Nuk ka versione të shqyrtuara të kësaj faqe, ndaj mund të mos jetë kontrolluar përputhja e saj me standardet.

Gjeografia rurale bën pjesë në grupin e disiplinave gjeografike me karakter aplikativ[1], e cila ka në fokus të saj hapësirën rurale, me tërësinë e komponentëve, dukurive dhe faktorëve ndikues në të.

Përkufizmi i gjeografisë rurale

Redakto

Karakteri i dinamik i gjeografisë rurale, ashtu si edhe vetë hapësira rurale që është në fokus të saj, e bëjnë të vështirë dhënien e një përkufizimi të vetëm dhe të mbarëpranuar mbi të. Përkufizimet variojnë nga ato më të thjeshta deri te më komplekset. Kështu, fushave tradicionale të studimit, që përfshijnë gjeografinë e bujqësisë, menaxhimin dhe mbrojtjen e resurseve, përdorimin e tokës dhe planifikimin, popullsinë dhe migrimin, zhvillimin ekonomik, modelet e vendbanimeve, infrastrukturën rurale, veprimtaritë rekreative dhe turizmin, u janë bashkuar problematika të reja si: varfëria dhe mirëqenia sociale, qeverisja dhe politikat, kultura rurale etj[2].

Evolucioni i gjeografisë rurale

Redakto

Gjeneza e gjeografisë rurale, ndonëse jo larg formës së sotme të saj, i përket fillimit të shekullit XX, kur kjo disiplinë fokusohej në aspektet fizike të hapësirës rurale dhe në përshkrime peizazhore, duke u ndikuar kryeisht nga diskursi regjionalist[3] dhe duke zënë vend të rëndësishëm në kuadër të studimeve gjeografike në tërësi.

Më pas, në vitet ’50 dhe ’60 të shekullit XX, koncepti rajonal u zëvendësua gradualisht me studime sistematike, të cilat mbulonin zona të veçanta gjeografike që trajtoheshin në të gjitha shkallët, makro dhe mikro[4]. Kjo prirje, së bashku me sofistikimin e metodave sasiore, e orientoi gjeografinë drejt asaj ekonomike dhe urbane, duke e zbehur rëndësinë e gjeografisë rurale.

Rivlerësimi i gjeografisë rurale në vitet ’70 dhe ’80 të shekullit XX lidhet me shtimin e vëmendjes në çështje si: shfrytëzimi pa kriter i burimeve natyrore, ndotja e mjedisit, zvogëlimi i vazhdueshëm i sipërfaqeve të gjelbërta, cënimi i elementeve të kulturës rurale etj.

Gjeografia rurale në ditët e sotme

Redakto

Sot, gjeografia rurale vazhdon të konsolidojë objektin e saj të studimit, duke u orientuar gjithnjë e më shumë drejt zgjidhjeve të problemeve konkrete të shoqërisë rurale, si dhe duke synuar fuqizimin e ekonomive rurale dhe vendosjen e ekuilibrave socialë të zhvillimit, në perspektivën e qëndrueshmërisë, për të garantuar brez pas brezi plotësimin e nevojave dhe përcjelljen e vlerave. Gjeografët ruralë, veçanërisht në vendet më të zhvilluara, janë sot pjesë e grupeve të ekspertëve që angazhohen në identifikimin dhe analizimin e resurseve lokale, në përcaktimin e linjave prioritare të zhvilllimit të territoreve, si dhe në hartimin e politikave dhe strategjive social-ekonomike.


[1] Laçi Sabri et al. Gjeografia rurale, “LILO”. Tiranë, 2014.

[2] Woods, Michael. (2009). Rural Geography. 10.1016/B978-008044910-4.00900-7.

[3] Ávila Sánchez, Héctor. (2015). Tendencias recientes en los estudios de Geografía rural. Desarrollos teóricos y líneas de investigación en países de América Latina. Investigaciones geográficas, (88), 75-90. https://doi.org/10.14350/rig.44603

[4] Laçi Sabri et al. Gjeografia rurale, “LILO”. Tiranë, 2014.