Nuk ka versione të shqyrtuara të kësaj faqe, ndaj mund të mos jetë kontrolluar përputhja e saj me standardet.

Imer Topanica (1983), është i diplomuar në Universitetin “Hasan Prishtina” në degën e Letërsisë Shqipe. Autori i librave: UDHËTARËT (roman), Princi, Tiranë 2013; TUFË DRITE (poezi), Rrokullija, Prishtinë 2014; SHËNIME TË PAMJAFTUESHME (poezi), Armagedoni, Prishtinë 2019; LAVDI MARRËZIVE (roman), Muza, Prishtinë 2020; për opinionin publik shqiptar, njihet edhe si publicist.


Përmbledhjen me tregime KËPUCËT E VDEKJES, e përmbylli si projekt përgjatë qëndrimit njëmujor në rezidencën për shkrimtar në Stamboll, në kuadër të programit për mysafirët artistë nga pesë vende të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht: Rrjetit Rajonal për Diversitetin Kulturor – READ, vitin e kaluar.


Poezi, tregime e vështrime kritike i janë botuar në gazetat dhe revistat letrare në Prishtinë, Tiranë e Shkup, si: ObserverKult, Jeta e re, Illz,  Akademia, Shenja, Verbi, Koha Ditore, Zëri etj. Një pjesë e veprimtarisë së tij është përkthyer edhe në anglisht, turqisht e serbokroatisht.


Ai ka kontribuar me një poezi në antologjinë botërore poetike “World Healing World Peace 2020”, e cila u publikua nga shtëpia botuese amerikane Inner Child Press International. Bëhet fjalë për poezinë “Dashunisht po të thërras” (Come, I’m calling thee affectionately), e shkëputur nga përmbledhja e dytë me poezi. Po ashtu tregimi i tij “Gjashtë” është përfshirë në konkursin ndërkombëtar si dhe në botimin e përmbledhjes me tregime Biber 03, ndërsa është përkthyer në gjuhën angleze dhe në gjuhën serbe.


Topanica është vlerësuar edhe me çmime letrare. Për një kohë të gjatë ai e ka ushtruar edhe zejen e gazetarit dhe redaktorit në shumë media kosovare. Aktualisht ai është kryeredaktor i Gazetës online “Fol Drejt” dhe autor i emisionit “KUADËR”, prodhim i kësaj gazete.

TË TJERËT PËR IMER TOPANICËN

(INTERVIEWS) The Young Literary Scene in Kosovo; A Conversation with Ragip Luta:


And also Imer Topanica, who like Ervina writes mostly in the Gheg dialect, and who brings mysticism and spirituality to his work. No wonder he likes to quote among his influences Tranströmer, Kahlil Gibran, Omar Khayyám, and Rumi. It is a generation of brave young poets with a bold new language bringing new themes and new ways of seeing the world around them. (World Literature Today - August 2015);

Gazmed Bërlajolli, gjuhtar dhe redaktor i përmbledhjes me poezi:


Nji arritje e madhe, që Imerit ia mundëson përvoja e gjatë me poezinë, asht fakti që në këtë vëllim arrin të vijë me nji shumsi zanesh poetike, kumbues njani, i qetë tjetri, bashkë me nji ndërrim të shpeshtë temash që trajtohen, qasjesh e disponimesh, dialektesh madje, e bile strukturash poetike që ndryshohen prej njanës poezi te tjetra. Imeri poezinë e ban zap, din me ia nënshtru diktateve të veta, nuk e len me i rrëshqitë duersh si ngjalë. Vëllimi “Tufë drite” e thotë këte fuqimisht.

Adil Olluri, studiues, Instituti Albanologjik në Prishtinë:


Imer Topanica me romanin “Udhëtarët” na shpalos një rrëfim në të cilin është i gërshetuar spirtualiteti dhe filozofia religjioze, që del si mesazh i kësaj vepre. Ai me këtë vepër ka treguar se ka potencial stilistik dhe prej tij mund të priten vepra cilësore. (Koha Ditore, 30 shtator, 2017);


Jona Merjo, poete:


‘’Tufë Drite’’, ky vëllim poetik është një aleancë e shenjtë me Dashurinë , aleancë që kryhet përmes poezisë. Në këtë libër, objekti i brendshëm bëhet i jashtëm nëpërmjet refleksionit të autorit duke bërë të ndodhë e njëjta gjë me lexuesin. Poezia e Imerit është legjitimitet i ndryshëm njohjeje, për botën tonë të brendshme dhe të jashtme, me kuptimet dhe moskuptimet e saj që na ngatërrojnë apo dërgojnë drejt rrugës për te E VERTETA e autorit, e që është po ashtu E Vërteta universale.

Ilire Zajmi – Rugova, shkrimtare, gazetare:


Një rrëfim krejt i veçantë, një ngjarje që të intrigon që në rreshtat e parë. Me një stil të të shkruarit që e dallon nga shumë krijues të tjerë, Imer Topanica me ‘Udhëtarët’ paralajmëron ardhjen e një shkrimtari të talentuar në letrat shqipe.

Halil Matoshi poet, gazetar ; Infodirekt: Si qëndron letërsia e asaj kohe me letërsinë sot?

Halil Matoshi: Thënë të drejtën poezia që krijohej ato vite në Kosovë ishte shumë mbi atë që krijohej në Shqipëri, ishte më afër asaj të përbotshmes. Sot, mendoj unë kemi një rrjedhë të pandërprerë të këtij modeli poetik, që përvijohet te brezi i mesëm i poetëve, si Xhevdet Bajraj, Lulëzim Haziri, Arben Idrizi... Dhe henez më të artikuluar po vijnë në skenë të rinjtë, si: Ballsor Hoxha, Blerina Rogova, Donika Dabisheci, Imer Topanica, Shpëtim Selmani e Sibel Halimi etj.  

Infodirekt: Ç'vlerësim keni për kritikën letrare (artistike) të shqipes?

Halil Matoshi: Në vitet '70-'80 është shkruar më shumë kritikë letrare sesa sot. Mirëpo, atëherë ajo ishte më e varfër. Shkrimet kritike të Adil Ollurit, të Gëzim Aliut, të Flamur Malokut, të Imer Topanicës, të Agron Gashit, të Nerimane Kmaberit e të Donika Dabishecit, na thonë se po hipin në skenë kritikë të fortë letrarë. Megjithatë, kujtoj se shkrimi interpretativ duhet t'ia lë vendin kritikës së drejtpërdrejtë klasike, e cila duhet të fokusohet në shquarjen e vlerave ose të thotë: Këtë mos e lexoni fare, është humbje kohe! (Pjesë të shkëputura nga një intervistë me Halil Matoshin, gazetar dhe shkrimtar).

Abdulla Rexhepi, profesor universitar:

GeR: A hetoni një vijimësi të zhvillimit kulturor, për shembull në letërsi, poezi ose në muzikë, pavarësisht që shkrimi shqip latin ka kohë që është shkëputur nga ai arab?


Rexhepi: Në fakt poezia me alfabet arab në Kosovë ka vazhduar deri pas luftës së dytë botërore, madje flitet se ka pasur hoxhallarë dhe shehlerë që kanë krijuar deri vonë me këtë shkrim. Ndërsa fryma e poezisë alamiado ka filluar të vërehet edhe te disa poet e rinj, siç janë Imer Topanica, Fjolla Spanca, e ndonjë tjetër. Kur lexon poezitë e tyre të duket se po lexon poezitë e Nezim Frakullas, apo të ndonjë poeti tjetër të asaj kohe. Pastaj shohim grupin Jericho që interpreton këngë me tematikë të tillë. Kurse shumica dërmuese e këngëve qytetare dhe popullore që këndohen gjithandej te shqiptarët kanë tematikë të huazuar nga letërsia mistike perse-turke. Me këto këngë shumë shqiptarë të gjeneratave më të vjetra –siç do të thoshte Heideggeri – më së miri  e realizojnë qenien e tyre. (Pjesë e shkëputur nga një intervistë me Dr. Abdullah Rexhepin, profesor dhe studiues).