Dhori Kule (lindur më 17 shkurt 1957), është ekonomist shqiptar dhe Rektor i Universitetit të Tiranës.

Dhori Kule
Rektor i Universitetit të Tiranës
Lindi17 shkurt 1957
Kombësiashqiptar
Profesioniprofesor, ekonomist

Dhori Kule ka lindur në Berat më 17 shkurt 1957. Shkollën e mesme e kreu në Shkollën e Mesme të Përgjithëshme "Babë Dudë Karbunara" të qytetit të lindjes, me rezultate të shkëlqyera. Gjatë kësaj periudhe Kule ishte pjestar i ekipit të futbollit të të rinjve të Klubit Sportiv Tomori. I ati i tij Petraq Kule ishte gjithashtu sportist (alpinist), Mjeshtër Sporti.

Në vitin 1981 Kule përfundoi me rezultate të larta studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Pas mbarimit të studimeve Kule punoi si përgjegjës i Departamentit të Ekonomisë në Uzinën Mekanike të Naftës në Kuçovë dhe si pedagog i jashtëm në degën e Universitetit të Tiranës në Berat. Pas tri vitesh u emërua pedagog efektiv në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës ku vazhdon edhe sot.

Në 2008, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, dekretoi Prof. Dr. Dhori Kulen Rektor të Universitetit të Tiranës. Prof. Kule u zgjodh rektor nga një proces zgjedhor, ku morën pjesë i gjithë stafi akademik, stafi joakademik, si dhe studentët e Universitetit të Tiranës. Kule ishte gjithashtu Kryetar i Rrjetit të Universiteteve Shqipfolëse, i cili u krijua më 13 qershor 2008 me iniciativën e Universitetit të Tiranës.

Dhori Kule është autor i mjaft artikujve shkencorë, të cilët janë botuar brenda dhe jashtë vendit. Ai është bashkautor i disa teksteve, si Hyrje në Ekonomi, Ekonomi e Zbatuar etj. Ka kryer mjaft studime të karakterit ekonomik, si dhe ka marrë pjesë në shumë konferenca brenda dhe jashtë vendit. Është njohës shumë i mirë i gjuhës angleze, zotëron atë italiane e ruse. Mban titullin Profesor Doktor në Ekonomi.

Përvojat e tij profesionale janë të shumta, ndër të cilat përmendim funksionin e tij si Dekan i Fakultetit të Ekonomisë për gati 10 vjet dhe njëkohësisht Kryetar i Këshillit të këtij fakulteti.

Prof. Dr Dhori Kule është anëtar i disa bordeve te rëndësishme, ku vlen të përmendet pozicioni si Kryetar i Këshillit të Statistikave, Kryetar i Unionit të Ekonomistëve Mbarëshqiptarë, Anëtar i Bordit Drejtues të Portit të Durrësit etj. Ai është gjithashtu anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe Kryetar i Komisionit të Ekonomisë së këtij Këshilli.

Prof. Dr Dhori Kules i është dhënë titulli “Qytetar Nderi” i qytetit të Sarandës dhe Kukësit, për kontribute të veçanta në arsim dhe për komunitetin.

Në zgjedhjet për drejtuesit e universiteteve shtetërore të zhvilluara në shkurt 2012, Prof.Dr Dhori Kule u rizgjodh Rektor i Universitetit të Tiranës për një mandat të dytë.