Gashi është zonë gjeografike në skajin më verilindor të rrethit të Tropojës, pjesë e Alpeve Shqiptare. Shtrihet midis pellgut të Çeremit në veriperëndim, luginës së lumit të Gashit në jugperëndim, pellgut të Tropojës në juglindje dhe malësisë së Gjakovës në verilindje.

Ka reliev alpin me kontraste të theksuara. Majat më të larta të Gashit janë Koritat e Dobërdolit (2400 m), Shkëlzeni, Gusani (2451 m) dhe ajo e Rupës (2268 m). Relievi dallohet për gjurmë të akullimeve kuaternare, në trajtë luginash e cirqesh akullnajore.

Spikasin në veçanti lugjet e Dobërdolit-Sulbicës, ku gjenden edhe 15 liqene akullnajore. Gashi dallohet për shtrirje të gjerë të kullotave alpine shumë të pasura.