Fluturimi i korbave
Fluturimi i korbave Autori: Bardhyl Londo. Botuesi: Toena. Faqet e librit 184.
I drejtpërdrejtë në komunikim, me një këndvështrim qytetar që i shmanget patetikës, qibar në fjalë por jo i sofistikuar në konceptime, Bardhyl Londo është poet me zemrën në dorë. Ai është nga ata poetë që kanë tharm të fortë krijues, çka do të thotë afatgjatë, prandaj pavarësisht nga mosha, talenti i tyre nuk fiket. "tetor tiranas. Ora pesë e gjysmë. Gjysmë vjeshtë, gjysmë dimër, Gjysmë dritë, gjysmë mugët. Ti për tek unë tani je nisur Dhe je në gjysmë të rrugës..." Sa është ora, në ç’stinë kemi hyrë? Cilado qoftë ora dhe cilado stina, prapë në gjysmë të rrugës jemi. Dhe jo vetëm ne, por edhe kryeqytetet e popujt larg nesh. Vetë bota, vetë njeriu. Sipas gjuhës së figurshme, të cilën diplomacia e ka përshtatur nga filozofia, aspiratat e njerëzimit gjithnjë do të gjenden në gotën proverbiale gjysmë plot e gjysmë bosh... Prandaj, të lindura në një kohë të caktuar, poemat e Bardhyl Londos tash jetojnë kohën tjetër, atë të artit.