Jonuz Divani
Jonuz Divani[1] (1906–1985) ishte mësimdhënës shqiptar dhe veprimtar i shquar i arsimit shqip në Mal të Zi.
Biografia
RedaktoJonuz Divani u lind më 15 gusht 1906 në qytetin bregdetar Tivar.[2][3] Arsimin fillor në gjuhën serbokroate e kreu në vendlindje dhe në Ulqin, ndërsa normalen në Danillovgrad dhe në Dubrovnik. Punoi në një varg vendesh. Nga shtatori i v. 1939 deri në dhjetor të v. 1944 punoi në shkollën fillore në Tivar të Vjetër, ndërsa në janar të v. 1945 u caktu mësues në fshatin Godenjë të Tivarit, e prej marsit të vitit 1946 në shkollën fillore në Sotoniq të Tivarit, ku punoi deri në fund të gusht 1947. Kontributin më të madh e dha në shkollën fillore të Katërkollës (në Anë të Malit), ku fillou punën më 5 shtator 1947.[2] Mësimdhënësit dhe nxënësit e Anës së Malit, të udhëhequr nga veprimtari Jonuz Divani, ia dolën që shkollën e tyre, pa kushte për punë, madje edhe pa dyer e dritare, ta shndërrojnë në shkollë model (sidomos në vitet 1955 – 1965). Për shkollën e Katërkollës folën dhe shkruan me admirim shumë vizitorë vendas dhe të huaj.
Shkolla fillore e Katërkollës ishte një vend mësimi, pune dhe argëtimi. Krahas punës mësimore, nxënësit i organizoi në grupe të ndryshme punuese, sportive dhe artistike, të cilët (sipas vizionit dhe punës së drejtorit Jonuz Divani) bënë punë të madhe për rregullimin me plan të ambienteve të shkollës dhe oborrit të saj, plot lule e gjelbërim pishash të larta. Ngritën punishten e shkollës, barnatoren e shkollës, kooperativën e nxënësve, fushën sportive, kopështin e shkollës, i cili ishte kabinet natyror (me relievin e Anës së Malit dhe Ulqinit, me teoremën e Pitagorës, me pajisje për prodhimin e rrymës elektrike, me makinën e avullit, me pajisje për demonstrimin e shtypjes së ujit, me mullirin e thjeshtë, me bazenin e peshqve, me shtëpiza me shpezë, lepuj, bletë, saksi me lule etj.).
Jonuz Divani ishte edhe në krye të fushatës për zhdukjen e analfabetizmit, u angazhua edhe për emancipimin e femrës në fshat, për vazhdimin e shkollimit të nxënësve anamalas. Në përgjithësi, shkollën fillore të Katërkollës e cilësuan edhe si "Meka e Re", ndërsa drejtorin e saj, Jonuz Divanin, e quajtën "Makarenko i Anës së Malit". Andaj, Jonuz Divani zë vend nderi në historinë e re të shkollës dhe arsimit shqip në Mal të Zi.[4]
Shih edhe
RedaktoReferime dhe shënime
Redakto- ^ Mbiemri zyrtar i tij ishte Divanoviq.
- ^ a b Jonuz Divani, shembull që tregon se puna mësimore e edukative nuk guxon të matet me interesin ekonomik – ulqini-online.com[lidhje e vdekur]
- ^ Dr. Palokë Berisha: Zhvillimi i shkollave dhe arsimi i shqiptarëve në Mal të Zi prej vitit 1878 deri në vitin 1988, Art Club, Ulqin, 1997, fq. 210 - 217.
- ^ Hajrullah Koliqi: Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar. Libri Shkollor, Prishtinë, 2002, fq. 501.
Lidhje të jashtme
Redakto- TV Arhiv: Škola u selu Vladimir (sq. Shkolla në fshatin Katërkollë) – Inçizim i RTCG në shkollën e Katërkollës gjatë udhëheqjes së Jonuz Divanit