Hamdi Meça, ka lindur në një familje të vjetër krutane, në Krujë (1952), me tradita atdhetare e kulturore. Mësimet e para dhe të mesme i mbaroi në qytetin e lindjes ndërsa studimet e larta, për gjuhë e letërsi shqipe i kreu në ish Institutin e Lartë PedagogjikShkodrës (sot Universiteti "Luigj Gurakuqi"). Në fillim, për dy vjet rresht punoi mësues në fshatin më të largët të rrethit të Krujës (Picrragë), në shkollën tetëvjeçare "4 dëshmorët" dhe më pas, qysh nga viti 1977, mësues i gjuhës e i letërsisë shqipe në shkollën e mesme "Skënderbeu" të qytetit të Krujës. Tani punon pranë drejtorisë arsimore të këtij rrethi. Me letërsi nisi të merret qysh në fillim të viteve 70, kur ishte nxënës në shkollën e mesme, duke botuar krijime poetike e ndonjë shënim për librat në gazetat e revistat letrare dhe në organet për fëmijë: Qysh atëherë e gjer më sot Hamdi Meça ka ngelur një bashkëpunëtor i "Pionierit" (sot "Filizat"), "Fatosit", "Mrekullisë", "Sirenës së vogël, "Rilindjes për fëmijë" etj dhe emri i tij është i pranishëm në periodikun letrar e artistik, e herë pas here edhe në periodikun publicistik, me vjersha, poema, fabula në vargje e në prozë, përralla, përshkrime, skica, reportazhe etj.

Librin e parë poetik për fëmijët e ka botuar në vitin 1976. Ai mbante titullin "Ben, Ben, kapiten". Më pas botoi edhe këto përmbledhje poetike "Dhelpra dhe bletët" (përrallë në vargje, l976), "Lule shqiponjat krutane" (poemë, 1976), "Ketri trim" (poemë-përrallë, 1977), "U rrita moj nënë" (vjersha, 1977), "Gjuha mëmë", poemë, 1978), "Nëna me zemër sa liria" (triptik poemash, 1980), "Ra ylberi përmbi shkollë" (vjersha, 1980), "Besa e flamurit" (vjersha dhe poema, 1984), "Zogj mbi tela" (vjersha, 1986), "Një shportë me pranverë" (vjersha, 1986). Në dallim nga krijimet poetike, që janë konceptuar e shkruar për fëmijët, fabulat e përrallat që ka shkruar e botuar gjer tani autori u drejtohen edhe fëmijëve edhe të rriturve. Në fushën e fabulës ka botuar përmbledhjet: "Pishtar' i xixëllonjës " (1988) e "Laraska pa bisht" (1991). Po në prozë autori ka botuar për fëmijët edhe novelën-legjendë "E bukura e dheut" (1994). Jeton në Krujë.

Literaturë

Redakto