Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe me Autor Jani Thomai. Shtëpia botuese "EDFA" Tiranë, 2010. Faqe 591.
Ky fjalor përmban mbi dhjetë mijë njësi frazeologjike të përdorshme gjerësisht, në vargje sinonimike të pasura, me ndarje kuptimore e me shpjegime të plota për kuptimet e përdorimet, me rreth 30 000 shembuj të shkurtër nga shumë burime (ligjërimi i folur popullor, folklori, letërsia artistike shqipe dhe e përkthyer, publicistika etj.), me shënime plotësuese për nuancat shprehëse të njësive etj. Rëndësia e veçantë e këtij botimi qëndron në gjithë përbërësit e tij, në njësitë, në zbërthimin kuptimor, në shpjegimet, shënimet, shembujt etj. Ky libër përbën një tip të veçantë fjalori, meqë përmban njësi më të gjera se fjala, togfjalësha e më rrallë edhe shprehje me strukturë fjalie, por që secila njësi në vetvete funksionon në gjuhë njësoj si fjala, duke shërbyer për shënimin e një koncepti të vetëm, të një objekti a dukurie, të marrë si entitet më vete. Si të tilla, në tërësinë e tyre, këto njësi përbëjnë veçantinë e shqipes në krahasim me çdo gjuhë tjetër e vijnë si mishërim i identitetit dhe i origjinalitetit të saj....
Nga ana praktike, "Fjalori frazeologjik i gjuhës shqipe" vlen të përdoret gjerësisht nga shkrimtarët, përkthyesit, publicistët, hartuesit e fjalorëve dygjuhësh, studentët e nxënësit, mësuesit e pedagogët, studiuesit e gjuhës shqipe e të gjuhësisë së krahasuar, por edhe nga ligjëruesit politiko-shoqërorë, nga ata që mësojnë gjuhën tonë dhe nga gjithkush që merret me të. Ai i vjen në ndihmë edhe gjithkujt që dëshiron ta pasurojë ligjërimin e vet, ta bëjë më të qartë, më të përpiktë, më shprehës e emocionues, më të bukur, më të fuqishëm e më ndikues.