Komiteti Nacional Revolucionar, shkurt njohur si KONARE (nga: Komiteti Nacional Revolucionar) ka qenë organizata më e njohur e majtë në mërgim gjatë gjithë viteve kur shtetin shqiptar e drejtoi Ahmet Zogu. Më 1927 ndryshoi emrin në Komiteti i Çlirimit Nacional.

Themelimi Redakto

Diplomacia sovjetike ishte aktive për "domosdoshmërinë e bashkimit të të gjitha rrymave opozitare-revolucionare". Përfaqësuesi sovjetik në Vienë A.A. Jofe, informonte më 7 janar 1925 zëvendëskomisarin për punët e jashtme Litvinov se Gurakuqi ishte dakord me planin, ndërsa ai vetë priste miratimin e propozimit në lidhje me Fan Nolin.

Presidiumi i Federatës Komuniste Ballkanike, në mbledhjen e datës 20 janar 1925 duke analizuar përbërjen e mërgatës antizogiste, vërente se grupimet ishin:

  • Anëtarët e "Klikës", grup ilegal me rreth 150-200 persona që vepronte në mënyrë të fshehtë. Vetëm në dukje pro lidhjes me Bashkimin Sovjetik dhe për federatën ballkanike.
  • Grupi i Zija Dibrës, Hasan Prishtinës, Mustafa Krujës, me ndikim në Shqipërinë e veriut. Edhe ky grup ishte pro federatës ballkanike.
  • Organizata "Bashkimi" me Zai Fundon në krye.
  • Grupi i Fan Nolit.

Faktori opozitar i lartpërmendur, më 25 mars 1925 në Vienë, me përkrahjen e Federatës Komuniste Ballkanike formuan Komitetin Nacional Revolucionar. Organizata "Bashkimi", përpos anëtarëve që ndejtën në Shqipëri, ishte e tëra brenda këtij Komiteti.

Në shpalljen programore të KONARE-së së datës 5 maj 1925, nënshkruar në Gjenevë, thuhej se Shqipëria kish vuajtur prej shfrytëzimit të një "kaste feudale", e cila kishte qenë në vitet 1913-20 nën drejtimin e Esat Toptanit e këtej e tutje ishte nën drejtimin e Ahmet Zogut. Konare-ja e akuzonte Zogun se donte ta kthente Shqipërinë në një provincë jugosllave, gjithashtu akuzonte ministrin britanik në Tiranë, Eyres, intrigat e të cilit e kishin shtyrë qeverinë Noli të dëbonte misionin sovjetik nga Shqipëria. Programi i Konare-së ishte "Shpëtimi i Shqipërisë nga tirania e Ahmet Zogut e shokëve të tij feudalë", vendosja e një republike të vërtetë, reformë agrare dhe rivendikimi i kufijve"[1].

Burime Redakto

  1. ^ Dervishi K., Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së, Tiranë: 55, 2016. fq. 45-47. ISBN 978-9828-106-38-4