Google Hangouts është një platformë e mesazhimit të drejtpërdrejtë (instant messaging) dhe e video-çatit e zhvilluar nga Google që u lançua më 15 maj 2013 gjatë fjalës së hapjes së konferencës I/O të Google. Deri në atë moment, Google kishte 3 platforma të ndryshme mesazhimi: Talk Google+, Messenger dhe Hangouts. Secila prej tyre kishte nga një funksion të veçantë por me bashkimin në Hangouts u bë një platforma për të gjitha shërbimet sipas nevojës së përdoruesit. Sipas Google, Hangouts pritet të jetë e ardhmja e telefonisë. Hangouts

Hangouts

Deri para lançimit të Hangouts, shërbimet e Google nuk ishin ndër të parat. Konkurrenca nga Facebook Messenger, iMessage, WhatsApp, Skype apo të tjerë, ishte goxha e madhe për të kaluar shërbimet e Google. Ajo që i duhej Google ishte një sistem i unifikuar që t’i kishte të gjitha shërbimet brenda. Për këtë, u mblodhën disa skuadra zhvillimi të Google për të punuar të gjitha për sistemin. Në shqip, Hangouts mund të përkthehet si “Vendtakim” ose “Vendtakimet” ose më saktë, ka kuptimin e “një vendi ku takohen dhe rrinë njerëzit” (kuptimi i cili përdoret më shumë nga të rinjtë).

Hangouts të ofron të përdorësh shërbimin e bisedës për dy ose më shumë përdorues. Ai aksesohet shumë lehtë nga përdoruesit e Gmail, Google+ dhe nga aplikacionet për Android dhe iOS. Në iOS aplikacioni i Hangouts nuk integrohet plotësisht në Google Voice ndërsa në Android suporti i SMS nuk integrohet plotësisht. Integrimi pritet të vijë gjatë këtij viti. Ndër kritikat kundër Hangouts është fakti që për një numër përdoruesish nuk shfaqet statusi online, gjë që normalisht është standarde. Një kritikë tjetër është që Google nuk po mbështet protokollin XMPP open source aq sa duhet.