Etimologjia e termit "mjedis"
Termi “mjedis” ose “environment” e ka origjinën në Shkollën Gjeografike franceze. Pra, është një term relativisht i ri, i përdorur shumë rrallë nga shkencat natyrore në periudhën 1850-1950.
Në vitin 1923, ekologu anglez Artur Tansley e përdori këtë term të huazuar nga gjeografët francezë, në librin e tij “Ekologjia praktike e bimëve”, ndërsa në një libër të mëvonshëm, ai preferoi termin “habitat” për të përcaktuar kushtet rreth e qark, nga të cilat çdo qënie merr resurset e veta. Gradualisht, përgjatë viteve 1970, termi “mjedis” filloi të përdorej gjerësisht në opinion. Është që prej asaj kohe që, kryesisht për arsye të mediatizimit të shpejtë të problematikës mjedisore dhe për shkak se termi “ekologji” kishte fituar tashmë vendin e vet në opinion dhe media, shkenca e “ekologjisë” u shndërrua, në mënyrë të gabuar, në sinonim popullor të “ambjentalizmit”, megjithëse termi “mjedis” është mjaft i ndryshëm dhe shumë më i gjerë se sa termi “ekosistem”, i cili nga ana e tij është objekti i studimit të Ekologjisë. Në mënyrë jo të drejtë po ashtu, kuptimi i shkencës së Ekologjisë është përdorur si sinonim i gjitha shkencave mjedisore, ndërkohë që Ekologjia është vetëm një pjesë më vete e tyre. Edhe përdorimi modern i termit “mjedis” ndryshon shumë nga përdorimi i tij fillestar nga ekologët e fillimit të shek. XX. Tani, kur ne përdorim termin “mjedis”, i referohemi një grupi kompleks faktorësh, që janë burim i resurseve themelore për të cilat ne kemi nevojë për të mbijetuar. Për një pjesë të popullsisë, termi përmban edhe domethënien filozofike të fillimshekullit, kur mjedisi nuk shihej vetëm si një furnizues me resurse natyrore.
- Kuptimi i termit “mjedis”
RedaktoKoncepti “mjedis” paraqet disa karakteristika të veçanta që e bëjnë të krijojë ambiguitete (dykuptueshmëri), që lidhen sidomos me kontekstet ne të cilat ky term përdoret. Nëse në fjalorin e përditshëm, termit “mjedis” i vishen aspekte kryesisht natyraliste, në disiplina të ndryshme shkencore ku ai përdoret, merr kuptime po aq të ndryshme. Ndonjëherë, mjedisit i referohemi si diçka jashtë një objekti vrojtimi ose studimi (që mund të jetë p.sh. një individ ose një grup social). Veçse, në më të shumtën e rasteve, termi “mjedis”, me qëllim që të kuptohet drejt, kërkon të plotësohet me terma të tjerë (mbiemra): mjedisi natyror, mjedisi fizik, mjedisi social, mjedisi shoqëror, mjedisi ekonomik, mjedisi socio-ekonomik, mjedisi politik, mjedisi familjar, etj.
- Etimiologjia e termit “environment”
RedaktoNë gjuhën shqipe termi « mjedis » konsiderohet si sinonim i termit analog me bazë nga frëngjishtja, por që përdoret gjerësisht në gjuhët anglo-sanksone: “environnement”. Ky term, i cili nga mendimi gjeografik i atribuohet shkollës franceze të shekullit XX, ka në rrënjë termin “environ”, pra “rreth e qark” diçkaje apo dikujt. Edhe në italisht, termi “ambiente” rrjedh nga fjala latine “ambis” që është sinonime me “environ”. I njëjti kuptim është edhe në gjermanisht me termin “umwelt”. Kjo etimiologji, në të vërtetë, së fundi konsiderohet edhe si burim i një keqkuptimi konceptual lidhur me raportin njeri-mjedis, për shkak se e ka nxitur njeriun që ta shohë mjedisin si diçka jashtë tij, pra rreth e qark tij, dhe po ashtu ta shohë veten si në qendër të gjithçkaje, pra në qendër të mjedisit, madje jashtë mjedisit dhe jo thjesht si pjesë të tij. Kjo ka nxitur edhe “antropocentrizmin”, pra këndvështrimin sipas të cilit njeriu është në qendër të gjithçkaje dhe ka të drejtë të përdorë gjithçka dhe në çfarëdo mënyre për të plotësuar nevojat e tij. “Antropocentrizmi” është i lidhur ngushtë si shkak-pasojë me teoritë e gabuara, si me “gjeocentrizimin” në gjeografi, me “egocentrizmin” në psikologji, me “kapitalizimin e egër” në ekonomi apo me “teknocentrizmin” në teoritë e zhvillimit, përgjegjëse të gjitha këto për stadin e sotëm të raportit jo të drejtë të njeriut me planetin Tokë ku ai jeton.
- “Mjedis – milieu” : nje interpretim i ri modern
RedaktoQë prej fundit të viteve 1980, mendimi gjeografik francez ka riparë me autokritikë këtë krijim të vetin dhe ka tentuar zëvendësimin e tij me një tjetër term të konsideruar si më të përshtatshëm: në vend të “environnement” përdoret “milieu”, term që nënkupton atë çka është në mes, pra brenda dhe jo jashtë diçkaje. Kjo u bë me qëllimin që termi të ishte më i drejtë etnikisht, duke shmangur antropocentrizmin, i cili konsiderohet si origjina e keqpërdorimit dhe e degradimit të mjedisit nga ana e njeriut. Termi i ri “milieu” në frëngjisht rrjedh nga ndajfolja frëngjisht “au milieu de” që do të thotë “në mes të”. Kjo nënkupton që “njeriu nuk është në qendër të gjithçkaje, por është thjesht pjesë e gjithckaje. Në po këtë formë franceze, pra “milieu”, pa tentuar përkthimin, është adoptuar së fundi ky term edhe nga shkolla anglo-sanksone, ruse, etj. Termi “milio” përdoret në këtë mënyrë edhe në gjermanisht, suedisht, danisht, norvegjisht, deri edhe në anglisht.
- Etimiologjia e drejtë e termit shqip “mjedis”
RedaktoNëse i kthehemi gjuhës shqipe dhe kuptimit të termit“mjedis”, do të vemë re se ai i korrespondon etimologjikisht jo termit “environement”, por termit modernizues “milieu”. Termi shqip “mjedis” nuk e ka origjinën te fjala “rreth e qark”, prej nga vjen termi “environnement”, por nga parafjala «midis», e cila në dialektin Gegërisht, përdoret jo vetëm si përemër (sinonim i «ndërmjet»), por edhe si emër (pra, p.sh.,“një midis burrash”, apo “në midis të fshatit”, etj.). Siç shihet, është mjaft interesante paralelja konceptuale ndërmjet termit modern gjeografik “milieu” dhe termit të vjetër shqip“midis – mjedis”.
Referenca:
Redakto- ^ HANXHARI Romeo, “POLITIKAT E MJEDISIT. Niveli global dhe niveli lokal. Analizë teorike dhe raste studimi”, Intergrafika, Tiranë 2011, ISBN 978-9928-4045-6-5