Kisha e Shën Kollit (Kavajë)
Kisha e Shën Kollit në Kavajë, Shqipëri, është një kishë ortodokse e ndërtuar ne 1870.
Histori dhe përshkrim
RedaktoKisha e Shën Kollit në Kavajë u ndërtua në vitin 1870, pasi ortodoksët e Kavajës kishin marrë fermanin nga Sulltani. Ishte një ndërtim nga të gjitha faqet me mure guri me trashësi 70cm, me llaç gëlqere dhe me breza druri çdo 50cm. Çatia ishte e ndërtuar prej druri, mbuluar me tjegulla vendi. Në brendi kupolat, kollonat, kapitelet e tyre dhe kornizat horizontale ishin gjithashtu të punuara dru. Një pjesë e ikonave ishin pikturuar në muret anësore dhe në atë ballor, ndërsa kupolat që formoheshin mbrenda hapësirës së çatisë, ishin te suvatuara mbi rripa dërrasash dhe mbi këtë suvatim, ishin pikturuar ikonat. Ndërtesa e kishës nga pikpamja e monumentalitetit kishte vlerat e saj si ndërtim i gjysmës së dyte të shekullit XIX.[1]
Në vitin 1967, Rita Marko, atëherë sekretar i Parë i Komitetit të Partisë në rrethin e Durrësit vendosi në fillim t’ia jepte kishën kooperativës bujqësore të qytetit për magazinë, dhe pastaj dha urdhër për prishjen e saj me tjetër destinacjon. Në mars të vitit 1968 u vendos të projektohej një shtëpi kulture në Kavajë, në vendin ku ishte e ndërtuar Kisha e Shënkollit, në atë kohë e braktisur. Ndërtimin e shtëpisë së kulturës do ta përballonte kooperativa bujqësore e qytetit të Kavajës me fondet e saj, pasi ndërtesa e re do të mbetej pronë e saj. Pasi u paraqit projekt-idea (i ngarkuar Arkitekti I. Sukaj) u vendos që kisha të prishej komplet. Asaj do t’i mbeteshin vetëm dy faqet anësore gjatësore të mureve dhe faqja e pasme, të cilat, pas rikonstruksjonit, do të mbanin peshën e kapriatave metalike të çatisë. Punimet e ndërtimit drejtoheshin nga tekniku Llambi Dure.[1]
Kisha e re e Shënkollit në Kavajë u projektua duke u përshtatur mbi bazen ekzistuese të shtepisë së kulturës. Për të parë këtë mundësi rikontruksioni, në fillim të vitit 1992 erdhi nga Greqia një grup pune i drejtuar nga një inxhinier ndërtimi. Në konsultë për këtë qëllim u thirrën Z.I.Sukaj, si autor i projektit për zgjidhjen arkitekturore të shtëpisë së kulturës, që ish ndërtuar pas prishjes së kishës me 1967. Ky grup pune ngarkoi Ark. I.Sukaj të bënte një studim të ri, duke paraqitur një projekt-ide për ta përshtatur tani objektin nga shtëpi kulture në kishë, por nuk pati sukses. Pas dy vjetesh, në fillim të 1994, projekti i përfunduar dhe i gatshem për të filluar nga puna erdhi nga Greqia. Ai kishte disa elemente të projekt-idesë së hartuar dy vjet më parë nga Z. I.Sukaj. Projekti i ri hiqte mbulesën komplet të sallës së shfaqjeve (mbulesë me konstruksione metalike mbuluar me flete eterniti), ruante shumë elemente konstruktive vertikale përqark sallës dhe natyrisht shtonte të tjera struktura për pershtatjen që kërkohej.[1]
Për realizimin e këtij rikonstruksioni ishte caktuar një kufi fondi prej një milion USD. Ndërtimin e bëri shoqeria sipërmarrëse ndërtuese “Vllazen Haveriku” Kavajë, që e perfundoi në vitin 1997, me një fond pak më të vogel se kufiri i financimit.[1]