Fusha e Elbasanit ndodhet në pjesën qëndrore të Shqipërisë, në rrjedhën e mesme të lumit Shkumbin, e vendosur midis kodrave të Kërrabës në veri, kodrave të Sulovës në jug, malit të Shpatit në lindje dhe pllajës së Dumresë në jug e jugperëndim. Fusha e Elbasanit është një ndër njësitë më të rëndësishme të Shqipërisë së mesme, pasi kontribuon në mënyrë direkte dhe indirekte në zhvillimin socio-ekonomik të kësaj hapësire gjeografike.[1]

Një pjesë e Fushës së Elbasanit me Malin e Tomorrit në prapavijë

Vështrim

Redakto

Gjatësia e përgjithshme e fushës së Elbasanit (nga fillimi i saj në Labinot-Fushë deri në Papër) është 20 km, gjerësia varion nga 5 deri në 7 km, ndërsa lartësia mesatare mbi nivelin e detit luhatet nga 70 deri 125 m, duke mbuluar një sipërfaqe totale prej 120 km2 . Fusha e Elbasanit karakterizohet nga kushte natyrore të favorshme, të cilat kanë ndikuar në zhvillimin socio-ekonomik të kësaj njësie fiziko-gjeografike.[2]

Fusha e Elbasanit është formuar në një graben të fundosur gjatë periudhës së kuaternarit, në vendin e shkëputjes së madhe tektonike tërthore Lushnjë-Elbasan-Dibër. Pozita gjeografike e saj është e favorshme, duke qenë e rrethuar në pjesën lindore dhe verilindore nga malet e larta, të cilat e mbrojnë nga erërat e ftohta lindore, ndërsa hapja që ka në pjesën perëndimore lejon ndikimin e detit. Këto specifika të kushteve natyrore kanë mundësuar një klimë të ngrohtë mesdhetare, duke u pasqyruar në bimësinë natyrore dhe në rritjen e një game të gjerë kulturash bujqësore. Temperatura mesatare vjetore është 15oC, vlera më e lartë e regjistruar është 42oC, ndërsa vlera më e ulët -9.8oC. Sasia e reshjeve që merr kjo fushë është nën mesataren e vendit, me 1165 mm.[3]

Rrjeti hidrografik në fushën e Elbasanit përfaqësohet në pjesën dërrmuese nga lumi Shkumbin dhe degët e tij (kryesisht rrjedhja e mesme). Lumi Shkumbin dhe të gjitha degët e tij kanë një ndikim shumë të madh në aktivitetet e popullsisë së kësaj, kryesisht në kuadër të ekonomisë bujqësore, si burim kryesor për vaditjen e tokave të kësaj fushe. Prania e lumit Shkumbin dhe e degëve të tij ka qenë një aset shumë i rëndësishëm për këtë zonë, duke ndikuar në zhvillimin socio-ekonomik të fushë së Elbasanit. Fusha e Elbasanit ka toka shumë pjellore, të cilat janë kryesisht livadhore aluvionale të depozituara nga lumi Shkumbin dhe livadhore të hirta kafe. Fusha e Elbasanit është një zonë bujqësore shumë e rëndësishme e Shqipërisë së mesme, ku kultivohen shumë kultura bujqësore: si perimet, frutat, drithërat, agrumet, ullishtet etj. Kushtet natyrore të fushës së Elbasanit janë shumë të favorshme për zhvillimin e gjithanshëm socio-ekonomik të popullsisë së kësaj zone.[4]

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ Lafe, Emil, red. (2008). "Fjalor Enciklopedik Shqiptar". (Encyclopedic Dictionary of Albania). Vëll. 1. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 589. ISBN 9789995610272. OCLC 426069353.
  2. ^ Peel, M C; Finlayson, B L. "Updated world map of the Köppen-Geiger climate classification". Hydrology and Earth System Sciences (në anglisht). 11: 1633–1644. doi:10.5194/hess-11-1633-2007. Marrë më 30 janar 2016.{{cite journal}}: Mirëmbajtja CS1: DOI i lirë i pashënjuar (lidhja)
  3. ^ Qiriazi Perikli, 2015, Gjeografia Fizike e Shqipërisë, Ideart, fq. 333
  4. ^ Akademia e Shkencave, 1991, Gjeografia Fizike e Shqipërisë, Volumi II, fq. 497