Forcat e Armatosura të Papua Guinesë së Re
Forca e Mbrojtjes së Papua Guinesë së Re (PNGDF) është organizata ushtarake përgjegjëse për mbrojtjen e Papua Guinesë së Re. Ajo e ka origjinën nga forcat tokësore të Ushtrisë Australiane të territorit të Papua Guinesë së Re përpara pavarësisë, duke u krijuar në janar 1973 dhe duke pasur paraardhësit e saj në Regjimentin e Ishujve të Paqësorit. PNGDF-ja është një forcë e vogël, që numëron rreth 3,600 veta personel dhe përbëhet nga një Element Tokësor, nga një Element Ajror dhe nga një Element Detar. Është një forcë e përbashkët e ngarkuar me mbrojtjen e Papua Guinesë së Re dhe territoreve të saj kundër sulmeve të jashtme, si dhe të ketë funksione dytësore duke përfshirë ndërtimin kombëtar dhe detyrat e sigurisë së brendshme.
Mbrojtja përbën më pak se 2% të PBB-së, ndërsa merr gjithashtu ndihmë të konsiderueshme dhe mbështetje trajnimi nga Australia, nga Zelanda e Re, nga Shtetet e Bashkuara dhe nga vende të tjera.
Elementi Tokësor i PNGDF-së përfshin dy batalione këmbësorie, një batalion inxhinierësh, një skuadron sinjalizues, një njësi për asgjësimin e mjeteve shpërthyese (EOD) dhe një togë të mjekësisë parandaluese. Elementi Ajror është një krah i vogël ajror që operon me tre avionë të lehtë transporti dhe me dy helikopterë me qira. Elementi Detar përbëhet nga katër varka patrullimi të klasit Guardian dhe nga dy anije zbarkimi. Ushtria është nën komandën e drejtpërdrejtë të Shtabit të PNGDF-së, ndërsa krahu ajror dhe marina kanë oficerët e tyre komandues. PNGDF-ja nuk ka një Komandant të Përgjithshëm, por një Komandant që këshillon Ministrin e Mbrojtjes. PNGDF-ja është nën kontrollin e Këshillit Ekzekutiv Kombëtar nëpërmjet Ministrit të Mbrojtjes.