Fabrika e cigareve "Telat Noga" Durrës

Nuk ka versione të shqyrtuara të kësaj faqe, ndaj mund të mos jetë kontrolluar përputhja e saj me standardet.

Fabrika e cigareve "Telat Noga" Durrës. Fabrika më e madhe e cigareve në Shqipëri e ngritur nga rikonstruksioni i fabrikës së vjetër "Stamles". Megjithëse ishte një fabrikë e madhe me rreth 250 punëtorë, nga krijimi (1924) dhe deri në Çlirimin e vendit, kishte ende karakterin e një punishtjeje, ku me përjashtim të grirjes dhe prodhimit të cigareve, të gjitha proceset e tjera të punës kryheshin me dorë. Punëtorët e «Stamles» -it kanë bërë disa greva, kanë qenë pjesëmarrës të demonstratave e të Luftës ANÇ, gjatë së cilës kanë rënë disa dëshmorë, ndërmjet tyre edhe Telat Noga, militant komunist emrin e të cilit mbante kjo fabrikë pas shtetëzimit më 1945. Në vitet 50 fabrika u zgjerua dhe u pajis me makineri të reja, u shtua prodhimi dhe më 1957 filloi edhe eksporti i cigareve. Rikonstruksioni i plotë i fabrikës që përfundoi më 1961, përmirësoi rrënjësisht të gjithë teknologjinë e prodhimit duke mekanizuar dhe automatizuar pjesën më të madhe të proceseve të punës. Më 1966 filloi prodhimi i cigareve me filtër ku prodhoheshin vetëm cigare të tilla. Në krahasim me v.1938 prodhimi ishte rritur 57 herë. Ndër cigaret më të njohura ishin: «Arbëria», «DS», «Porti», «Riviera», «Apollonia», «Gent», «Tirana» etj. Mbi 85% e prodhimit eksportohej.[1] [2] [3]

Burimet

Redakto
  1. ^ https://www.tellalli.al/na-ishte-njehere-ne-durres-fabrika-e-cigareve-telat-noga/
  2. ^ https://wiki.shqipopedia.org/fabrika-e-cigareve-telat-noga-durr%C3%ABs//
  3. ^ https://durreslajm.al/nostalgji-per-fabriken-e-dikurshme/?noCache/