Kalaja e Shëngjergjit
Kalaja e Shëngjergjit ndodhet në afërsi të fshatit Shëngjin të krahinës së Shëngjergjit, në anën lindore të vargut të Dajtit. Pikërisht këtu rrjedha e sipërme e lumit Erzen ngushtohet midis dy shkëmbinjve. Kalaja është ndërtuar mbi një pllajë malore e cila ka një gjatësi prej 200 m dhe një gjerësi prej 50 m.
Kjo pllajë në drejtim të jugperëndimit bashkohet me malin e Dajtit. Në krahun verior dhe atë lindor ajo bie rreth 300 m thikë mbi lumen Erzen, duke krijuar kështu një mbrojtie natyrore të sigurt dhe pothuaj të paprekshme nga sulmet. Nga pllaja ku është ndërtuar, ajo mund të kontrollojë një pjesë të mirë të luginës së lumit Erzen. Planimetria e saj është pothuajse katërkëndore, me përmasa 100 x 40 m. Në anën jugore aty ku kalaja bashkohet me Dajtin, ndodhet një mur që kalon në kurrizin e një kodrine. Në mes të murit ndodhet dhe një kullë, forma planimetrike e të cilës nuk është përcaktuar qartë nga autorët për shkak të vështirësive, pasi kulla ishte e mbuluar nga një mur që kishte rënë sipër saj. Por sipas tyre ajo mund të ketë pasur planimetri drejtkëndore. Muri ndjek shpatin lindor të kodrës. Në anën lindore të kodrës ndodhen dhe gjurmët e një akropoli të vogël i cili ndodhet në një kodër që ka madhësi të barabartë me kodrën që ndodhet në anën jugore. Përsa i përket mureve rrethuese, ata janë të ndërtuar me gurë pollçakë që ndodhen në vend. Muret janë të ndërtuar me gurë me përmasa mesatare dhe lidhen me njëri-tjetrin me llaç gëlqeror me përbajtie të shumtë rëre lumi. Brenda mureve rrethuese të kalasë janë gjetur mjaft gjurmë të banesave të mëparshe, ç’ka tregon se kjo kala mund të ketë shërbyer dhe si vëndbanim apo për strehimin e banorëve të zonës në kohë të pasigurta. Repertori i formave të enëve të qeramikës i gjetur aty është mjaft i varfër. Ajo përbëhet kryesisht prej tjegullash solene, që datohen në shek. IV-VI m. Kr. Materiali i qeramikës i gjetur, teknika e ndërtimit të saj si dhe forma planimetrike e lidhin këtë me një kështjellë garnizoni, që sipas autorëve është ndërtuar në shek. IV-VI m. Kr. Arsyeja për të cilën është ndërtuar kjo, ka qënë kontrollimi i rrugës që kalonte prej qafës së Priskës ose Tujanit për në Shëngjergj dhe që këtej kjo rrugë të çonte në Elbasan, Mat dhe Dibër.