Kllezna
Kllezna është fshat i cili i takon Komunës së Ulqinit. Ajo shtrihet në luginën e Klleznës, prej fshatit Pelink e kufizohet me liqenin e Shasit. Ajo në veri-jug të Anës së Malit shtrihet në mes maleve Mozhur - Zhgep dhe Malit të Brisë nga Ulqini. Me Anë të Malit kufizohet me Malin e Shasit, Malin e Kërpnetit dhe Malin e Pavarës. Përbëhet prej dy tërësive: Kllezna e Sipërme (Kllezna naltë) dhe Kllezna e Poshtme (Kllezna poshtë), të cilat ndahen në mënyrë natyrore me sheun e Megjureçit.
Ky fshat në dokumentet arkivore dhe në histori ka tre emra: Kalezina, Kelezena dhe Kllezna. Po ashtu të moçmit pohojnë se dikur moti ky vendbanim i vogël, është quajtur Bria, e nga kjo ndërsa sot e kësaj dite përdoren toponimet: Mali i Brisë, Fusha e Brisë, Liqeni i Brisë, Mulliri i Brisë dhe Kroni i Brisë. Një ndër monumentet më të njohura në Kllezën është Urën e Klleznës, e cila është dëshmi e një lashtësie shekullore. E ndërtuar në vitin 1696 nga një mjeshtër dibran, varri i të cilit ende gjendet në një arë afër xhamisë së Klleznës, kjo urë ka qenë e vetmja që ka lidhë Ulqinin me Klleznën, por edhe me Anën e Malit dhe me Krajën.
Kllezna është e banuar me shqiptarë autoktonë mysliman dhe katolikë. Në Klleznën e Sipërme gjendet xhamia, ndërsa në Klleznën e Poshtme kisha. Por, edhe Kllezna, sikur të gjithë fshatrat e tjerë të banuar me shqiptarë në Mal të Zi, lëngon nga një plagë e dhimbshme – emigrimi. Sot në Kllezën kanë mbetur rreth 80 familje. Shumë familje nga Kllezna janë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shtete e Evropës, ndërsa shumë të tjera kanë dalë e jetojnë në Ulqin.
Demografia
RedaktoSipas regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi në vititn 2011, Kllezna kishte 291 banorë. Prej këtyre 165 në Klleznën e Sipërme dhe 126 në Klleznën e Poshtme.