Muzeu Kombëtar i Fotografisë "Marubi"

Foto Studio "Marubbi" u themelua më 1856 në Shkodër nga piktori, skulptori dhe arkitekti Pietro Marubbi. Fototeka Kombëtare “Marubi” është krijuar më 1970 pas dhurimit që i bëri Gegë Marubi arkivit të tij personal prej tre brezash, me rreth 150 mijë negativë, shtetit. Në këtë arkiv gjenden negativë nga të gjitha formatet, që nga 30 cm x 40 cm dhe deri te 6 cm x 9 cm në pllaka xhami, nga viti 1858 deri në vitin 1959. Ky, është një nga arkivat më të pasur të Ballkanit. Në të mund të gjesh negativë me tema të ndryshme dhe figura po kaq të shumëllojshme, si pashallarë, vezirë, oficerë turq dhe deri konsuj të kombësive të ndryshme, italianë, francezë, austriakë, anglezë, rusë, grekë, serbë, figura nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore dhe figura shqipëtarësh të rëndësishm si Luigj Gurakuqi, Fishta, Mjeda, Asdreni, Koliqi, Lasgush Poradeci, Migjeni, Azem e Shote Galica e shumë e shumë figura të tjera të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Logo e Muzeut Kombëtar i Fotografisë "Marubi"

Gjithashtu në arkiv mund të gjesh negativë me tema nga etnografia, urbanistika, monumentet e kulturës, historia, pazari, lundrimi në Bunë etj, Gegë Marubi, i fundit i dinastisë Marubi, ishte mjeshtër i portretit dhe i peisazhit me infra të kuqe. Ishte i pari ai që përdori këtë proces të zhvillimit të fotografisë, pasi e mësoi në Francë ku dhe kreu studimet. Këtë nismë e përkrahën dhe fotografë të tjerë shkodranë si Shan Pici që filloi të punojë nga viti 1924 dhe deri 1962 në Lezhë. Ai i dhuroi shtetit rreth 70 mijë negativë të formatit 18x24 deri 4x6 në pllaka xhami dhe në filma celuloidi. Shani, siç e qunte populli, ishte fotografi i Malësive. Në materialin që ai dhuroi, ka tema të ndryshme si: peijsazhi i tij i famshëm, urbanistika, etnografia, pazari, sporti e shumë tema të tjera të rëndësishme.

Dedë Jakova ishte një fotograf tjetër shkodran që i dhuroi shtetit rreth 50 mijë negativë, në xham dhe celoloid, me format 10 cm x 15 cm deri 6 cm x 9 cm. Dedë Jakova ishte fotografi i rinisë. Kështu e quante populli i Shkodrës. Ai ishte dhe si fotoreporter për kohën dhe e zhvilloi veprimtarinë e tij nga viti 1930 dhe deri 1959. Në fondin e tij zbulojmë një larmi temash si histori, etnografi, urbanistikë, teatër e shumë të tjera të rëndësishme.

Pjetër Rraboshta, që dhuroi rreth 3 mijë negative, quhet ndryshe edhe fotografi i fëmijëve dhe i manifestimeve të ndryshme që janë bërë në qytetin e Shkodrës në vitet nga 1959 deri në vitin 1975. Materiali i tij është në filma “Laika”, 24 mm x 36 mm.

Angjelin Nënshati me bindje të plotë do ta quanim vazhduesi i fotografëve të traditës shkodrane. Ai dhuroi rreth 250 mijë poza. Materiali i tij është i fiksuar në filma “Laika”, 24 mm x 36 mm, dhe fillon në vitin 1959 deri në vitin 1984. Në fondin e tij ka tema të ndryshme si manifestime shkollore, arsimore, sportve, mjekësore, etj.

Referime

Redakto

Lidhje të jashme

Redakto