Këshilli për Financim i Kosovës
Këshilli për Financim i Kosovës (1992-1999) ka qenë një formë e organizimit për grumbullimin e mjeteve financiare për financimin e arsimit shqip si dhe të institucioneve tjera simotra të asaj kohe në Kosovë, në vitet 1992-1999, në rrethanat e vendosjes së administratës së jashtëzakonshme serbe. [1]
Historiku
RedaktoNë fillim të vitit 1991, arsimit shqip në Kosovë iu ndërpre financimi, mësimdhënësit shqiptarë mbetën pa të ardhura personale. Ndaj, në vitin 1992, u formua Këshilli Qendror i Financimit i Kosovës, i cili mori përsipër financimin e punonjësve të arsimit shqip. Këshilli përbëhej prej nëntë anëtarësh, përfaqësues të partive politike dhe të institucioneve të arsimit. U formuan, gjithashtu, edhe këshillat komunale të financimit dhe mekanizmat për grumbullimin dhe shpërndarjen e mjeteve financiare. Mekanizma të ngjashëm u formuan edhe në diasporë. Këshilli miratoi rregulloren për shpërndarjen e mjeteve financiare të grumbulluara. Financimi i rregullt i punonjësve të arsimit shqip nga ky këshill në Kosovë filloi më 1 prill 1992. Pagat e mësimdhënësve ishin minimale, ndonëse ato u rritën nga viti në vit. Pagat më të mëdha i kishin mësimdhënësit universitarë, ngase krijonin të hyra financiare nga pagesat e studentëve. Gjatë këtij procesi u paraqitën edhe vështirësi. Gjatë viteve 1992-1998, janë financuar rreth 20,000 punonjës të arsimit shqip në Kosovë, në të gjitha nivelet. 60% e mjeteve financiare për arsim janë grumbulluar në Kosovë, ndërsa rreth 40% të tyre Këshilli i ka marrë nga Qeveria e Kosovës në mërgim, të grumbulluara nga diaspora kosovare. [2]
Këshilli ka qenë i organizuar në nivel qendror (Këshilli Qendror i Financimit i Kosovës) dhe lokal (këshillat komunalë të financimit), i cili i vuri vetes objektiv dhe detyrë formimin e strukturës së gjerë në tërë Kosovën, organizimin profesional, zhvillimin e një veprimtarie intensive, për sigurimin e mjeteve për financimin e arsimit, të shëndetësisë, të asistencës sociale, të institucioneve politike, të kulturës, të “shkencës, të sportit dhe më vonë edhe të Luftës Çlirimtare. Fillimisht, kjo ndërmarrje kërcënohej nga dështimi, sepse edhe para saj kishte pasur disa përpjekje, por pa ndonjë rezultat të qëndrueshëm, prandaj u desh shumë kujdes në sqarimin dhe në bindjen e qytetarëve dhe në vënien e bazave të shëndosha organizative të këshillave. Këshillat u bënë pika fokale të përfaqësimit të të gjitha formave të organizimit të rezistencës së shoqërisë kosovare kundër regjimit shtypës e pushtues. Këshillat e financimit ishin gjithashtu organizime politike, të llojit të vet. Ata organizonin tubime të qytetarëve me qëllim të sqarimit për situatat që po kalonte Kosova, të mobilizimit për mbrojtjen kolektive të institucioneve të saj dhe të organizimit më të mirë në frymën e sakrificës së përditshme dhe të parreshtur.[3]
Këshilli për Financim i Kosovës vazhdimisht është përballur me përndjekjen policore hap pas hapi kundër Këshillit, në gjithë jetën e tij. Bilanci i pasojave nga ushtrimi i dhunës e i terrorit shtetëror serb mbi këshillat e financimit është i gjatë, por në përgjithësi mund të thuhet që asnjëri nga këshillat komunale e lokale, duke përfshirë edhe KQFK, nuk është kursyer nga kjo dhunë. Nga KOFK, kryetari i tij i parë, Mehmet Hajrizi, tri herë është ndaluar ose arrestuar nga policia dhe në të tria rastet është torturuar fizikisht. Kryetari i dytë, Ismail Kastrati, është arrestuar duke themeluar Odën Ekonomike të Kosovës dhe është dënuar me dy vjet e tre muaj burg, me akuzën e formuluar si “Organizim për rrënim të sistemit përmes grumbullimit të mjeteve financiare“. Janë arrestuar dhe keqtrajtuar gjithashtu edhe Destan Halimi e Muharrem Ibrahimi etj., kurse Ramadan Avdiu, për pak i kishte shpëtuar arrestimit dhe ishte arratisur jashtë vendit.[2]
Veprimtarët e këshillave thirreshin në të ashtuquajturat “biseda informative” policore, që në fakt ishin seanca shtrëngimi, kërcënimi, keqtrajtimi dhe torture fizike, bastiseshin në rrugë e në shtëpi dhe rriheshin para syve të familjes ose në vende publike, kidnapoheshin dhe mbaheshin me ditë të tëra në torturë, arrestoheshin dhe dënoheshin me burg ose edhe ekzekutoheshin, siç vepruan me Shefki Latifin, veprimtar i Këshillit në Podujevë, të cilin e vranë në krye të detyrës. Policia ishte “vizitore" e rregullt e selive të këshillave, me ç’rast konfiskonte tërë dokumentacionin, mjetet financiare dhe arrestonte veprimtarët. Për t’iu shmangur rrezikut të konfiskimeve, këshillat punonin në konspiracion, duke ruajtur dokumentet, në disa kopje, jashtë selisë dhe sidomos duke pasur kujdes për mjetet financiare, të cilat barteshin me shumë vështirësi. Megjithatë, policia grabitqare arrinte të fuste në dorë dokumentacion, por në disa raste edhe para, ndonëse në sasi të vogël. Nga shënimet e pjesshme, nëpër disa këshilla komunale, policia dhe forcat serbe arrestuan, keqtrajtuan e dënuan veprimtarët: Sadik Rexhaj, kryetar, Qazim Kabashi, kryetar, Hilmi Gashi, Bashkim Ibrahimi, (Prizren); Fahri Breznica, Agim Dibrani, Enver Mustafa, Naim Bajrami (Podujevë); Musa Rexhaj, kryetar, i torturuar rëndë dhe i dënuar me 4.5 vjet burg, Nimon Alimusaj, Shkëlzen Hyseni, Rexhep Mulhaxha, Jusuf Gjakova (Pejë); Hajriz Bekteshi, kryetar, Ferat Rexhepi, Izet Greiçevci, i vrarë gjatë luftës (Kastriot, ish-Obiliq); Ruzhdi Shehu, kryetar, Afrim Isufaj (Junik); Ilaz Loku, kryetar, Shefket Guri, kryetar, Ibrahim Shehu, Ramiz Shehu, Reshat Shehu, dëshmor (Kaçanik); Daut Latifi, Nazmi Bytyçi, Adem Mehaj (Istog); Hetem Kosumi, Ismail Kosumi, Florim Mushica (Gjilan), Shaban Deva, kryetar, i dënuar me tri vjet burg, Astrit Beqaj, sekretar, ka kaluar një kohë nën hetime, Gëzim Bejtullahu, i dënuar një vit burg (Gjakovë), Zijadin Bajçinca, kryetar, Isak Gojnovci, kryetar, Ferat Simnica (Fushë-Kosovë); Jakup Krasniqi, kryetar, Izet Ibrahimi, kryetar, Selim Shabani, Zahrie Podrimçaku, e dënuar me disa vite burg, Zejnullah Elshani, i arrestuar, si ushtari UÇK-së dhe i vrarë, Xhevat Bylykbashi, i arrestuar si ushtar (Drenas); Shaban Halimi, kryetar (Sharr, ish-Dragash); Muhamet Tafilaj, kryetar, Hilmi Muqa, Xhevat lbërhysaj, Xhavit Shala, Fazli Tolaj (Deçan); Gani Shala, Hajriz Loshi, ldriz Uka, Emin Halimi, kryetar, i dënuar me 20 ditë burg (Skenderaj); Milazim Morina kryetar, i dënuar me pesë vjet burg si ushtari UÇK-së, Xhemail Haxhimustafa kryetar, i dënuar me disa vite burg (Rahovec), Sadik Hoxhaj, Dashmri Susuri, Nexhip Kadria] (Zhur), Gafurr Xhafer Loku, i ekzekutuar bashkë me të birin, Dritonin, nga forcat serbe gjatë luftës, Bajram Dernjani, Kadri Kuka, Abdullah Daci (Hani i Elezit), Ruzhdi Jashari, Raif Rushiti e Hyzer Gashi (Shtime) etj.
Rëndësia e Këshillit të Financimit nuk ishte në vetvete vetëm si mekanizëm i sigurimit të ekzistencës, por edhe si institucion i lëvizjes dhe element i shtetësisë e ipavarësisë së Kosovës. Organizimi në nivel profesional, përkushtimi i vendosur dhe përballimi vetëmohues i persekutimit policor, fryma e lartë morale, përgjegjshmëria, llogaridhënia e transparenca e plotë dhe rezultatet evidente bënë që Këshilli të gëzonte jo vetëm besimin e gjerë të popullit të Kosovës e të organizmave të tij politikë e shoqërorë, por edhe admirimin e shumë përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët e vizitonin atë dhe mahniteshin me seriozitetin e veprimit dhe me të arriturat shumëdimensionale të tij.[2]
Shih edhe
RedaktoReferime
Redakto- ^ Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 785. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
- ^ a b c M. Hajrizi, I. Kastrati, B. Shatri (2007) Këshilli për Financim i Kosovës, Libri Shkollor, Prishtinë, fq. 5 - 280
- ^ https://pashtriku.org/mehmet-hajrizi-rendesia-politike-dhe-historike-e-keshillit-qendror-per-financim-te-kosoves/