Veshjet tradicionale apo kostumet e Ulqinit janë karakteristikë tradicionale e Ulqinit dhe rrethinës së tij që edhe gjatë shekujve të fundit e ka ruajtur origjinalitetin e vet. Pa marrë parasysh kontaktet e shumta kulturore, kostumet e kanë ruajtur atë pjesë të kulturës kombëtare që ka ndryshuar pak dhe që është ruajtur më gjatë.[1]

Ulqinakë duke vallëzar Gusharavelin.

Në bazë të përbërjes etnike te popullsisë kostumet e Ulqinit mund të ndahen në:

  • kostumin e malazezëve ortodoks
  • kostumin e shqiptarëve myslimanë të qytetit të Ulqinit (gjithashtu i njohur si kostumi i qytetit)
  • kostumin e shqiptarëve myslimanë të Anës së Malit
  • kostumin e shqiptarëve bregacorë katolikë
  • kostumin e shqiptarëve katolikë të Shestanit
  • kostumin e shqiptarëve malësorë katolikë
  • kostumin e myslimanëve të Goranës (ose të Mërkojeviqëve)

Të gjitha këto tipe të kostumeve tradicionale janë produkt i punëdorës shtëpiake. Për punimin e veshjes popullore përdoret leshi, pambuku dhe mëndafshi. Secila shtëpi kishte dikur veg horizontal në të cilin endnin gratë. Përpos endjes, gratë qëndisnin, qepnin aplikacione dhe thurnin. Megjithëse ka ndryshime në mënyrën e punimit, të dukjes dhe të veshjes së kostumeve kombëtare të femrave, mund të përmendim edhe disa karakteristika të përgjithshme. Femrat vishrin për trupi veshje të lehta, të punuara me fije bimësh ose mëndafsh, kurse mbi to vishnin veshje të rënda të leshta. Këmishat e tipit dinarik, jelekët, bohçet, koretat shquhen për mjeshtëri të madhe të punimit. Dukja e tyre është e theksuar me zbukurime të pasura që shquhen në mënyrë të qartë në ngjyrat e forta e të pastra me të cilat janë të ngjyrosura pëlhurat. Dukjes së veshjes kombëtare të femrave u japin një specificitet të veçantë, por edhe plotësim, shamitë e ndryshme, të cilat e shquajnë bukurinë e fytyrës së femrës. Veshja e meshkujve është më modestë edhe për nga punimi edhe për nga dekorimi. Këmishat e pëlhurës dhe tirqit o pëlhurës ose të zhgunit apo shajakut janë dy elementet themelore të veshjes që takohen në të gjitha grupet etnike të këtij rajoni. Ndryshimet e bëra në jetën shoqërore dhe ekonomike të popullsisë e kanë kushtëzuar ndryshimin gradual të veshjes. Ndërsa kostumet tradicionale tëmeshkujve gradualisht po zhduken, ato të femrave u janë përshtatur më shumë ndryshimeve, por janë ruajtur jo vetëm si kujtim i pjesës së bukur të kulturës tradicionale, por edhe si vërtetim i përkatësisë dhe i lidhjes me prejardhjen familjare. Kjo pasuri e kostumeve ruhet në Muzeun Etnologjik, i cili gjendet në Kalanë e Ulqinit.

Veshjet e shqiptarëve

Redakto

Veshjet e Shqiptarëve nëUlqin dhe Tivar.[2]

Veshjet e burrave

Redakto

Veshje burri me fustanellë

Redakto

Sipas të dhënave gojore dhe gravurave të kohës, në Ulqin, në Anën e Malit dhe Krajë fustanellat janë përdorur në shekullin XIX gjer në fillim të shekullit XX. Ato kanë qenë në përdorim në këto treva para veshjes me tirq. “në çerekun e parë të shekullit XX, krahas daljes graduale të kostumit me fustanellë nga përdorimi, një tjetër veshje burrash, që i pati kapërcyer mjaft kufijtë e zonave ku mbahej me parë (Shqipëria Verilindore e Kosova) ishte kostumi me tirq të bardhë ose të zinj”.

Veshje burri me tirq

Redakto

Në Ulqin e Tivar me rrethe veshje e burrit me tirq është shënuar në fund të shekullit XIX e në fillim të shekullit XX. Ajo i takonte variantit të veshjes së Malësisë së Mbishkodrës. Veshja ishte e njejtë si në Krajë ashtu edhe Anën e Malit. Këmisha qepej prej pëlhure të bardhë pambuku. Tirqit dhe xhamadani qepeshin prej zhguni të bardhë. “Tirqit zbukuroheshin anës së të qepurave dhe reth xhepave e shkekave me gajtan të zi ose të bardhë”. Brezi endej prej leshi, me vija për së gjati. Burrat vishin çorapë leshi e opinga lëkure. Në kokë vinin qeleshe të rafshtë. Në motë të lig, krahëve hidhnin strukën, e cila u hoq nga përdorimi në fund të shekullit XIX e në fillim të shekullit XX.

Veshje burri me brekushe

Redakto

Kjo veshje përdorej në Ulqin, në Krajë, në Anën e Malit e në Breg të Bunës, të bregabunasit. Veshja kryesisht përdorej verës. Këmisha qepej prej pëlhure të bardhë pambuku. Brekushet (apo “brakeshat”- si u thoshin në këto anë) ishin prej pambuku e më vonë prej kambriku të bardhë. Brezi endej me vija për së gjati me shumë ngjyra. Mbi këmishë veshin xhamadan e mitan. Qeleshja ishte në formë gjysmësferike. Prej stolive përdornin qostekë me orë; unaza etj.

Veshje burri me shallvare

Redakto

Në mesin e shekullit XIX e në fillim të shekullit XX, ulqinakët vishnin shallvare “Brendavekë” të kaltër të mbyllët. Vishnin edhe “binishin”, i cili ishte i gjatë deri përfundi gjunjëve, dhe qyrkun. Në kokë vinin fesin e kuq me xhufkë të madhe të kaltër të mbyllët. Prej stolive përdornin çibuk, orë..

Veshjet e femrave

Redakto
Veshja e femrave ulqinake
Redakto

Nuset dhe gratë e reja vishnin dimi prej mëndafshi, me këmbëza prej kadifeje. Këmisha dhe brezi ishin gjithashtu prej mëndafshi. Xhamadani qepej prej kadifeje dhe qëndisej me margaritar. Ato vinin mitan "anteri", binish. Nuset vinin në kokë "hilallëkun" të zbukuruar me margaritarë, vathë. Kur dilnin, vishnin tallaganin, të cilin e quanin "kapotë", ndërsa fytyrën e mbulonin me peçe të zezë "byrde". Tallagani ishte prej zhgunji ngjyrë kafe të errët. Ai kishte mëndë të gjata deri mbi llerë dhe kapole në formë katrore. Në fund të kapakëve dhe të shpinës ishte i qëndisur me gjilpërë, me fije leshi ngjyrë natyrore. Zbukurimet ishin në formë të vijave, të rrathëve të vegjël dhe të gjysmërrathëve.

Veshja e femrave të Anës së Malit

Redakto

Hulumtimet për këtë veshje janë bërë në Katërkollë, Millë, Sukubinë e në Kllezën. Nuset dhe gratë e reja vishnin këmishë të endur prej pambuku dhe brekë me këmbëza të punuara me dantellë. Përparësja “boçja” endej me vija tarshëse të ndryshme, brezi ishte i ngushtë. Në përparëse e breza paraqiteshin motive të skematizuara të gjarpërit. Ato vishnin xhamadan të zi. Në dimër përdornin xhokën prej zhgunji. Kur dilnin jashtë shtëpisë, vishin ferexhe “çarçaf” me peçe. Në kokë vinin dy shami. Shamitë ishin të bardha, rozer, të kuqe e sidomos të verdha.

Veshja e femrave myslimane të Krajës

Redakto

Kërkimet etnologjike për këtë veshje janë bërë në Kështenjë, në Arbëresh dhe Ostros. Nuset dhe gratë e reja vishnin këmishë të bardhë. Rreth hapjes së krahërorit, vishnin gjykësoren “grykën” prej pëlhure të bardhë. Përparësja “boçja” ishte prej pambuku, me vija të gjera vertikale. Në bel vinin brezin e ngushtë. Mbi këmishë vishnin xhamadan të zi ose të kaltër, anteri e xhybe, vishnin çorapë pambuku dhe këpucë. Në kokë, në pjesën e përparmë, gratë vinin “kordele” të qëndisur, ndërsa flokët i mbulonin me degërmi të bardhë. Ato përdornin “dallfeste” (este me florinj), vathë, unaza, margaritarë, gjrdanë me rende monedhash..

Veshja e femrave katolike të Krajës

Redakto

Këto veshje janë hulumtuar në Shestan, në Ljare dhe në Thtjan. Veshja dimërore përbëhej nga këmisha e bardhë, përparësja “boçja”, guna “zhgunji”, xhamadani prej zhgunji.. Përparësja “boçe” ishte me katrorë me ngjyrë të kuqe dhe të bardhë. Guna “zhgunji” endej në vek prej zhgunji të bardhë. Ajo zbukurohej me gajtanë shumëngjyrësh. Në pjesën e përparme, xhamadani kishte nga dhjetë sumbulla prej argjendi, të punuara me teknikën e petëzimit dhe me filigran. Në shpinën e xhamadanit, paraqitej motivi i skematizuar i gjarprit në formë të spirales si dhe motivi i rrathëve. Në zbukurime mbizotëronte motivi i trekëndëshave. Në bel vinin brezin prej leshi. Në kokë vinin “kërshet-in” dhe tri “tufa” prej mendafshi, të cilat kapëshin me një “gjysmëshami” të kuqe, mbi të cilën vinin shamin e bardhë.

Veshja e femrave zadrimore “bregacore”

Redakto

Kjo veshje kryesisht përdorej te femrat katolike në fshatin Shën Gjergj dhe në fshatra të tjera të Bregut të Bunës. Nuset vishnin këmishë të mëndafshtë e përparëse dhe në ije vinin shami. Mbi këmishë vishnin gunën “koret-in” me pala, të qepur prej shajaku kuq e zi. Mbi koret vishnin xhamadanin e shkurtër e mbi të mëngoren. Në kokë vinin marhamë të bardhë. Ato vinin shumë stoli rreth qafës, kraharorit e duarve. Gratë e reja vishnin këmish, e cila ishte shumë e qëndisur rreth kraharorit. Mesi dhe rrethi i mëngëve ishin të punuara me dantellë, ndërsa skajeve ishin të qëndisura. Ato vishnin mbështjellëse prej pëlhure të zezë e të hollë leshi me pala të dendura, boçe të kuqe, jelek të kuq.. Në kokë vinin rizë të verdhë, të endur prej mendafshi.

Veshja e femrave të Malësisë së Madhe-“malësoreve”

Redakto

Kjo veshje përdorej sidomos në Shtoj dhe në fshatra të tjera buzë liqenit të Shkodrës. Xhubletat e grave punoheshin prej rripave të zhgunjit, prej spiku dhe prej kadifeje të zezë. Të xhubleta dhe brezi prej lëkure paraqitej shqiponja në formë natyrore ose e stilizuar. Veshjen e shoqëronin këmisha, mitani, pështjellaku, brezi, çorapët, opingat, shamia, takija (“kapica”) dhe stolitë e tjera për zbukurim. Xhubleta e grave të Malësisë së Madhe, si vërejti F.Nopcsa, “na del që te një figurë prej dheu e periodës neolitike”.



Shiko dhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ http://www.ulqini.de/Kostymet_e_Ulqinit.htm
  2. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 30 shtator 2016. Marrë më 26 prill 2014. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)