Edlira Birko (1969) është gazetare dhe profesoreshë universitare shqiptare.[1]

Biografia

Redakto

Edlira Birko ka ndjekur në vitet 1987-1991 studimet e larta në Degën e Gjuhës e të Letërsisë të Universitetit të Tiranës (Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë), ka marrë gradën e masterit shkencor për studime letrare e media pranë këtij Universiteti (2009) dhe është doktoruar me tezën “Letërsia, folklori dhe mediat në shtypin shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore” në Universitetin Shtetëror “Cirili dhe Metodi” (Shkup, Maqedonia e Veriut), 2016. Ka realizuar një varg specializimesh e kursesh trajnimi në fushën e drejtimit të medieve, të të drejtave të njeriut, të komunikimit, të marrëdhënieve me publikun e të të folurit publik (Bon, Strasburg, Tiranë,). Ka një përvojë 30-vjeçare në shtypin e shkruar, në radio e televizion: kryeredaktore e gazetës “Kombi” (1991-1994), zv. kryeredaktore e gazetës “E Ardhmja” (1997), drejtore e Radio 1 (1998), zëdhënëse e shtypit në Ministrinë e Rendit Publik (1998-2000), drejtore e Programit të Dytë në Radio-Tirana (2002-2003), drejtore e Telenorba-s Shqiptare (2004) dhe prej vitit 2005 gazetare në Televizionin Publik Shqiptar në funksionin e skenaristes dhe drejtueses së një vargu ciklesh televizive [emisioni i përditshëm informativo-kulturor i mëngjesit në RTSH1, emisioni i përjavshëm “DEBAT. Arsimi – të zgjidhura dhe të pazgjidhura” (20052008), emisioni i përjavshëm “PULS. Debat social” (2008-2009) etj.]. Prej 2010-s E. Birko është ideuese, gazetare, skenariste dhe drejtuese e ciklit të emisioneve të përjavshme “Auditor Arsimi” tryeza më jetëgjatë dhe më e kualifikuar e problemeve të arsimit e të kërkimit shkencor në hapësirën shqiptare. Nga viti 2000 ligjëron lëndët e komunikimit, të të folurit publik e të kulturës në media në disa fakultete të Universitetit të Tiranës e në universitete të tjera në vend si dhe merr pjesë në jetën kërkimore-shkencore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut me kumtesa e artikuj shkencorë për probleme të medias, të shkollës e të letërsisë. Vend të veçantë u ka dhënë në tribunën e vet “Auditor Arsimi” arritjeve të Institutit Alb-Shkenca si dhe kontributeve të përfaqësuesve më të shquar të saj në hapësirën mbarëshqiptare dhe në institucionet shkencore e në strukturat universitare në botë.[2] [3]

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ "Emisioni "Auditor Arsimi" – Institutet e Albanologjisë". Marrë më 2024-11-07.
  2. ^ Mustafa Ibrahimi (red.) Instituti Alb-Shkenca ndër vite 2002-2023 (Monografi), fq. 69, ISBN 9789951518208
  3. ^ "Emisioni "Auditor Arsimi" – Institutet e Albanologjisë". Marrë më 2024-11-07.