Federata Shqiptare e Volejbollit
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s.(Artikulli duhet organizuar dhe shperndar sipas viteve) |
Federata Shqiptare e Volejbollit apo shkurt FSHV është struktura më e lartë e organizimit të klubeve të volejbollit në Shqipëri. Sekretar i përgjithshëm i federatës është Leonard Tase.
Historia
RedaktoVolejbolli për herë të parë është luajtur në vitet 1921-1925 në shkollat e Tiranës. Atë si lojë e sollën studentë, që vazhdonin studimet jashtë shtetit të cilët filluan t’a praktikonin volejbollin gjatë pushimeve të tyre në vendin tonë.
Pas Tiranës, volejbolli filloi të përhapet dhe në qytete të tjera të vendit, si në Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë. Në fillimet e saj, loja e volejbollit nuk bënte pjesë në lojërat sportive kryesore që zhvilloheshin në atë kohë në vendin tonë. Kryesisht ajo kishte karakterin e një loje argëtuese.
Meqënëse ishte një lojë kolektive dhe luhej me top, shumë shpejt ajo u bë mjaft tërheqëse për një pjesë të madhe të popullsisë, sidomos të të rinjve e të rejave.
Deri në vitin 1930 loja e volejbollit nuk kishte rregulla të veçanta dhe luhej vetëm për argëtim. Pas këtij viti loja e volejbollit u fut në programet e shkollave dhe në programet e stërvitjes së para ushtarakëve. Edhe gjatë kësaj periudhe karakteri i saj ishte zbavitës dhe argëtues. Me këtë karakter loja e volejbollit është zhvilluar për një periudhë kohe të gjatë në vendin tonë.
Në vitin 1940 u botua rregullorja e parë e lojës së volejbollit e cila filloi të zbatohet në ndeshjet miqësore që zhvilloheshin nëpër shkolla.
Interesant është fakti që gjatë kësaj periudhe volejbolli luhej vetëm në shkolla dhe emërtimi “Sport Borgjez” u bë për faktin se ishte privilegj i atyre që kishin mundësinë të shkonin në shkollë.
Emërtimi “Sport Borgjez” ka vazhduar deri në përfundimin e luftës së dytë botërore.
Pas çlirimit të Shqipërisë, loja e volejbollit filloi të luhet përveç shkollave dhe në qendra pune. Karakterit të saj argëtues ju shtua dhe konkurrimi.
Me krijimin e Federatës së Sporteve të Shqipërisë më 2 shtator 1945 loja e volejbollit u përhap në të gjithë vendin në forma më të organizuara.
Për herë të parë në këtë vit u zhvilluan ndeshje volejbolli në formën e kampionateve lokale, si dhe u zhvilluan ndeshje ndërmjet qyteteve.
Aktivitetet e zhvilluara evidentuan cilësitë e të rinjve dhe të rejave tanë, për t’u marrë me këtë sport. Mjaft lojtarë volejbolli brenda një kohe të shkurtër krijuan ekipe të cilat përfaqësonin volejbollin në vendin tonë.
Nga 21-24 shtator 1946 në Bukuresht të Rumanisë, për herë të parë vendi ynë morri pjesë në Kampionatin Ballkanik të Volejbollit. Në këtë kampionat morën pjesë ekipe nga Jugosllavia, Rumania, Bullgaria. Ky kampionat i shërbeu lojtarëve tanë, për njohjen më të mirë të rregullave të lojës dhe mënyrat e aplikimit të mjaft elementëve teknikë. Pas pjesëmarrjes në këtë aktivitet loja e volejbollit duke pasur dhe mbështetjen totale të shtetit të asaj kohe, u përhap në dimensione të gjera në të gjithë vendin.
U ngritën ekipe volejbolli në qendra pune, shkolla e deri shoqëri sportive. Filluan të zhvilloheshin në mënyrë të rregullt kampionate ndërmjet klasave, shkollave, reparteve ushtarake, kooperativave bujqësore e deri në kampionatet kombëtare ndërmjet klubeve sportive.
Në vitin 1947 u zhvillua në Tiranë kampionati Ballkanik i volejbollit ku morrën pjesë ekipe nga Hungaria, Jugosllavia, Rumania, Bullgaria dhe Trieste e Lirë. Pas përfundimit të këtij kampionati lojtarët e ekipit kombëtar filluan përgatitjet në bazë të literaturës që studiohesh nga revistat shkencore Ruse të volejbollit.
Në shtator 1949 Federata Shqiptare e Volejbollit bëhet anëtare me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Volejbollit (FIVB), si dhe anëtare e Konfederatës Evropiane të Volejbollit (CEV).
Nga tetori i vitit 2000 është anëtare dhe e Shoqatës Ballkanike të Volejbollit (BVA). Nga viti 1946 deri në vitin 2013 janë zhvilluar çdo vit pa ndërprerje gjithsej 68 Kampionate Kombëtare si për meshkuj ashtu dhe për femra. Aktivitetet e Kupës së Shqipërisë në volejboll kanë nisur në vitin 1954 dhe deri në vitin 2013 janë zhvilluar gjithsej 57 aktivitete të Kupës së Shqipërisë, si për meshkuj ashtu dhe për femra.
Rezultate mjaft dinjitoze janë arritur nga ekipet tona Kombëtare dhe atyre të Klubeve Sportive në aktivitete të nivelit Botëror, Evropian, Mesdhetar, Ballkanik.
Për t’u shënuar është renditja në vendin e 16-të e ekipit kombëtar për meshkuj në Kampionatin Botëror, zhvilluar në Moskë në vitin 1962, duke lënë mbrapa shtete si Mongolia, Finlanda, Austria, Belgjika etj.
Pjesëmarrje tjetër të suksesshme me ekipin kombëtar meshkuj ka qenë dhe Kampionati Botëror në Bullgari 1970, si dhe pjesëmarrje në eliminatoret e Kampionati Botëror në prill 2005, në grupin në Estoni, ku ekipi ynë fitoi dy ndeshje me Bosnje&Hercegovinën dhe Izraelin.
Ekipi ynë Kombëtar për femra pjesmarrjen e tij të parë në Kampionatin Botëror e pati në Janar 2005 në Shieffield, Angli, në eliminatoret e Kampionatit Botëror, ku respektivisht fituan në grup me ekipet e Anglisë dhe Skocisë.
Në Kampionatet Evropiane ekipi kombëtar për meshkuj arrin rezultate mjaft të mira me pjesëmarrjet e tij në vitin 1955 në Rumani duke zënë vendin e 10-të, në vitin 1958 në Çekosllovaki vendin e 11-të, në vitin 1967 në Turqi vendin e 13-të dhe në vitin 2008 në ndeshjet eliminatore, eliminohet me pikë nga ekipi i Azerbajxhanit, për të vazhduar në vitin 2011 në ndeshjet eliminatore të Kampionatit Evropian, ku ekipi ynë luajti kundër ekipit të Britanisë së Madhe.
Ndërsa për ekipin Kombëtar për femra pjesëmarrjet në Kampionatet Evropiane kanë qenë më të pakta, që përmbledhin pjesëmarrjen e ekipit kombëtar për femra në Kampionatin Evropian të vitit 1991, në Itali duke zënë vendin e 9-të dhe pjesëmarrja e suksesshme në vitin 2008 duke eliminuar ekipin Anglez në raundin e parë dhe në raundin e dytë në ndeshjet në 2 grupe në Slloveni dhe Çeki, megjithë 2 fitoret kundër Moldavisë dhe 1 fitore kundër Sllovenisë, nuk kualifikohet për në raundin e tretë.
Suksese të mëdha ka arritur volejbolli ynë me ekipin kombëtar për femra duke u shpallur Kampion i Ballkanit për të Rritura dhe të Reja në vitet 1988 në Durrës dhe 1990 në Sofie, Bullgari.
Fitorja e medaljeve të Arta në Lojërat Mesdhetare në Latakia, Siri për ekipin kombëtar femra konfirmon cilësinë e volejbollit, që tashmë renditet në Elitën e ekipeve të kontinentit Evropian.
Ekipet e klubeve tona të njohura në volejboll si “Dinamo” meshkuj dhe femra, “Partizani” meshkuj, “Tirana” femra, “Teuta” femra, “Erzeni” meshkuj dhe “Studenti” meshkuj kanë arritur rezultate dinjitoze me pjesëmarrjet e tyre në Kupat e Evropës. Për t’u shënuar është renditja e ekipit “Dinamo” meshkuj në 4 ekipet më të mira të Evropës në vitin 1972 në Brno, Çekosllovaki me emrat e njohur si Rusi, Fagu, Tartari, Bushati, Panteqi, Lena, Terihati, Gjerazi, Cironaku, Beriolli, etj, nën drejtimin e trajnerit të palodhur Vangjel Koja.
Majë të lartë volejbolli e ka arritur me ekipin legjendar “Dinamo” femra ku rezultatet e arritura kanë bërë të eliminohen skuadra mjaft të njohura Europiane.
Të drejtuara me mjeshtëri nga trajneri Kreshnik Tartari dhe lojtaret, tashmë legjendë në volejbollin e femrave si, Tase, Ibrahimi, Duka, Babuli, Doçi, Qirici, Duni, Nishku, Gripshi etj, kanë arritur të renditen në Kupën e Kampioneve në vitin 1980 në 4-t ekipet më të mira të Evropës në turneun final në Çekosllovaki dhe në vendin e 3-të në turneun final të Kupës së Kampioneve në vitin 1990, në Ravena, Itali.
Aktualisht, volejbolli dhe beach-volley megjithë vështirësitë financiare, të organizimit dhe ato të infrastrukturës, por me programe, koncepte e vizione të reja, po mundohet me pjesëmarrjet e tij në aktivitetet Botërore, Evropiane, Ballkanike dhe Mesdhetare, të rrisë statusin e imazhin e tij, duke zënë vendin që meriton në hiearkinë e sportit në vendin tonë.