Historiku i Festivalit Folklorik Kombëtar
Festivali Folklorik Kombëtar është zhvilluar fillimisht në qytetin e Tiranës në vitin 1957 me siglën “Festivali Kombëtar i këngës, muzikës dhe valles”. Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968. Pas këtij festivali në Kalanë e këtij qyteti është zhvilluar rregullisht, çdo pesë vjet, Festivali Folklorik Kombëtar, respektivisht në vitet 1973, 1978, 1983, 1988. Në vitin 1995 FFK u zhvillua në Kalanë e qytetit të Beratit dhe në vitin 2000 FFK rikthehet në qytetin muze të Gjirokastrës. Edhe në vitin 2004, FFK u zhvillua në qytetin muze të Gjirokastrës, ku morrën pjesë gjithsej rreth 1200 artistë përfaqësues të të gjitha qarqeve, Kosova, shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi dhe nga Diaspora.
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. Ju lutemi ndihmoni edhe ju në përmirësimin e këtij artikulli. |
Mbështetur nenit 5, pika 2 e Ligjit nr. 9048, dt. 07.04.2003 “Për trashëgiminë kulturore”, me Urdhërit nr. 348, datë 28.07.2003 të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve “Për shpalljen e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, data 29 shtator është shpallur Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore. Më Urdhërin nr.895, dt. 26.09.2008 “Për miratimin e Statutit të Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2009” u miratua nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Statuti i ri i Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2009. Në kuadrin e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, me Urdhër nr. 894, dt 26.09.2008, “Për organizimin e Festivali Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2009”, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shpalli organizimin e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, në datat 24-29 shtator 2009.
Festivali Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2009, që do të zhvillohet në Kalanë dhe Qendrën Historike të qytetit muze të Gjirokastrës, “Pasuri kulturore e njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO, duke qënë veprimtaria më e rendësishme e trashëgimisë shpirtërore shqiptare, do të shërbejë për ruajtjen, mbrojtjen, promovimin dhe popullarizimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore mbarëkombëtare, duke interpretuar në të vlerat më autentike e më të lashta që populli ynë ka krijuar në shekuj në gjinitë e këngës, valles, instrumentave, kostumeve dhe zejeve tradicionale. Gjithashtu kjo veprimtari kombëtare do të shërbejë në gjallërimin e jetës kulturore-artistike të vendit dhe në shtimin e spektatorëve dhe vizitorëve vendas dhe të huaj në veprimtaritë e trashëgimisë shpirtërore, në kuadrin e turizmit kulturor dhe promovimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore.
Pjesëmarrja në Festival e grupeve folklorike nga Kosova, shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi, arbëreshëve, arvanitasit, diasporës së largët si dhe të folklorit çam, etj. do të zgjerojë jo vetëm hapësirat gjeografike të folklorit shqiptar, por do të sjellë edhe vlera të papërsëritëshme në interpretimin dhe ekzekutimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore tradicionale shqiptare duke e kthyer këtë veprimtari të rëndësishme në një festë të folklorit shqiptar.[1]