Drita Halimi-Statovci
Drita Halimi-Statovci, etnologe, u lind në Gjilan, më 14 prill 1945. Shkollën fillore e filloi në Beograd dhe e mbaroi në Prishtinë. Gjimnazin dhe studimet themelore i vijoi në Prishtinë, ku diplomoi në Degën e Gjeografisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës (1969). Doktoroi në Universitetin e Zagrebit, në Degën e Gjeografisë (1981), ku dhe kishte magjistruar ne vitin 1973. Drita Statovci është grua e vejë dhe ka tre fëmijë. Ajo flet gjuhën shqipe, serbo-kroate, turke dhe angleze.
Veprimtaria
RedaktoDrita Statovci kontribuoi në krijimin e kuadrove të reja në fushën deficitare të etnologjisë, sidomos të femrave, duke themeluar Departamentin e Etnologjisë në Universitetin e Prishtinës në Kosovën e pas luftës (2001). Kështu u krijuan parakushte për studimin, ruajtjen dhe prezantimin e vlerave etnologjike të Kosovës, të rajonit e më gjerë, si dhe për studimin dhe thellimin e njohurive nga fusha e antropologjisë kulturore.
Ajo iu përkushtua studimit të etnologjisë që nga viti 1975 dhe ishte e motivuar nga babai i saj, Kadri Halimi, etnologu i parë shqiptar i Kosovës. Punoi në Odën Ekonomike të Kosovës dhe në Këshillin Ekzekutiv Krahinor si bashkëpunëtore profesionale, në Institutin e Historisë dhe në Institutin Albanologjik - Dega Etnologji, si bashkëpunëtore, si udhëheqëse e Degës së Etnologjisë dhe si këshilltare shkencore.
Drita Statovci ishte bashkëautore e botimeve në gjuhët e huaja që përfshinin pjesë mbi jetën dhe veshjen popullore të shqiptarëve "Zivljenje Albancev i Albanske narodne noše", Cankarjeva Založba, Ljubljana, 1984 apo "Albanien Zwischen Kruz und Halbmond të Statliches Museum fur Volkerkunde" (Munchen 1998). Ajo poashtu ka kontribuar edhe me pjesën "Folk Dress in Kosova Berg Encyclopedia of World Dress and Fashion", Vol. 9, East Europe, Russia, and the Caucas, Part 5: Southeast Europe, Oxford University Press, 2009) dhe ishte pjesë e grupit editorial mbi Universitetin e Prishtinës: "Një jetë për një universitet", vëllimi I: (2000), vëllimi II: 2009).
Veprat monografike të saj të botuara janë: "Zhvillimi historik i zejtarisë dhe rëndësia e saj bashkëkohore për strukturën ekonomiko-shoqërore të KSA të Kosovës" (1982), "Kërkime etnografike" (1988), "Etnologjia flet" (1988), "Veshjet shqiptare të Kosovës" (2009), albumin - "Ta njohim dhe ta ruajmë trashëgiminë kulturore" (2009). Vepra e fundit e saj e çoi deri tek akademizimi për herë të parë të mësimit performativ Libretto etnologjik për veshjen (2010).
Gama e trajtimeve të saj përbëhet nga Ritet dhe këngët e lindjes (The rite and song in birth tradition, Makedonski Folklor, Shkup, 2001), Ndryshimet në veshjet popullore nga perspektiva e gjeneralisimit global (Changes in Albanian Folk Clothing from the Perspective of Global Generalisation, Budapest, 2004) dhe Mendësitë dhe besimet për shtëpinë (Mendësi dhe besime popullore për shtëpinë, Prishtinë, 2003).
Aktualisht Drita Statovci është punonjëse shkencore dhe promovuese e vlerave etnologjike, përmes hulumtimeve në terren, pjesëmarrjes në konferenca shkencore e profesionale kombëtare dhe ndërkombëtare dhe botimeve të veprave të karakterit monografik, si dhe punimeve studimore, shkencore e profesionale në lëmin e etnologjisë. Është profesoreshë e rregullt në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Drita Statovci ka organizuar edhe disa ekspozita etnografike në Kosovë.
Statovci ishte deputete e Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës gjatë dy mandateve (2001-2007).