Kryengritja e vitit 1492
Kryengritja e vitit 1492 në Shqipërinë e Poshtme ishte një ndër kryengritjet antiosmane të shqiptarëve në fund të shekullit 15. Sulltan Bajaziti II u nis vetë në krye të ushtrisë osmane për ta shtypur por pas disa muaj luftimesh, duke qenë i pafuqishëm t'i nënshtrojë kryengritësit shqiptarë u detyrua të nënshkruante marrëveshje me ta e cila u njihte të drejtën e vetëqeverisjes dhe të mbajtjes së armëve. Gjatë fushatës u zunë robër mbi 8000 gra e fëmijë të cilët u shitën si skllevër në lindje, kurse burrat e zënë robër u gjymtuan dhe u vranë.
Sfondi
RedaktoGjatë viteve '80 vazhdoi vala e kryengritjeve antiosmane në Shqipëri. Një vatër e rezistencës ishte Labëria. Për nënshtrimin e saj në vitin 1486 u dërgua sanxhakbeu i Vlorës, Komjan Arianiti, me origjinë shqiptare, por forcat e tij pësuan disfatë, Komjani u zu rob prej shqiptarëve dhe u vra. Sulltani dërgoi një ushtri të fuqishme të drejtuar nga sanxhakbeu i Rumelisë, Sinan Pasha. Lëvizja antiosmane në vitin 1488 u zgjerua edhe në Shqipërinë Qendrore.
Fushata e sulltanit në Shqipëri
RedaktoUshtria osmane me sulltani Bajazitin II në krye arriti në Shqipërinë e Poshtme në maj 1492. Njëkohësisht flota osmane kishte bllokuar bregdetin për të mos u lënë kryengritësve shteg për ikje. Në korrik sulltani filloi veprimet luftarake kundër kryengritësve. U pushtuan dhe u shkatërruan kështjellat e Himarës e të Sopotit. Më pas forcat osmane tentuan të hynin në viset e brendshme për të shpartalluar kryengritësit të cilët bashkë me popullsinë civile kishin kaluar në malet e Labërisë. [1]
Shqiptarët luftonin me armë të lehta, me shtiza e shigjeta dhe i përdornin edhe shkëmbinjtë e maleve të cilët i lëshonin në drejtim të forcave osmane. Kronisti osman Ibn Kemali i cili mori pjesë në atë luftë shkruan: [2]
«[...] Aq të shkathët janë ata në kohën e luftës, sa që shpata nuk ua cenon dot dorën e shigjeta nuk u prek as gishtin[...]»
Pas sulmeve të vazhdueshme të forcave osmane, kryengritësit e Labërisë u përqendruan në dy maja mali ku kishin ngritur kulla. Njëri grup pasi rezistoi një kohë u detyrua të dorëzohej, me kusht që të liheshin të lirë, por osmanët shkelën premtimin, u prenë këmbë e duar e i hodhën tatëpjetë malit. Gratë dhe fëmijët që u kapën, u shitën skllevër në tregjet e Lindjes së bashku me 8000 robër tjerë të kapur gjatë fushatës. [3]
Ushtria osmane u përpoq të asgjësonte kryengritësit që vazhdonin qëndresën në malin tjetër. Luftimet vazhduan deri në fund të gushtit por pa sukses. Afrimi i vjeshtës dhe shpenzimet e mëdha që kërkonte mbajtja e një ushtrie të madhe për një numër të vogël shqiptarësh e shtyu sulltanin të kërkonte marrëveshje me kryengritësit. Sipas saj kundrejt një pagese të vogël vjetore atyre u njihej e drejta e vetëqeverisjes tradicionale, e mbajtjes së armëve kurse nuk do të vendosej as sistemi i timarit.[4]
Shih edhe
RedaktoLiteratura
Redakto- Pëllumb Xhufi (2002). Historia e popullit shqiptar: vëllimi i parë. Tiranë: Toena. ISBN 9992716223.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)
Referime
Redakto- ^ Akademia 2002, p. 475
- ^ Akademia 2002, p. 475
- ^ Akademia 2002, p. 475-476
- ^ Akademia 2002, p. 476