Egjipti i lashtë

Qytetërim antik në Afrikën e Veriut

Egjipti i lashtë ishte një qytetërim i lashtë në Afrikën Veriore lindore, i përqendruar në rrjedhat e lumit Nil, në atë që është sot shteti modern i Egjiptit.

Sfinksi i Madh dhe Piramidat e Gizës janë dy nga simbolet më të njohura të qytetërimit të lashtë egjiptian.
Hartë e Egjiptit të lashtë, që shfaq qytetet më të mëdha në periudhën Dinastike (rreth 3150 p.e.r deri në 30 p.e.r)

Qytetërimi egjiptian filloi të ngrihej rreth 3150 p.e.s (sipas kronologjisë konvencionale egjiptiane)[1] kur u krye bashkimi politik i Egjiptit të Sipërm e të Poshtëm nën faraonin e parë.[2] Historia e Egjiptit të lashtë ndodhi në një seri Mbretërish të qëndrueshme, të ndara nga periudha paqëndrueshmërie të njohura si Periudhat e Mesme. Mbretëria e Vjetër i përket Epokës së Hershme të Bronzit, Mbretëria e Mesme dhe Mbretëria e Re Epokës së Vonë të Bronzit. Egjipti arriti pikun e fuqisë së tij gjatë Mbretërisë së Re, në periudhën e Ramsesit, pas së cilës filloi të binte ngadalësisht. Egjipti u pushtua radhë pas radhe nga fuqi të huaja gjatë kësaj periudhe të vone. Pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, një nga gjeneralët e tij, Ptoleme Soteri, shpalli veten si sundues të ri të Egjiptit. Kjo Dinasti Ptolemaike sundoi Egjiptin deri në vitin 30 p.e.r, kur u pushtua nga Perandoria Romake dhe u bë një provincë romake.[3]

Suksesi i qytetërimit të lashtë egjiptian erdhi pjesërisht nga aftësia e tij për tu përshtatur me kushtet e Luginës së Nilit. Parashikimi i përmbytjeve dhe vaditja e vazhdueshme dhe e kontrolluar e luginës pjellore çoi në prodhimin në tepricë të të korrave, që çoi në zhvillimin kulturor e shoqëror. Me burimet rezervë, administrata nxiti shfrytëzimin e mineraleve që mund të nxirreshin nga lugina dhe zonat e shkretëtirës përreth, u zhvillua shkrimi egjiptian me hieroglife,u organizuan projekte bujqësore dhe ndërtimore, u zhvillua tregti me rajonet rrethuese dhe u krijua një force ushtarake për të mundur armiqtë e huaj dhe për të vendosur pushtetin dhe dominimin e Egjiptit. Për të motivuar dhe organizuar këto aktivitete ekzistonte një burokraci e shkruesve, liderëve fetarë dhe administruesve nën kontrollin e faraonit, i cili siguronte unitetin dhe bashkëpunimin e popullit egjiptian nën rregullat e besimit fetar egjiptian.[4][5]

Disa nga arritjet e egjiptianëve të lashtë përfshijnë nxjerrjen e gurëve, ndërtimin e piramidave, tempujve dhe obeliskëve; u zhvillua matematika, mjekësia, vaditja dhe teknika të reja bujqësore për prodhimtari, anijet para, qeramika dhe teknologjia e qelqit, forma të reja të letërsisë dhe traktati i parë i paqes që njihet në histori.[6] Egjipti la një trashëgimi të qëndrueshme e të pavdekshme. Arti dhe arkitektura e tij u imituan kudo, dhe gjërat antike të tij u shpërndanë në tërë cepat e botës. Gërmadhat monumentale të tij kanë frymëzuar imagjinatën e udhëtarëve dhe shkrimtarëve për shekuj me radhë. Interesi dhe respekti i rikthyer këto dy shekuj të fundit për gërmadhat dhe gjërat antike çoi në krijimin e hetimit shkencor të qytetërimit egjiptian dhe në një vlerësim më të lartë për trashëgiminë e tij kulturore, si për Egjiptin ashtu edhe për botën.[7]

Historia Redakto

Nga fundi i periudhës Paleolitike klima e thatë e Afrikës Veriore u bë edhe më e nxehtë dhe thatë duke bërë që popullsia që jetonte aty të mblidhej përgjatë luginës së Nilit dhe qysh kur njerëzit modernë gjahtarë-mbledhës filluan të banonin në këtë rajon në fund të Pleistocenit të Mesëm rreth 120 mijë vjet më parë, Nili ka qenë burimi i jetës për Egjiptin.[8] Toka pjellore e përmbytshme e Nilit u dha njerëzve mundësinë për vendosjen dhe krijimin e një ekonomie bujqësore dhe një shoqërie më të centralizuar e të sofistikuar, gjë që u bë gur themeli për qytetërimin njerëzor.[9]

Periudha paradinastike Redakto

Në kohërat Paradinastike dhe të Dinastisë së Hershme, klima e Egjiptit ishte më shumë herë më pak e thatë se sot. Rajone të mëdhaja të Egjiptit ishin të mbuluara me savana me pemë dhe të mbushura me thundrakë që kullotnin. Gjethnaja dhe fauna ishin të gjendura në të tërë mjediset dhe rajoni i Nilit kishte një popullatë të madhe të shpendëve të ujit. Gjuetia duhet të ketë qenë e zakonshme për egjiptianët dhe kjo është periudha kur shumë kafshë u zbutën për herë të parë.[10]

 
Një poç tipik i kulturës Naqada II dekoruar me gazela. (Periudha Paradinastike)

Rreth 5500 p.e.r, fise të vogla që jetonin në Luginën e Nilit kishin zhvilluar një larmi kulturash që shfaqnin kontroll të plotë të bujqësisë dhe blegtorisë dhe të dallueshëm nga poçaria dhe mjetet personale, si krehërët, byzylykët dhe rruazat. Më e madhja e këtyre kulturave të hershme në Egjiptin e Epërm, Badari, njihej për cilësinë e lartë të qeramikës, veglave të gurit dhe përdorimit të bakrit.[11]

Në Egjiptin e Veriut, Badarit ndiqeshin nga kulturat Amratiane dhe Gerzeane,[12] të cilat sollën disa përmirësimë teknologjike. Në kohërat Gerziane, prova të hershme gjenden për kontaktin e tyre me Kananët dhe bregun e Biblosit.[13]

Në Egjiptin jugor, kultura Naqada, e ngjashme me atë Badari, filloi të zgjerohej përgjatë Nilit rreth 4000 p.e.r. Aq herët sa Periudha I Naqada, egjiptianët paradinastikë importonin obisidian nga Etiopia, që përdorej për t’i dhënë formë majave të armëve dhe objekteve të tjera nga leskërit.[14] Në një periudhë rreth 1000 vjeçare, kultura Naqada u zhvillua nga disa komunitete të vogla bujqësore në një qytetërim të fuqishëm liderët e së cilës ishin në kontroll të plotë të njerëzve dhe burimeve të luginës së Nilit.[15] Duke vendosur një qendër pushteti në Hierakonpolis dhe më vonë në Abidos, liderët e Naqada III zgjeruan kontrollin e tyre të Egjiptit drejt veriut përgjatë Nilit.[16] Ata gjithashtu kryenin tregti me Nubinë në jug, me oazet e shkretëtirës perëndimore në perëndim dhe me kulturat mesdhetare lindore në lindje.[16]

Kultura Naqada prodhonte një larmi të mirash materiale, tregues i pasurisë dhe pushtetit në rritje të elitës, si edhe mjeteve të përdorimit personal social, si krehërë, statuja të vogla, qeramikë të pikturuar, vazo guri dekorative të cilësisë së lartë, mjete kozmetike dhe bizhuteri të bëra nga ari, lazuli dhe fildishi. Ata zhvilluan edhe lustrën qeramike të njohur si fajanca dhe është përdorur deri në periudhën romake për të dekoruar filxhanë, hajmali dhe figurina.[17] Gjatë fazës së fundit paradinastike, kultura Naqada filloi përdorimin e simboleve të shkrimit që më vonë evoluan në sistemin e plotë të hieroglifeve të përdorura për të shkruar në gjuhën e lashtë egjiptiane.[18]

Periudha e Hershme Dinastike Redakto

 
Paleta Narmer paraqet bashkimin e Dy Tokave.[19]

Në shekullin e 3-të p.e.r prifti Manetho e grupoi listën e gjatë të faraonëve nga Menesi në kohën e tij në 30 dinasti, një sistem i përdorur edhe sot.[20] Ai vendosi ta fillojë historinë zyrtare të tij me një mbret të quajtur "Meni" (ose Menes në greqisht) i cili mendohet të ketë bashkuar dy mbretëritë e Egjiptit të Sipërm dhe Egjiptit të Ulët (rreth 3100 p.e.r).[21] Tranzicioni në një shtet të bashkuar mund të ketë ndodhur më gradualisht se ç’thonë shkrimtarët e lashtë egjiptianë dhe nuk ka asnjë provë bashkëkohore të Menesit. Disa studiuesë tani besojnë, megjithatë, se Menesi mitik mund të ketë qenë faraoni Narmer, që paraqitet veshur me rroba dhe shenja mbretërore në Paletën Narmer si simbol i aktit të bashkimit.[22]

Në Periudhën e Hershme Dinastike rreth 3150 p.e.r, Të parët nga faraonët Dinastikë forcuan sundimin tyre mbi Egjiptin e Ulët duke vendosur për kryeqytet Memfisin, nga i cili mund të kontrollonin forcën punëtore dhe bujqësinë e rajonit pjellor të deltës ashtu si dhe rrugët tregtare të rëndësishme e fitimprurëse për në Levant. Fuqia dhe pasuria në rritje e faraonëve gjatë periudhës së hershme dinastike reflektohet në varret e ndërlikuara të quajtura mastaba dhe strukturat e kultit të përmortshëm në Abidos, të cilat lartësonin faraonin e hyjnizuar pas vdekjes.[23] Institucioni i fuqishëm i mbretërisë që u zhvillua nga faraonët shërbente për të legjitimizuar kontrollin e shtetit mbi tokën, punën dhe burimet thelbësore për mbijetesën dhe rritjen e qytetërimit të lashtë egjipt.Egjipti është një qytetërim I lashtëNë Periudhën e Hershme Dinastike rreth 3150 p.e.r, Të parët nga faraonët Dinastikë forcuan sundimin tyre mbi Egjiptin e Ulët duke vendosur për kryeqytet Memfisin, nga i cili mund të kontrollonin forcën punëtore dhe bujqësinë e rajonit pjellor të deltës ashtu si dhe rrugët tregtare të rëndësishme e fitimprurëse për në Levant. Fuqia dhe pasuria në rritje e faraonëve gjatë periudhës së hershme dinastike reflektohet në varret e ndërlikuara të quajtura mastaba dhe strukturat e kultit të përmortshëm në Abidos, të cilat lartësonin faraonin e hyjnizuar pas vdekjes.[23] Institucioni i fuqishëm i mbretërisë që u zhvillua nga faraonët shërbente për të legjitimizuar kontrollin e shtetit mbi tokën, punën dhe burimet thelbësore për mbijetesën dhe rritjen e qytetërimit të lashtë egjipt.

Mbretëria e Vjetër Redakto

 
Statujë me alabastër e MenkaurësMuzeun e Arteve të Bukura të Bostonit

Përparime të mahnitshme në arkitekturë, art dhe teknologji u bënë gjatë Mbretërisë së Vjetër, të nxitura nga prodhimtaria bujqësore në rritje e bërë e mundur nga një administratë qendrore e mirë-organizuar.[24] Nën drejtimin e vezirit, zyrtarët e shtetit mblidhnin taksat, koordinonin projektet vaditëse për të përmirësuar prodhimin e të korrave, zgjidhnin fshatarët për të punuar në projekte ndërtimi dhe vunë në funksionim një sistem drejtësie për të mbajtur në vend paqen dhe rendin.[25]

Së bashku me rëndësinë në rritje të kësaj administrate qendrore u ngrit edhe një klasë e re zyrtarësh dhe shkruesish të arsimuar të cilëve iu dhanë prona nga faraoni në shkëmbim të shërbimeve të tyre. Faraonët gjithashtu u lëshuan toka kulteve mortore dhe tempujve lokalë për të siguruar që këto institucione do të kishin burimet e mjaftueshme për të adhuruar faraonin edhe pas vdekjes së tij. Me fundin e Mbretërisë së Vjetër, pesë shekuj të këtyre praktikave feudale e kishin gërryer pak e nga pak pushtetin ekonomik të faraonit, i cili nuk ia vlente më të mbështeste këtë administratë të madhe të centralizuar.[26] Me rënien e pushtetit të faraonit, guvernatorët rajonalë të quajtur nomarkë filluan të sfidonin supremacinë e faraonit. Kjo, bashkë me thatësira të rënda mes viteve 2200 e 2150 p.e.r, [27] shkaktoi përfundimisht hyrjen e vendit në një periudhë 140 vjeçare urie të njohur si Periudha e Parë e Mesme.[28]

Periudha e Parë e Mesme Redakto

Pasi qeveria qendrore e Egjiptit u shkatërrua në fund të Mbretërisë së Vjetër, administrata nuk mundej më të mbështeste apo të stabilizonte ekonominë e vendit. Guvernatorët rajonalë nuk mund të mbështeteshin më te mbreti për ndihmë në kohë krizash dhe rrallimet e vazhdueshme të ushqimit dhe grindjet politike nxitën uri dhe luftëra civile në shkallë të vogël. Megjithë problemet e vështira, liderët lokalë, që nuk i paguanin më haraç faraonit, shfrytëzuan pavarësinë e re për të formuar një kulturë të lulëzuar në provinca. Pasi i vunë nën kontroll burimet e tyre, provincat u bënë më të pasura ekonomikisht—një fakt që demonstrohet nga varrime të mëdha dhe më të mira në të gjitha klasat shoqërore.[29] Në shpërthime krijimtarie, artizanët provincialë adoptuan dhe përshtatën motive kulturore që më përpara ishin të ndaluara nga pushteti mbretëror i Mbretërisë së Vjetër dhe shkruesit zhvilluan stile letrare që shfaqnin optimizëm dhe origjinalitet për periudhën.[30]

Të çliruar nga besnikëria ndaj faraonit, udhëheqësit vendorë filluan të konkurronin me njëri-tjetrin për kontroll territorial dhe pushtet politik. Në 2160 p.e.r sundimtarët në Herakleopolis kontrollonin Egjiptin e Poshtëm, kurse një klan rival me bazën në Tebë, familja Intef, mori kontrollin e Egjiptit të Sipërm. Ndërsa Intefët rrisnin pushtetin dhe zgjeronin kontrollin në veri, një përplasje mes dy dinastive rivale u bë e pashmangshme. Rreth 2055 p.e.r forcat tebane nën Nebhepetre Mentuhotep II përfundimisht mundën sundimtarët Herakleopolitanë, duke ribashkuar të Dy Tokat dhe duke inauguruar një periudhë të rilindjes ekonomike dhe kulturore të njohur si Mbretëria e Mesme.[31]

Mbretëria e Mesme Redakto

 
Amenemhat III, sundimtari i fundit i madh i Mbretërisë së Mesme

Faraonët e Mbretërisë së Mesme rikthyen begatinë dhe stabilitetin e vendit,duke nxitur një ringritje të artit, letërsisë dhe projekteve ndërtuese monumentale.[32] Mentuhotep II dhe pasardhësit e tij të Dinastisë së 11 sunduan nga Teba, por veziri Amenemhat I, qish sa u bë mbret në fillim të Dinastisë së 12-të rreth 1985 p.e.r, ndryshoi kryeqytetin e vendit në qytetin Ititaui, gjendur në Fajum.[33] Nga Ititaui, faraonët e Dinastisë së 12-të ndërmorën një bonifikim toke dhe një plan vaditje për të rritur prodhimtarinë bujqësore në rajon. Veç kësaj, ushtria ripushtoi Nubinë e pasur me miniera guri dhe ari, kurse punëtorët ndërtuan një strukturë mbrojtëse në Grykëderdhjen Lindore, e quajtur "Muret e Sunduesit", për tu mbrojtur nga sulmi i huaj.[34]

Pasi ishte siguruar siguria ushtarake dhe politike dhe pasuria e madhe bujqësore dhe minerare, popullsia e vendit, artet dhe feja lulëzuan. Në kontrast me mentalitetin elitist të Mbretërisë së Vjetër kundrejt zotave, Mbretëria e Mesme përjetoi një rritje në shprehje të devocionit personal që do të quhej një demokratizim i pasjetës, në të cilin të gjithë njerëzit zotëronin një shpirt dhe mund të pranoheshin me kënaqësi në praninë e zotave pas vdekjes.[35] Letërsia e Mbretërisë së Mesme përmbante tema të sofistikuara të shkruara në stil elokuent dhe plot besim,[30] dhe basorelievët dhe skulpturat e portreteve të periudhës kapnin detaje të holla, individuale që arrinin maja të reja në perfeksionin teknik.[36]

Sunduesi i fundit i madh i Mbretërisë së Mesme, Amenemhat III, i lejoi kolonët aziatikë të qëndronin në rajonin e deltës e të jepnin krah pune të mjaftueshëm sidomos për minimin dhe ndërtimin. Megjithatë, këto ndërtesa ambicioze dhe aktivitete minimi, kombinuar me përmbytje të pamjaftueshme të Nilit në fund të sundimit të tij, e frenuan ekonominë dhe shpejtuan rënien e ngadaltë gjatë Dinastive të 13-ta dhe 14-ta duke e drejtuar Egjiptin për në Periudhën e Dytë të Mesme. Gjatë kësaj rënieje, kolonët e huaj aziatikë (Hyksosët) filluan të konsolidonin kontrollin e rajonit të deltës, duke fituar pushtetin në Egjipt.[37]

Periudha e Dytë e Mesme dhe Hyksosët Redakto

Rreth 1785 p.e.r, me rënien e pushtetit të faraonëve të Mbretërisë së Mesme, emigrantët aziatikë që jetonin në qytezën e Deltës Lindore Avaris morën kontrollin e rajonit dhe detyruan qeverinë qendrore të tërhiqej në Tebë, ku faraoni trajtohej si vasal dhe ishte i detyruar që të paguante haraç.[38] Hyksosët ("sunduesit e huaj") imitonin modelet egjiptiane të qeverisë dhe e portretizonin veten si faraonë, duke integruar elementë egjiptianë në kulturën e tyre të Epokës së Mesme të Bronzit.[39]

Pas tërheqjes së tyre, mbretërit e Tebës e gjetën veten në kurth mes Hyksosve në veri dhe aleatëve nubianë të Hyksosve, mbretërisë së Kushit, në jug. Pas vitesh mosveprimi, Teba mblodhi aq fuqi sa të sfidonte Hyksosët në një konflikt që zgjati më shumë se 30 vjet, deri më 1555 p.e.r. [38] Faraonët Seqenenre Tao II dhe Kamose qenë përfundimisht të aftë të mundnin nubianët, por ishte pasardhësi i Kamoses, Ahmose I, i cili me sukses zhvilloi një seri fushatash që zhdukën njëherë e përgjithmonë prezencën e Hyksosve në Egjipt. Në Mbretërinë e Re që pasoi, ushtria u bë një prioritet kryesor për faraonët që kishin për qëllim të zgjeronin kufijtë e Egjiptit dhe të siguronin dominimin e tij të plotë në Lindjen e Afërme.[40]

 
Zgjerimi territorial maksimal i Egjiptit të lashtë (shekulli i 15-të p.e.r)

Mbretëria e Re Redakto

Faraonët e Mbretërisë së Re krijuan një periudhë mirëqenieje të pashembullt duke siguruar kufijtë e tyre dhe duke forcuar lidhjet diplomatike me fqinjët e tyre. Fushatat ushtarake nën udhëheqjen e Tutmosit I dhe nipit të tij Tutmosit III zgjeruan ndikimin e faraonëve nën perandorinë më të madhe që Egjipti kishte parë ndonjëherë. Kur Tutmosi III vdiq më 1425 p.e.r, Egjipti shtrihej nga Nija në veri të Sirisë në ujëvarën e katërt të Nilit në Nubi, duke forcuar besnikërinë ndaj tij dhe lejuar importimin e materialeve shumë të rëndësishme si bronzi dhe druri.[41] Faraonët e Mbretërisë së Re filluan një fushatë ndërtuese të madhe për të lartësuar perëndinë Amun, kulti në rritje i të cilit e kishte bazën në Karnak. Ata gjithashtu ndërtuan monumente për të lartësuar arritjet e tyre, edhe ato reale, edhe ato imagjinare. Faraonia Hatshepsut përdori këtë propagandë për të përligjur pretendimin e saj për fronin.[42] Sundimi i saj i suksesshëm shquhet nga ekspeditat tregtare në Punt, ndërtimi i një tempulli mortor elegant, i një palë obeliskësh kolosalë dhe i një faltoreje në Karnak. Megjithë arritjet e saj, nipi-thjeshtër i Hatshepsutit, Tutmosi III, u përpoq të shuante atë që ajo la pas në fund të sundimit të tij, mundësisht si shpagim për uzurpimin e fronit të tij.[43]

 
Katër statuja kolosale të Ramsesit II në anët e tempullit të tij Abu Simbel.

Rreth 1350 p.e.r, stabiliteti i Mbretërisë së Re u kërcënua kur Amenhotep IV hipi në fron dhe ndërmori një seri reformash radikale dhe kaotike. Duke ndryshuar emrin e tij në Akhenaten, ai e emëroi perëndinë gati të panjohur të diellit Aten si perëndinë supreme, ndaloi adhurimin e perëndive të tjera dhe sulmoi pushtetin e priftërinjve.[44] Duke zhvendosur kryeqytetin në qytetin e ri të Akhenatenit (Amarna e ditëve të sotme), Akhenateni e bëri veshin shurdh ndaj politikës së jashtme dhe u thith plotësisht në stilin e tij të ri artistik e fetar. Pas vdekjes së tij, kulti i Atenit u braktis shpejt dhe faraonët e ardhshëm Tutankhamun, Aj dhe Horemheb fshinë të gjitha referimet e herezisë së Akhenatenit, tanimë e quajtur Periudha e Amarnës.[45]

Rreth 1279 p.e.r, Ramsesi II, i njohur gjithashtu edhe si Ramses i Madh, hipi në fron dhe ndërtoi më shumë tempuj, ngriti më shumë statuja dhe obeliske dhe ishte baba i më shumë fëmijëve se çdo faraon tjetër.[46] Një lider ushtarak i guximshëm, Ramsesi II e udhëhoqi ushtrinë e tij kur Hititëve në Betejën e Kadeshit dhe, pas një barazimi, më në fund pranoi firmosjen e traktatit të parë të paqes në histori rreth 1258 p.e.r.[47] Pasuria e Egjiptit, megjithatë, e bënte një vend shumë të dëshirueshëm për tu pushtuar, sidomos nga libianët dhe Popujt e Detit. Fillimisht, ushtria qe e aftë të prapësonte këto përpjekje pushtimi, por Egjipti përfundimisht humbi kontrollin mbi Sirinë e Palestinën. Efekti i kërcënimeve të jashtme u rëndua edhe nga probleme të brendshme si korrupsioni, vjedhja e varreve dhe trazirat civile. Priftërinjtë e lartë në tempullin e Amunit në Tebë mblodhën një sasi të madhe pasurie e tokash dhe fuqia e tyre në rritje e përçau vendin gjatë Periudhës së Tretë të Mesme.[48]

 
Rreth 730 p.e.r libianët nga perëndimi përçanë unitetin politik të vendit.

Periudha e Tretë e Mesme Redakto

Pas vdekjes së Ramsesit XI në 1078 p.e.r, Smendesi mori kontrollin e Egjiptit verior, duke drejtuar nga qyteti i Tanisit. Jugu efektivisht kontrollohej nga Priftërinjtë e Lartë Tebanë të Amunit, të cilët e njihnin Smendesin vetëm me emër.[49] Gjatë kësaj kohe, libianët kishin filluar të vendoseshin në deltën perëndimore dhe kryetarët e këtyre kolonëve filluan të rrisnin shkallën e autonomisë. Princërit libianë morën kontrollin e deltës nën Shoshenkun I në 945 p.e.r, duke themeluar të ashtëquajturën dinasti libiane ose Bubastite që sundoi për më shumë se 200 vjetë. Shoshenku gjithashtu fitoi kontrollin e Egjiptit jugor duke i vendosur anëtarët e vet të familjes në pozicione të rëndësishme priftërore. Kontrolli libian filloi të gërryhej kur u ngrit një dinasti rivale në deltë në Leontopolis dhe Kushitët i kërcënonin nga jugu.

I nisur nga një mijëvjeçar ndërveprimesh (tregti, akulturim, pushtim, asimilim dhe luftë[50]) me egjiptianët e <Veriut,[51] mbreti i Kushit Pije la atdheun shpirtëror në Napata dhe pushtoi Egjiptin Verior rreth 727 p.e.r. Pije lehtësisht siguroi kontrollin e Tebës dhe më vonë edhe të Deltës[52] dhe shënoi këtë episod në stelën e tij të fitores. Pije la vendin për dinastinë e 25-të të faraonëve,[53] si Taharka, për të ribashkuar "Dy tokat" e Egjiptit Verior dhe Jugor. Perandoria e ribashkuar e luginës së Nilit ishte po aq e madhe sa ajo e Mbretërisë së Re. Dinastia e 25-të qe një periudhe rilindjeje për Egjiptin e lashtë.[54] Feja, artet dhe arkitektura u rikthyen në format e lavdishme të Mbretërisë së Vjetër, së Mesme dhe së Re. Faraonë si Taharka, ndërtuan ose restauruan tempuj dhe monumente përgjatë luginës së Nilit, përfshirë në Memfis, Karnak, Kava, Jebel Barkal, etj.[55] Ishte gjatë dinastisë së 25-të që lugina e Nilit pa ndërtimin më të shumtë të piramidave (shumë prej të cilave në Sudanin modern)që nga Mbretëria e Mesme.[56][57][58]

Prestigji i Egjiptit ra shumë në fund të Periudhës së Tretë të Mesme. Aleatët e huaj kishin rënë në sferën e ndikimit asirian dhe në 700 p.e.r lufta mes dy vendeve u bë e pashmangshme. Ndërmjet 671 dhe 667 p.e.r asirianët filluan sulmin e tyre në Egjipt. Sundimi i mbretërve kushianë Taharka dhe pasardhësit të tij Tantamun, qenë të mbushura me konflikt të vazhdueshëm me asirianët, kundër të cilëe sunduesit nubianë (kushianë) gëzuan disa fitore.[59] Përfundimisht, asirianët i shtynë kushianët prapa në Nubi, pushtuan Memfisin dhe plaçkitën tempullin e Tebës.[60]

 
Dinastia e 25-të

STIKA E SHENJTE Redakto

Pa plane përfundimtare për pushtim, asirianët ia lanë kontrollin e Egjiptit një serie vasalësh që u quajtën mbretërit Saitë, të Dinastisë së Njëzet e Gjashtë. Në 653 p.e.r, mbreti Sait Psamtik I qe i aftë të mundte asirianët me ndihmën e mercenarëve grekë, të cilët u rekrutuan për të formuar marinën e parë të Egjiptit. Ndikimi grek u rrit shumë dhe qyteti i Naukratisit u bë shtëpia e grekëve në deltë. Mbretërit Saitë me bazë në kryeqytetin e ri Sais qenë dëshmitarë të një ringjalljeje të shkurtër por të vrullshme ekonomike dhe kulturore, por në 525 p.e.r, persët e fuqishëm, të drejtuar nga Kambisi II filluan fushatën për pushtimin e Egjiptit, duke kapur faraonin Psamtik III në betejën e Pelusiumit. Kambisi II mori titullin formal të faraonit, por sundoi Egjiptin nga shtëpia e tij në Susa, duke e lënë Egjiptin në kontroll të një satrapie. Disa revolta të suksesshme kundër persëve u kryen në shekullin e 5-të p.e.r, por Egjipti nuk qe asnjëherë i aftë të hidhte poshtë përfundimisht persët.[61]

Pas pushtimit nga Persia, Egjipti u bashkua me Qipron dhe Fenikinë në satrapinë e gjashtë të Perandorisë Perse Akemenide. Periudha e parë e sundimit pers në Egjipt, e njohur gjithashtu si dinasatia e Njezet e Shtatë, përfundoi më 402 p.e.r dhe nga 380-343 p.e.r, Dinastia e Tridhjetë sundoi si dinastia e fundit mbretërore vendase e Egjiptit dinastik, e cila përfundoi me mbretërimin e Nektanebo II. Një rikthim i shkurtër i sundimit pers, i njohur nga disa si Dinastia e Tridhjetë e Një, filloi më 343 p.e.r dhe pak më vonë, më 332 p.e.r, sunduesi pers Mazakes ia dorëzoi Egjiptin Aleksandrit të Madh pa asnjë luftim.[62]

Dinastia Ptolemaike Redakto

Në 332 p.e.r, Aleksandri i Madh pushtoi Egjiptin me pak rezistencë nga persët dhe u mirëprit nga egjiptianët si çlirimtar. Administrata e vendosur nga pasardhësit e Aleksandrit, Ptolemejtë, u bazua në modelin egjiptian dhe në kryeqytetin e ri të Aleksandrisë. Qyteti shfaqte fuqinë dhe prestigjin e sundimit grek dhe u bë një vend i mësimit dhe kulturës, me qendër të famshmen bibliotekë të Aleksandrisë.[63] Fari i Aleksandrisë ndriçonte rrugën për shumë anije që kryenin tregti në qytet —Ptolemejtë bënë tregtinë dhe ndërmarrjet fitimprurëse, si prodhimi i papirusit, prioritetin e tyre kryesor.[64]

Kultura greke nuk u vendos mbi kulturën vendase egjiptiane, ngaqë Ptolemejtë nderuan traditat në një përpjekje për të siguruar besnikërinë e popullatës. Ata ndërtuan tempuj të rinj në stil egjiptian, mbështetën kultet tradicionale dhe e portretizonin veten si faraonë. Disa tradita u shkrinë, perënditë greke dhe egjiptiane u sinkretizuan në perëndi të përziera, si Serapisi, dhe format e lashta greke të skulpturës ndikuan mbi motivet tradicionale egjiptiane. Megjithë përpjekjet për të kënaqur egjiptianët, Ptolemejtë u përballën me rebelime vendase, rivalitete të shumta brenda familjes dhe me bandën e fuqishme të Aleksandrisë që u formua pas vdekjes së Ptolemit IV.[65] Përveç kësaj, meqënëse Roma e lashtë mbështetej shumë në importet e grurit nga Egjipti, romakët u interesuan shumë për situatën politike të vendit. Revolta të vazhdueshme egjiptiane, politikanë ambiciozë dhe kundërshtarë të fortë sirianë e bënë situatën të paqëndrueshme, dhe Roma dërgoi forcat e saj për ta bërë vendin provincë të perandorisë së saj.[66]

Periudha romake Redakto

 
Portretet mumje të Fajumit mishërojnë takimin e kulturave romake dhe egjiptiane.

Egjipti u bë një provincë e perandorisë romake në 30 p.e.r, pas mundjes së Mark Antonit dhe mbretëreshës Ptolemaike Kleopatra VII nga Oktaviani (më vonë perandori romak Augustus) në betejën e Akciumit. Romakët mbështeteshin shumë në importet e grurit nga Egjipti dhe ushtria romake, nën kontrollin e një prefekti të emëruar nga perandori, shtypën rebelimet, zbatuan rreptësisht mbledhjen e taksave të rënda dhe parandaluan sulmet nga banditët, që ishin bërë problem madhor gjatë periudhës.[67] Aleksandria u bë gjithnjë e më shumë një qendër e rëndësishme e rrugës tregtare me orientin, duke qenë se lukset ekzotike kërkoheshin shumë në Romë.[68]

Megjithëse romakët kishin një qëndrim më armiqësor se grekët ndaj egjiptianëve, disa tradita si mumifikimi dhe lutja ndaj perëndive tradicionale vazhduan.[69] Arti i portretit të mumjes lulëzoi dhe disa nga perandorët romakë e paraqisnin veten si faraonë, megjithëse jo në atë shkallë si Ptolemejtë. Të parët jetonin jashtë Egjiptit dhe nuk kryenin funksionet ceremoniale të mbretërimit egjiptian. Administrata lokale u bë romake në stil, por vetëm për vendasit.[69]

Nga mesi i shekullit të parë, Krishtërimi u rrënjos në Aleksandri, fillimisht i parë si një kult tjetër i pranueshëm. Megjithatë, Krishtërimi ishte një fe pa kompromis e cila kërkonte të kthente paganët dhe kërcënonte traditat fetare popullore. Kjo çoi në persekutimin e të ktheyrve në të krishterë, duke patur kulmin me persekutimet e Dioklecianit që filluan në 303, por pëfundimisht Krishtërimi fitoi.[70] Në 391 perandori i krishterë Teodhosi prezantoi legjislacionin që ndalonte ritet pagane dhe mbyllte tempujt.[71] Aleksandria u bë skenë e grindjeve të mëdha anti-pagane dhe simbole fetare private dhe publike u shkatërruan.[72] Si pasojë, kultura pagane e Egjiptit ishte vazhdimisht në rënie. Ndërsa popullsia vendase vazhdonte të fliste gjuhën e saj, aftësia për të lexuar shkrimin hieroglifik u zhduk ngadalësisht me rënien e rolit të priftërinjve e priftëreshave të tempujve egjiptianë. Tempujt vetë u kthyen në kisha ose u braktisën në shkretëtira.[73]

Qeveria dhe ekonomia Redakto

Administrata dhe tregtia Redakto

 
Faraoni paraqitej i veshur me simbole mbretërore dhe pushteti.

Faraoni ishte monarku absolut i vendit dhe, të paktën në teori, zotëronte kontroll të plotë mbi tokat dhe burimet e tij. Mbreti ishte komandanti ushtarak suprem dhe kryetar i qeverisë, e cila mbështetej në një burokraci zyrtarësh për të drejtuar punët. Në krye të administratës ishte i dyti në komandë, veziri, i cili vepronte si përfaqësues i mbretit dhe koordinonte studimin e tokave, thesarin, projektet ndërtuese, sistemin ligjor dhe arkivat.[74] Në një nivel rajonal, vendi ishte i ndarë në 42 rajone administrative të quajtura nome secila të qeverisura nga një nomark, i cili ishte përgjegjës ndaj vezirit për aq pushtet sa kishte. Tempujt egjiptianë ishin shtylla kurrizore e ekonomisë. Jo vetëm që ishin vende lutjeje por ishin të përgjegjshme edhe për mbledhjen dhe ruajtjen e pasurisë së vendit në një sistem hambaresh dhe thesaresh të administruara nga mbikqyrës, që rishpërndanin grurin dhe mallrat.[75]

Ekonomia ishte e centralizuar dhe kontrolluar rreptësisht. Ndonëse egjiptianët e lashtë nuk përdorën monedha deri në Periudhën e Vonë, ata përdornin një sistem paraje-trami,[76] me standart thasët e grurit dhe debenin, që peshonte 91 gram bakër ose argjend, duke formuar një emërues të përbashkët.[77] Punëtorët paguheshin në grurë; një punëtor i thjeshtë mund të fitonte 5½ thasë (200 kg) gruri për muaj, kurse një kryepunëtor mund të fitonte 7½ thasë (250 kg). Çmimet ishin të fiksuara në të tërë vendin dhe të mbajtura në lista për të lehtësuar tregtinë; për shembull një këmishë kushtonte pesë deben bakër, kurse një lopë kushtonte 140 deben.[77] Gruri mund të tregtohej me mallra të tjera, sipas listës së çmimeve të vendosura.[77] Gjatë shekullit të 5-të p.e.r monedhat u futën në Egjipt nën ndikim nga jashtë vendit. Fillimisht monedhat përdoreshin për të standardizuar pjesët e gurëve të çmuar sesa për para të vërtetë, por në shekujt në vazhdim tregtarët ndërkombëtarë mbështeteshin vetëm në monedha.[78]

Statusi shoqëror Redakto

Shoqëria egjiptiane ishte shumë e shtresëzuar dhe statusi shoqëror shfaqej haptazi. Bujqit përbënin shumicën e popullsisë, por prodhimi bujqësor ishte në pronësi të drejtpërdrejtë nga shteti, tempujt ose familjet fisnike që e kishin nën zotërim tokën.[79] Gjithashtu, bujqit ishin të detyruar të paguanin një taksë pune e të punonin në projekte ndërtimi dhe vaditjeje në angari.[80] Artistët dhe artizanët ishin të një statusi më të lartë se bujqit, por edhe ata ishin nën kontrollin e shtetit, duke punuar në studio të lidhura me tempujt dhe të paguar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga thesari i shtetit. Shkruesit dhe zyrtarët formonin klasën e sipërme në Egjiptin e lashtë, të ashtëquajturit "klasa e fustanellës së bardhë" në lidhje me veshjen e tyre të bardhë prej liri, që i dallonte nga klasat e tjera.[81] Klasa e sipërme e shfaqte statusin e saj shoqëror dukshëm në art dhe letërsi. Mbrapa fisnikërisë vinin priftërinjtë, mjekët dhe inxhinierët të specializuar në fushën e tyre. Skllavëria ishte e njohur për Egjiptin e lashtë, por shkalla dhe përhapja e kësaj praktike mbetet e paqartë.[82]

 
Rrahja e skllevërve në Egjiptin e lashtë.

Egjiptianët e lashtë i shihnin burrat dhe gratë, nga të gjitha klasat shoqërore përjashtuar skllevërit, si të barabartë me ligjin, madje edhe fshatari më i ulët kishte të drejtën e peticionit ndaj vezirit dhe gjykatës së tij për korrigjim të vendimit.[83] Si burrat, si gratë kishin të drejtë të kishin prona e t'i shisnin ato, kishin të drejtë të martoheshin e divorcoheshin, të merrnin trashëgimi dhe të ndiqnin një çështje ligjore në gjyq. Çiftet e martuara mund të zotëronin prona sëbashku dhe të mbronin veten nga divorci nëpërmjet kontratave martesore, të cilat përcaktonin detyrimet financiare të burrit ndaj gruas dhe fëmijëve të tij nëse martesës do t'i vinte fundi. Krahasuar me qytetërimet e tjera në Greqinë e lashtë, Romë dhe të tjera vende më moderne në botë, gratë e Egjiptit të lashtë kishin më shumë mundësi për të arritur diçka dhe më shumë zgjedhje personale. Gra si Hatshepsut dhe Kleopatra u bënë edhe faraone, kurse të tjera ushtruan pushtet si Gratë Hyjnore të Amunit. Megjithë këto liri, gratë e Egjiptit të lashtë nuk merrnin shpesh role zyrtare në administratë, duke shërbyer vetëm në role dytësore në tempuj dhe nuk ishin aq të arsimuara sa burrat.[84]

 
Shkruesit ishin pjesë e elitës dhe ishin të mirë-arsimuar. Ata caktonin shumën e taksave, mbanin të dhënat dhe ishin të përgjegjshëm për administratën.

Sistemi ligjor Redakto

Zyrtarisht, në krye të sistemit ligjor ishte faraoni, i cili kishte përgjegjësi të miratonte ligje, të sillte drejtësinë dhe të ruante të ligjin dhe rendin, një koncept që egjiptianët e lashtë e quanin Ma'at.[74] Ndonëse asnjë kod ligjor nuk ka mbijetuar nga Egjipti i lashtë, dokumentet e gjykatave tregojnë se ligji egjiptian bazohej në arsyen e shëndoshë që dallonte të drejtën nga e gabuara dhe theksonte zgjidhjen e konfliktit duke arritur një marrëveshje sesa përmbahej rreptësisht në një set të ndërlikuar statutesh.[83] Këshilli vendor i pleqve, i njohur si Kenbet në Mbretërinë e Re, kishte përgjegjësi zgjidhjen e çështjeve të vogla.[74] Çështje më seriozë si vrasjet, transaksionet e mëdha të pronave dhe grabitjet e varreve shkonin te Kenbeti i Madh, në krye të së cilit qëndronte veziri. Paditësit dhe të pandehurit priteshin të përfaqësonin veten dhe ishin të detyruar të betoheshin se do të thoshin të vërtetën. Në disa raste, shteti merrte edhe rolin e prokurorit, edhe atë të gjykatësit dhe mund ta torturonte të akuzuarin duke e rrahur për të marrë një rrëfim dhe emra të bashkë-fajtorëve. Si kur akuzat ishin të vogla ose serioze, shkruesit e gjykatës dokumentonin ankesën, dëshminë dhe verdiktin e çështjes për tu marrë si referencë në të ardhmen.[85]

Dënimet për krimet e vogla përfshinin gjobitje, rrahje, sakatim të fytyrës ose dëbim, në varësi të ashpërsisë së shkeljes. Krimet serioze si vrasja dhe grabitja e varreve dënoheshin me ekzekutim, i cili ishte prerje koke, mbytje ose shpimi i kriminelit në një hu. Dënimet mund të zgjateshin edhe te familja e kriminelit.[74] Duke filluar nga Mbretëria e Re, orakujt luanin një rol të madh në sistemin ligjor, duke zbatuar drejtësinë në çështje kriminale dhe civile. Procedura ishte t'i pyetej zotit një pyetje "po" ose "jo" nëse çështja ishte e drejtë ose e gabuar. Zoti, i mbajtur nga disa priftërinj, jepte gjykimin e tij duke zgjedhur një nga përgjigjet e shkruara në një letër papirusi ose duke lëvizur para apo mbrapa.[86]

Bujqësia Redakto

 
Një basoreliev varri paraqet punëtorë që plugojnë fushat, korrin prodhimet bujqësore dhe shijnë grurin nën udhëzimin e një mbikqyrësi.

Një përzierje e tipareve të favorshme gjeografike ndihmoi në suksesin e kulturës së lashtë egjiptiane, ku më i rëndësishmi tipar ishte toka pjellore që vinte si pasojë e përmbytjeve të lumit Nil. Egjiptianët e lashtë qenë pra të aftë të prodhonin një tepri ushqimi, duke lejuar popullsinë t’i kushtonte më shumë kohë dhe burime ngritjes së kulturës, teknologjisë dhe artit. Administrimi i tokës ishte jetësor në Egjiptin e lashtë sepse taksat caktoheshin në varësi të sasisë së tokës që një person zotëronte.[87]

Bujqësia në Egjipt ishte e varur nga cikli i lumit Nil. Egjiptianët njihnin tre stinë: Akhet (stina e përmbytjeve), Peret (stina e mbjelljes), dhe Shemu (stina e korrjes). Stina e përmbytjeve zgjaste nga qershori në shtator, duke depozituar në brigjet e lumit një shtresë balte të pasur me minerale ideale për rritjen e të korrave. Pasi përmbytjet ishin pakësuar, stina e rritjes zgjaste nga tetori në shkurt. Bujqit plugonin dhe mbllnin farëra në fusha, të cilat vaditeshin me kanale. Egjipti kishte pak reshje shiu, kështu që bujqit mbështeteshin në ujin e Nilit për të vaditur të korrat.[88] Nga Marsi në Maj, bujqit përdornin drapërinjtë për të korrur prodhimet e tyre bujqësore, të cilat më vonë i shinin me një rrahës drithi për të ndarë kashtën nga drithi. Shoshitja hiqte mbeturinat nga drithi dhe pastaj ai bluhej në miell, i cili përdorej për të bërë birrë ose ruhej për përdorim të mëvonshëm.[89]

Egjiptianët e lashtë kultivonin grurin foragjer dhe elbin dhe disa drithëra të tjera, të cilat përdoreshin të gjitha për të bërë dy ushqimet kryesore, bukën dhe birrën.[90] Bimët e lirit, që çrrënjoseshin përpara se të lulëzonin, rriteshin për fibrat e kërcellit të tyre. Këto fibra ndaheshin sipas gjatësisë dhe përdoreshin si fill për tjerrje, me të cilat pastaj endeshin veshjet prej liri. Papirusi, që rritej në brigjet e Nilit, përdorej për të bërë letër. Frutat dhe perimet rriteshin në kopshte, pranë vendbanimeve dhe në toka më të larta, dhe ujiteshin me dorë. Te perimet dhe frutat përfshiheshin preshi, qepa, bostani, kungulli, bishtaja, marulja dhe prodhime të tjera bujqësore, plus rrushi që duhej për të bërë verën.[91]

 
Sennexhemi plugon fushat e veta me dy qe, që shërbejnë për të ngarkuar pesha dhe si burim ushqimi.

Kafshët Redakto

Egjiptianët besonin se një marrëdhënie e shëndoshë mes njerëzve dhe kafshëve ishte një element thelbësor i rendit kozmik; prandaj njerëzit, kafshët dhe bimët besoheshin se ishin njësh sëbashku.[92] Kafshët, si të zbuturat, si të egrat, ishin kësisoj një burim jetësor shpirtëror, shoqëror dhe sigurisht ushqimor për egjiptianët e lashtë. Gjedhët ishin bagëtia më e rëndësishme; administrata mblidhte taksa për bagëtinë gjatë regjistrimeve të shpeshta të popullsisë dhe sasia e kopesë përcaktonte prestigjin dhe rëndësinë e pronës apo tempullit që i zotëronte ato. Përveç gjedhëve, egjiptianët e lashtë mbanin edhe dele, dhi dhe derra. Shpendë si rosat, patat dhe pëllumbat kapeshin në rrjeta dhe shumoheshin në ferma, ku ato ushqeheshin me forcë për t’i majmur.[93] Nili ofronte një burim plot me peshq. Bletët gjithashtu janë zbutur të paktën që nga Mbretëria e Vjetër dhe siguronin mjalt dhe dyllë.[94]

Egjiptianët e lashtë përdornin gomerët dhe qetë si kafshë pune për të pluguar tokat dhe për të shkelur farën në tokë. Therja e qeve të majmur ishte një pjesë shumë e rëndësishme e ritualeve të dhënies.[93] Kuajt u prezantuan nga Hyksosët në Periudhën e Dytë të Mesme dhe devetë, ndonëse të njohura në Mbretërinë e Re, filluan të përdoreshin si kafshë pune vetëm në Periudhën e Vonë. Ka gjithashtu prova se elefantët u përdorën për një kohë të shkurtër në Periudhën e Vonë, por u braktisën se mungonin kullota.[93] Qentë, macet dhe majmunët ishin kafshë të shtëpiake të zakonta, kurse kafshë shtëpiake të tjera më ekzotike, si luanët, importoheshin nga qendra e Afrikës dhe ishin të rezervuar vetëm për familjen mbretërore. Herodoti vëzhgoi se egjiptianët ishin i vetmi popull i cili i mbante kafshët e tyre në shtëpi.[92] Gjatë periudhave Paradinastike dhe të Vonë, adhurimi i perëndive në formën e tyre të kafshëve ishte shumë popullor, si perëndesha mace Bastet dhe perëndia ibis Tot, dhe këto kafshë shumoheshin në numra të mëdhenj në ferma për tu sakrifikuar në rituale fetare.[95]

Burimet natyrore Redakto

Egjipti është i pasur në gur ndërtues e dekorativ, bakër dhe xeherorë, ar dhe gurë gjysmë të çmueshëm. Këto burime natyrore u lejuan egjiptianëve të lashtë të ndërtonin monumente, të skulptonin statuja, të krijonin vegla dhe bizhuteri.[96] Balsamuesit përdornin kripëra nga uadi El Natruni për mumifikim, vend nga ku merrnin gjitthashtu gipsin për të bërë allçinë.[97] Formacione guri që përmbanin xeherorë u gjetën në uade të largëta, jomiqësore në shkretëtirën lindore dhe Sinai, që kërkonte ekspedita të mëdha, të kontrolluara nga shteti për të marrë burimet natyrore të gjendura atje. Kishte miniera ari të shumta në Nubi dhe një nga hartat e para të njohura është e një miniere ari në këtë rajon. Uadi Hammamat ishte një burim i shquar për granitin dhe arin. Stralli ishte minerali i parë që u mblodh dhe u përdor për të bërë vegla dhe sëpatat prej stralli janë një nga provat e para të banimit në luginën e Nilit. Copëzat e mineralit zhvoshkeshin me kujdes për të bërë shpata dhe maja shigjetash të një fortësie dhe durueshmërie të mesme edhe pasi bakri u adoptua për këtë qëllim.[98] Egjiptianët e lashtë ishin nga të parët që përdorën minerale si squfuri si substanca kozmetike.[99]

 
Ekspedita tregtare e Hatshepsutit në Punt.

Tregtia e jashtme Redakto

Egjiptianët e lashtë kryenin tregti me fqinjët e jashtëm për të siguruar mallra të ralla, ekzotike që nuk gjendeshin në Egjipt. Në Periudhën paradinastike, ata vendosën marrëdhënie tregtare me Nubinë për të siguruar ar dhe temjan. Ata vendosën marrëdhënie tregtare edhe me Palestinën, so provë kanat e mbushura me vaj të stilit palestinez të gjetura në varret e faraonëve të Dinastisë së Parë.[100] Një koloni egjiptiane e vendosur në Kananin jugor i takon pak përpara Dinastisë së Parë.[101] Narmeri bëri që qeramika egjiptiane të prodhohej në Kanan dhe të eksportohej mbrapa në Egjipt.[102]

Deri nga Dinastia e Dytë, tregtia e egjiptianëve të lashtë me Biblosin sillte një sasi jetësore të lëndëve drusore të një cilësie që nuk mund të gjendej në Egjipt. Nga Dinastia e Pestë, Punti furnizonte Egjiptin me ar, rrëshira aromatike, abanoz, fildish dhe kafshë të egra si majmunë dhe babunë.[103] Egjipti mbështetej te Anadolli për sasi të rëndësishme të kallajit si dhe për furnizim suplementar me bakër, pasi të dy metalet ishin të nevojshme për prodhimin e bronzit. Egjiptianët e lashtë çmonin lapisin, që importohej nga Afganistani i largët. Tregtia mesdhetare e Egjiptit përfshinte Greqinë dhe Kretën, të cilat sillnin, ndërmjet mallrave të tjerë, vajin e ullirit.[104] Si shkëmbim për këto importe luksoze dhe materiale të papunuara, Egjipti eksportonte kryesisht drithëra, ar, copëra liri dhe papirus, shtuar këtyre edhe mallra të përfunduar si objekte prej qelqi dhe guri.[105]

Gjuha Redakto

Zhvillimi historik Redakto

 
Një fragment i papirusit të Anit që shfaq hieroglifet.

Gjuha egjiptiane është një gjuhë afro-aziatike veriore e lidhur ngushtë me gjuhët berbere dhe semitike.[106] Ka historinë e dytë më të gjatë nga të tërë gjuhët (pas asaj sumeriane), duke qënë e shkruar që nga 3200 p.e.r deri në mesjetë dhe duke vazhduar të jetë një gjuhë e folur edhe për më gjatë. Fazat e gjuhës së lashtë egjiptiane janë egjiptianishtja e vjetër, egjiptianishtja e mesme (klasike), egjiptianishtja e vonë, demotike dhe koptike.[107] Shkrimet egjiptiane nuk shfaqin ndonjë dallim dialektor përpara koptikes, por ka qenë me shumë mundësi e folur në dialekte rajonale në Memfis dhe më vonë në Tebë.[108]

Egjiptianishtja e lashtë ishtë një gjuhë sintetike, por u bë më analitike më vonë. [109] Hieroglifet egjiptiane dhe skriptet demotike u zëvendësuan nga alfabeti më fonetik koptik. Gjuha koptike akoma përdoret në liturgjinë e Kishës Ortodokse të Egjiptit dhe gjurmë të saj kanë mbetur në arabishten egjiptiane.[110]

Shënime Redakto

  1. ^ "Chronology". Digital Egypt for Universities, University College London. Marrë më 25 mars 2008. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Dodson (2004) p. 46
  3. ^ Clayton (1994) p. 217
  4. ^ James (2005) p. 8
  5. ^ Manuelian (1998) pp. 6–7
  6. ^ Clayton (1994) p. 153
  7. ^ James (2005) p. 84
  8. ^ Shaw (2002) p. 17
  9. ^ Shaw (2002) pp. 17, 67–69
  10. ^ Ikram, Salima (1992). Choice Cuts: Meat Production in Ancient Egypt. University of Cambridge. fq. 5. ISBN 978-90-6831-745-9. OCLC 60255819. Marrë më 22 korrik 2009. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!) LCCN 1997-140867
  11. ^ Hayes (1964) p. 220
  12. ^ Childe, V. Gordon (1953), "New light on the most ancient Near East" (Praeger Publications)
  13. ^ Patai, Raphael (1998), "Children of Noah: Jewish Seafaring in Ancient Times" (Princeton Uni Press)
  14. ^ Barbara G. Aston, James A. Harrell, Ian Shaw (2000). Paul T. Nicholson and Ian Shaw editors. "Stone," in Ancient Egyptian Materials and Technology, Cambridge, 5–77, pp. 46–47. Also note: Barbara G. Aston (1994). "Ancient Egyptian Stone Vessels," Studien zur Archäologie und Geschichte Altägyptens 5, Heidelberg, pp. 23–26. (See on-line posts: [1] and [2].)
  15. ^ "Chronology of the Naqada Period" (në anglisht). Digital Egypt for Universities, University College London. Marrë më 9 mars 2008.
  16. ^ a b Shaw (2002) p. 61
  17. ^ "Faience in different Periods". Digital Egypt for Universities, University College London. Marrë më 9 mars 2008. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  18. ^ Allen (2000) p. 1
  19. ^ Robins (1997) p. 32
  20. ^ Clayton (1994) p. 6
  21. ^ Shaw (2002) pp. 78–80
  22. ^ Clayton (1994) pp. 12–13
  23. ^ Shaw (2002) p. 70
  24. ^ James (2005) p. 40
  25. ^ Shaw (2002) p. 102
  26. ^ Shaw (2002) pp. 116–7
  27. ^ Fekri Hassan. "The Fall of the Old Kingdom" (në anglisht). British Broadcasting Corporation. Marrë më 10 mars 2008.
  28. ^ Clayton (1994) p. 69
  29. ^ Shaw (2002) p. 120
  30. ^ a b Shaw (2002) p. 146
  31. ^ Clayton (1994) p. 29
  32. ^ Shaw (2002) p. 148
  33. ^ Clayton (1994) p. 79
  34. ^ Shaw (2002) p. 158
  35. ^ Shaw (2002) pp. 179–82
  36. ^ Robins (1997) p. 90
  37. ^ Shaw (2002) p. 188
  38. ^ a b Ryholt (1997) p. 310
  39. ^ Shaw (2002) p. 189
  40. ^ Shaw (2002) p. 224
  41. ^ James (2005) p. 48
  42. ^ "Hatshepsut" (në anglisht). Digital Egypt for Universities, University College London. Marrë më 9 dhjetor 2007.
  43. ^ Clayton (1994) p. 108
  44. ^ Aldred (1988) p. 259
  45. ^ Cline (2001) p. 273
  46. ^ Nga dy gratë kryesore dhe haremi i madh, Ramsesi II qe baba i më shumë se 100 fëmijëve. Clayton (1994) p. 146
  47. ^ Tyldesley (2001) pp. 76–7
  48. ^ James (2005) p. 54
  49. ^ Cerny (1975) p. 645
  50. ^ Alberge, Dalya. "Tomb reveals Ancient Egypt's humiliating secret" (në anglisht). The Times, The Sunday Times. Marrë më 28 korrik 2003.
  51. ^ The Histories. Penguin Books. 2003. fq. 106–107, 133–134. ISBN 978-0-140-44908-2. {{cite book}}: |first= i mungon |last= (Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  52. ^ Shaw (2002) p. 345
  53. ^ The Histories. Penguin Books. 2003. fq. 151–158. ISBN 978-0-140-44908-2. {{cite book}}: |first= i mungon |last= (Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  54. ^ Diop, Cheikh Anta (1974). The African Origin of Civilization. Chicago, Illinois: Lawrence Hill Books. fq. 219–221. ISBN 1-55652-072-7. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  55. ^ Bonnet, Charles (2006). The Nubian Pharaohs. New York: The American University in Cairo Press. fq. 142–154. ISBN 978-977-416-010-3. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  56. ^ Mokhtar, G. (1990). General History of Africa. California, USA: University of California Press. fq. 161–163. ISBN 0-520-06697-9. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  57. ^ Emberling, Geoff (2011). Nubia: Ancient Kingdoms of Africa. New York: Institute for the Study of the Ancient World. fq. 9–11. ISBN 978-0-613-48102-9. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!); Shiko vlerën e |isbn=: shifra e kontrollit (Ndihmë!)
  58. ^ Silverman, David (1997). Ancient Egypt. New York: Oxford University Press. fq. 36–37. ISBN 0-19-521270-3. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  59. ^ ""The Kushite Conquest of Egypt", Ancient~Sudan: Nubia" (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 21 maj 2011. Marrë më 16 tetor 2011.
  60. ^ Shaw (2002) p. 358
  61. ^ Shaw (2002) p. 383
  62. ^ Shaw (2002) p. 385
  63. ^ Shaw (2002) p. 405
  64. ^ Shaw (2002) p. 411
  65. ^ Shaw (2002) p. 418
  66. ^ James (2005) p. 62
  67. ^ James (2005) p. 63
  68. ^ Shaw (2002) p. 426
  69. ^ a b Shaw (2002) p. 422
  70. ^ Shaw (2003) p. 431
  71. ^ "The Church in Ancient Society", Henry Chadwick, p. 373, Oxford University Press US, 2001, ISBN 0-19-924695-5
  72. ^ "Christianizing the Roman Empire A.D 100–400", Ramsay MacMullen, p. 63, Yale University Press, 1984, ISBN 0-300-03216-1
  73. ^ Shaw (2002) p. 445
  74. ^ a b c d Manuelian (1998) p. 358
  75. ^ Manuelian (1998) p. 363
  76. ^ Meskell (2004) p. 23
  77. ^ a b c Manuelian (1998) p. 372
  78. ^ Walbank (1984) p. 125
  79. ^ Manuelian (1998) p. 383
  80. ^ James (2005) p. 136
  81. ^ Billard (1978) p. 109
  82. ^ "Social classes in ancient Egypt" (në anglisht). Digital Egypt for Universities, University College London. Marrë më 11 dhjetor 2007.
  83. ^ a b Janet H. Johnson. "Women's Legal Rights in Ancient Egypt" (në anglisht). University of Chicago, 2004. Marrë më 31 gusht 2010.
  84. ^ A maintained BBC History article by Dr. Joann Fletcher (last updated 5Nov2009).
  85. ^ Oakes (2003) p. 472
  86. ^ McDowell (1999) p. 168
  87. ^ Manuelian (1998) p. 361
  88. ^ Nicholson (2000) p. 514
  89. ^ Nicholson (2000) p. 506
  90. ^ Nicholson (2000) p. 510
  91. ^ Nicholson (2000) pp. 577 and 630
  92. ^ a b Strouhal (1989) p. 117
  93. ^ a b c Manuelian (1998) p. 381
  94. ^ Nicholson (2000) p. 409
  95. ^ Oakes (2003) p. 229
  96. ^ Greaves (1929) p. 123
  97. ^ Lucas (1962) p. 413
  98. ^ Nicholson (2000) p. 28
  99. ^ C.Michael Hogan. 2011. Sulfur. Encyclopedia of Earth, eds. A.Jorgensen and C.J.Cleveland, National Council for Science and the environment, Washington DC
  100. ^ Shaw (2002) p. 72
  101. ^ Naomi Porat and Edwin van den Brink (editor), "An Egyptian Colony in Southern Palestine During the Late Predynastic to Early Dynastic," in The Nile Delta in Transition: 4th to 3rd Millennium BC (1992), pp. 433–440.
  102. ^ Naomi Porat, "Local Industry of Egyptian Pottery in Southern Palestine During the Early Bronze I Period," in Bulletin of the Egyptological, Seminar 8 (1986/1987), pp. 109–129. See also University College London web post, 2000.
  103. ^ Shaw (2002) p. 322
  104. ^ Manuelian (1998) p. 145
  105. ^ Harris (1990) p. 13
  106. ^ Loprieno (1995b) p. 2137
  107. ^ Loprieno (2004) p. 161
  108. ^ Loprieno (2004) p. 162
  109. ^ Loprieno (1995b) p. 2137-38
  110. ^ Vittman (1991) pp. 197–227

Referime Redakto

Lexim i mëtejshëm Redakto

Lidhje të jashtme Redakto