Ditari i një ministri të jashtëm: Konflikti i Kosovës 1997-2001 Libër me autor Paskal Milo. Shtëpia Botuese "Toena", viti 2009. Faqet e librit 448.

Para dhjetë vjetësh kriza e Kosovës kishte arritur një pikë kthese dramatike, kur Komuniteti Ndërkombëtar vendosi t’i detyrojë të dy palët që të uleshin në tavolinën e bisedimeve. Brenda disa javëve, nga masakra e Reçakut, në mes të janarit të vitit 1999, ku u vranë me gjakftohtësi nga forcat e sigurimit serb më shumë se dyzet civilë shqiptarë nga Kosova, Grupi ndërkombëtar i Kontaktit për Ballkanin mblodhi Konferencën e Rambujesë. Në një përpjekje të fundit, të dy shtetet mikpritëse, Franca dhe Britania e Madhe, thirrën përfaqësuesit e Republikës së atëhershme Federale të Jugosllavisë dhe udhëheqjen shqiptare të Kosovës, për të rënë dakord për një marrëveshje, e cila do ta kishte lënë Kosovën brenda Jugosllavisë, por do të kishte rivendosur një autonomi të gjerë dhe të vërtetë për provincën e mëparshme. Ministrat e Jashtëm të Grupit të Kontaktit – Franca, Gjermania, Italia, Rusia, Britania e Madhe, SHBA-ja – caktuan Trojkën, e cila përbëhej nga Kris Hill nga SHBA-ja, Boris majorski nga Rusia dhe unë, si përfaqësues i BE-së, për të udhëhequr përpjekjet për ndërmjetësim. Konferenca u hap zyrtarisht nga presidenti francez Shirak, në 6 shkurt 1999, dhe qëllimi i saj ishte të mbaronte brenda një jave. Në fakt, ajo zgjati gjithsej thuajse dyzet ditë, të cilat ishin përpjekje torturuese nga ana e ndërmjetësve të Grupit të Kontaktit. Megjithëse pati një ndërprerje prej tri javësh, e cila u dha një mundësi Beogradit dhe Prishtinës për të punuar nga brenda për formulën e propozuar të kompromisit, Millosheviçi dhe negociatorët e tij u tërhoqën. Kështu që nisja e bisedimeve në fillim të marsit, në Paris, ishte që në fillim e destinuar të dështonte. Në fund të saj, Beogradi refuzoi të merrte në konsideratë edhe aspektet civile të Marrëveshjeve, për të cilat ishte rënë dakord që më parë. Ndërsa udhëheqja kosovare vendosi firmën në Marrëveshjet e Rambujesë, burri i fortë i Serbisë, Millosheviçi, refuzoi të pranonte një forcë ndërkombëtare zbatuese të udhëhequr nga NATO-ja dhe denoncoi në mënyrë agresive bisedimet e paqes si një diktat nga Perëndimi.