Pavarësia e Shqipërisë

Redakto

Krijimi i shtetit të ri

Redakto

Pak kohë pas mundjes së turqve nga lidhja ballkanike, në dhjetor të vitit 1912 u thirr në Londër një konferencë ambasadorësh të Fuqive të Mëdha (Britanisë, Gjermanisë, Rusisë, Austro-Hungarisë, Francës dhe Italisë) për të vendosur mbi daljen e çështjeve të ngritura nga konflikti (lufta). Me mbështetjen e dhënë shqiptarëve nga Austro-Hungaria dhe Italia, konferenca ra në ujdi të krijohej një shtet i pavarur shqiptar. Por, në vendosjen e kufijve të shtetit të ri, duke pasur trysni të forta nga fqinjët e Shqipërisë, Fuqitë e Mëdha nuk njohën gjerësisht realitetin demografik dhe dorëzuan rajonin e gjerë të Kosovës serbëve, ndërsa në jug, Greqisë iu dha pjesa më e madhe e Çamërisë, një pjesë e zonës së vjetër të Epirit me qendër në Lumin Thíamis.

Shumë vëzhgimtarë dyshuan nëse shteti i ri do të ishte i zbatueshëm me rreth gjysmën e tokave dhe popullsisë shqiptare të lëna jashtë kufijve të saj, veçanërisht meqenëse këto treva ishin më prodhimtaret në drithëra dhe mbareshimin e bagëtive. Nga ana tjetër, një bashkësi e vogël rreth 35.000 veta me kombësi greke u përfshinë brenda kufijve të Shqipërisë. (Megjithëkëtë, Greqia që numëronte të gjithë shqiptarët e besimit ortodoks - 20 përqind të popullsisë - si greke, pohonte se numri i popullsisë me kombësi greke ishte më i madh seç mendohej). Që atëherë e më pas, pakicat greke e kosovare mbeten tema shqetësuese në marrëdhëniet Shqiptaro-Greke dhe Shqiptaro-Jugosllave.

Fuqitë e Mëdha poashtu caktuan një princ gjerman, Wilhelm zu Wied (Vilhelm cu Vid), si qeverisës të Shqipërisë. Vilhelmi mbërriti në Shqipëri në mars 1914, por mosnjohja e tij me Shqipërinë dhe problemet e saja, të përziera nga ndërlikimet e ngritura nga shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, e çuan atë në lënien e Shqipërisë gjashtë muaj më vonë. Lufta e zhyti vendin në një krizë të re, kur ushtritë e Austro-Hungarisë, Francës, Italisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Serbisë e zaptuan dhe pushtuan atë. Në Konferencën e Paqes të Parisit pas luftës, shuarja e Shqipërisë u shmang kryesisht nga përpjekjet e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Woodrow Wilson (Vudrou Uillson), i cili kundërshtoi një plan të Britanisë, Francës dhe Italisë të ndarjes së Shqipërisë midis fqinjëve të saj.

Një kongres kombëtar, i mbajtur në Lushnjë në janar 1920, hodhi themelet e qeverisë së re. Në dhjetor të po këtij viti Shqipëria, këtë herë me ndihmën e Britanisë, u pranua në Lidhjen e Kombeve, kështu duke fituar për herë të parë njohjen ndërkombëtare si një shtet dhe komb vetëvendosës. Shqiptaret me te shquar te shekullit XX : Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Ismail Qemali, Isë Boletini, Bajram Curi dhe Dedë Gjo Luli.