizëm i vdekur: ajo është jetë organike. Me qëllim që të pasqyrohet me drejtësi shumësia e natyrës në përgjithësi dhe në veçanti ajo e jetës njerëzore - si Enciklopedia, nën drejtimin e Deni Didroit, që u përpoq ta bënte në mënyrë metodike - autorët e iluminizmit iu drejtu një shumësie zërash dhe formash letrare, duke përfshirë këtu edhe dramën dhe romanin.

Më 1750 doli reklama e përpiluar nga Deni Didro (Denis Diderot), që ftonte për pjesëmarrje në Enciklopedi. Në zanafillë, ky model i gjithë fjalorëve enciklopedikë të ardhshëm parashikonte vetëm përkthimin e plotë të një fjalori anglez që ekzistonte. Gjatë viteve dhe deri më 1772 Enciklopedia franceze arriti të bëhej një vepër monumentale, që përmbante shtatëmbëdhjetë vëllime tekst dhe njëmbëdhjetë vëllime pllakash të gdhendura të një cilësie të jashtëzakonshme. Ai qe botimi shkencor dhe \"filozofik\" më i madhi dhe më i rëndësishmi i epokës së iluministëve. Didroi i kushtoi njëzet vjet të jetës së tij, herë si botues, bashkërenditës botimi dhe redaktor i shumë zërave. Ky Fjalor i arsyetuar i shkencave, arteve dke zanateve ishte një përmbledhje e shkencave të kohës, por trajtonte gjithashtu edhe artet dhe letërsinë; në fund, dhe kjo ishte një risi e madhe, ai trajtonte \"artet mekanike\" dhe njohuritë teknike në fushën e artizanatit dhe të industrisë.

Bashkëpunëtorët e Enciklopedisë - \"shoqëri e njerëzve të letrave\" - ishin pak a shumë të gjithë mendimtarë të emancipuar, madje mendimtarë të lirë, që përfituan nga rasti për të dhënë mendime nganjëherë të guximshme për fenë dhe për politikën, gjithmonë nën kërcënimin e censurës; mendimet më të rrezikshme fshiheshin nganjëherë në mënyrën e tërthortë të një artikulli në dukje i lehtë ose nëpërmjet një loje të gjetur reference apo shënimi. Botimi u ndalua shumë herë, por falë mbështetjes së miqve të fuqishëm të iluministëve - si politikani Malherb apo zonja Dë Pompadur, dashnorja e Luigjit XV - vepra gjigante u çua deri në fund. Enciklopedia ishte një vepër kolektive, në të cilën morën pjesë personalitete të ndryshme, të tillë si Volteri, Bufoni për botanikën dhe Zhan Zhak Rusoi, me të cilin Didroi mbajti për një kohë të gjatë një miqësi të ngushtë. Të bëje të punonin me të njëjtin shpirt tërë ato natyra aq shumë të ndryshme, kjo kërkonte nga Didroi dhe bashkëbotuesi i tij, Zhan Lë Rond d\'Alamber (1717-1783), cilësi intelektuale dhe njerëzore jo të zakonshme dhe një seriozitet dhe zell të jashtëzakonshëm.

Didroi mundi të frymëzonte dhe të drejtonte një projekt të kësaj gjerësie, sepse dinte të shihte përtej grindjeve filozofike të ngushta dhe se përfshinte në mendimin e tij shqetësime të reja, pa kërkuar të mbërthente një sistem të mbyllur, por të shpaloste një mënyrë intelektuale operuese, përparuese dhe përgjithësuese. Ai nisej nga pozicionet e Xhon Lokut dhe të njërit prej nxënësve të tij, kontit të Shaftbërit, që kishte shtjelluar empirizmin në kuptimin e një psikologjie sensualiste,duke dhënë kështu shkas për lindjen e rrymës letrare të \"ndjeshmërisë\". Të jetosh dhe të tregosh ndjenja të vërteta dhe autentike, u bë një perbëres vendimtar i shoqërisë së mesit të shekullit XVIII. Në tekstet e mëvonshme mbi teatrin, Didroi theksonte gjithashtu se duhej ditur, në disa raste, \"të luaje\" realen për ta bërë më prekëse. Ky është i famshmi \"paradoks i aktorit\"; gjesti që duket më i natyrshëm është ndoshta ai që është zbërthyer dhe studjuar më me kujdes\" - Didroi është këtu në një mendje me Rusoin - i kundërt me falsitetin e botës zyrtare të parukave të pudrosura, por në një kuptim vetëm matematik të natyrës. Kërkimet natyraliste të kryera nga Bufoni, drejtori i Kopshtit të Mbretit (Kopshti i ardhshëm i Bimëve, në Paris), mbi kafshët dhe bimët vegjetale, kishin ndryshuar vështrimin: në fushën e të gjallit shtjellohen cilësi \"morale\", të tilla si ndjeshmëria dhe veprimtari të specializuara, sipas organeve korresponduese. Natyra zotëron gjithmonë diçka \"shpirtërore\" dhe shpirtërorja, nga ana e saj, zotëron një bazë fizike. Në fillim të iluminizmit - në linjën e Rëne Dekartit - natyra shihej si një makinë, si një mekanizëm; tanimë ajo shihej si diçka \"organike\", në rrjedhë të zhvillimit të gjallë. Në letrat dërguar dashnores së tij Sofi Valan, si dhe në veprën e tij filozofike më të rendësishme (Ëndrra e d\'Alaberit), Didroi hedh idenë e një bote molekulash plot gjallëri, që bashkohen për të ndërtuar format më të zhvilluara të jetës. Në këtë materializëm që merr tiparet e një panteizmi, natyra plot gjallëri është vetë hyjnori, ndërsa dashuria është në vetvete një forcë e dobishme e natyrës. Didroi nuk merr mundimin të \"të provojë\" konceptin e tij për botën: matematika nuk vlen asgjë për të përshkruar të qenët gjallë, më shumë ia vlen një gjuhë në vetvete, e gjallë.

Filozofi, duke qenë gjithashtu shkrimtar dhe poet, e sheh horizontin e tij të zgjerohet në natyrë të gjallë, në moral dhe në art; ai nuk ka pse të ndjekë më ligjet e përjetshme dhe në të njëjtën kohë matematike të së Bukurës, por të jetë \"interesant\". Didroi trajton në formë letrare, për shembull, determinizmin (ashtu si e lë të kuptohet çdo materializëm të dalë nga ligjet e natyrës) dhe vullnetin e lirë (në mënyrën si përputhet me ndjenjën natyrore) në \"romanin\" e tij Zhak Fatalisti problemi i vullnetit të lirë mbetet aty pa zgjidhje, por çel një temë edhe më interesante: atë të dialektikës së Zotit dhe robit. Zhaku, nxënës i \"kapitenit\" misterioz, që nuk resht së e cituar, beson fort në paracaktimin e çdo gjëje dhe drejton kështu fatin e të zotit që beson te vullneti i lirë, por nuk vepron. Zhaku përpunon vetë lirinë e tij vetjake, metaforë e lirisë politike të çdo individi.

Më 1776, viti i shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Didroi filloi të merrte pjesë në një projekt të madh kolektiv, të krahasueshëm me Enciklopedine - Historia e dy Indive. Vepra fshikullon gjendjen në koloritë, mallkon despotizmin e princave europianë, u thur lavdi të drejtave të njeriut dhe u bën thirrje të shtypurve për të ngritur krye. Vepra u bë shumë shpejt një best-seller që do të shënonte në mënyrë vendimtare shpirtin e Revolucionit Francez. Iluministët - një nga mishërimet më shembullore të të cilëve qe Didroi - qenë gjithashtu, mes të tjerash me Enciklopedme, në zanafillë të buthtimit të një force të madhe të shndërrimit politik.

  • Duke refuzuar, pas shkollimit te jezuitët, ofertën për t\'u bërë prift, Didroi jetoi si boem letrar, duke siguruar ekzistencën me instruksione dhe përkthime. Së shpejti njihet me Rusoin, D\'Alamberin, Holbahun dhe me iluministët e tjerë dhe botoi disa vepra të shtypura në mënyrë anonime kundër fantazimit fetar dhe në përgjithësi anciem rëgimes. I kërcnuar vazhdimisht nga persekutimet dhe burgjet dhe nën mbikëqyrjen rigoroze të policisë, Ddidro megjithkëtë, filloi të bënte përgatitje për botimin e veprës më të madhe të mendimit materialist të iluminizmit francez, të Enciklopedisë së madhe.
  • Pavarësisht nga një varg inkonsekuencash dhe bile nga mënyra ezopike e të shprehurit (për të cilën enciklopedistët ishin të detyruar për të evituar ndalimet e shpeshta të botimeve), Enciklopedia, së cilës vulën themelore ia dha Didroja, është kryevepër e vërtetë e frymës progresive ateiste dhe materialiste franceze, e cila dha impulse jashtëzakonisht të rëndësishme dhe frytëdhënëse për zhvillimin e mëtejmë të kulturës evropiane si dhe bazën ideore të atyre aksioneve revolucionare që pikërisht qëndronin para Francës dhe botës. Në Enciklopedi njëmend është paraqitur «pasqyra e përgjithshme e përpjekjeve të mendjes njerëzore të të gjithë popujve dhe ne të gjitha kohët», dhe janë vërtetuar edhe elementet themelore ideore të shkatërrimit të shoqërisë së vjetër dhe provuar nevoja imperative e depërtimit më të guximshëm në drejtim të njohjeve të reja mbi shoqërinë e ardhmërisë.
  • Duke kaluar rrugën nga deisti te ateisti, Didro u bë një nga kritikët më konsekuentë të moralit religjioz, materialist i bindur dhe iluminist. Sipas tij, materia është aktive, e përbërë nga thërrmija shumë të imta, me bashkimin mekanik dhe ndarjen e të cilave çdo gjë ndodh në natyrë. Arsyeja dhe njohja bazohen në ndjejshmërinë e përgjithshme të botës materiale. Didro e shpjegoi jetën si organizëm në të cilin atomet bashkohen dhe gërshetohen reciprokisht në atë mënyrë sa nuk krijojnë vetëm një strukturë të jashtme, por përbëjnë një tërësi integrale.
  • Në pikëpamjet e tij mbi zhvillimin e shoqërisë dhe të historisë, Didro është iluminist tipik: ai besonte se progresi i njerëzimit varet nga idetë që ndikojnë në zhvillimin e legjislacionit e që përcakton formën e sundimit të disa vendeve dhe të epokave historike.
  • Shpirt i lirë, kundërshtar i të gjitha autoriteteve dhe i traditës, ateist i zjarrtë, luftëtar i pakompromis kundër të gjitha indoktrinimeve religjioze dhe formave të tiranisë, Didro në shumë vepra të tij jeton edhe sot, ndërsa prijësit dhe axhituesit fetar të çfarëdo lloji më se njëqind e pesëdhjetë vjet pas vdekjes nuk mund ta falin e të pajtohen me fjalët e ashpra dhe therëse që u drejtoi, kështu që edhe në kohën tonë bashkëkohore të këtij shekulli përpiqen të ndalojnë realizimin e veprave letrare të tij dhe përhapjen e ideve filozofike të tij.

Referime

Redakto

[1]