Kujtim i shkurtër mbi pasardhësit e familjes sonë të Muzakajve

Fisniku shqiptar, Gjon Muzaka, i cili kishte ikur nga Arbëria në vitin 1479 dhe ndodhej i mërguar në Napoli, ishte shumë i moshuar për t’i hipur kalit dhe për të marshuar i armatosur, krahas aleatëve të tij evropianë për të çliruar atdheun e tij.

Ai përgatiti “Memorien”, të shkruar në formën e një testamenti, për t’u dokumentuar bijve dhe pasardhësve të tij se ku shtrihej shteti i Principatës së Muzakajve, cilat ishin pronat dhe pasuritë e tyre, cilat ishin kufijtë e shtetit të tij, marrëdhëniet e Muzakajve me familjet e tjera princërore të Arbërisë, marrëdhëniet e shtetit të tyre me Perandorinë e Bizantit dhe me shtetet e tjera të Republikës së Venedikut, Serbisë, Mbretërisë së Napolit, Greqisë, Bullgarisë, Turqisë etj. Kush ishte Gjon Muzaka ? Ai ishte i biri i fisnikut shqiptar, Gjin Muzaka, despotit të Beratit, zot dhe sundimtar i Myzeqesë, Selenicës së Vlorës, Tomorricës, Skraparit, Oparit, Devollit, Korçës, Kosturit e deri në Janinë. Pas vdekjes së tij, titullin e despotit e trashëgoi djali i madh, Gjon Muzaka. Edhe Gjoni, ashtu si i ati, vijoi aleancat me Skënderbeun dhe fisnikët e tjerë shqiptarë, duke i qëndruar besnik dhe duke luftuar përkrah tij me armë në dorë kundër pushtuesve turq. Pas pushtimit të plotë të Shqipërisë nga Turqia, Muzaka ishte i fundit fisnik shqiptar që u largua nga atdheu i tij, në vitin 1479. Vdiq në Itali më 1510, vit kur shkroi edhe “Memorien” e tij të famshme. Trupi i Gjon Muzakës u varros në Frankavilë të Otrantos.

Historiku i dorëshkrimit

Redakto

Në vitin 1510, kur u hartua “Memoria”, kryqëzata që nisi me aq bujë të madhe dhe që ngjalli aq shumë shpresë tek shqiptarët, për fat të keq dështoi dhe nuk u riorganizua më kurrë. Po atë vit, vdiq edhe Gjon Muzaka. Titullin e despotit dhe “Memorien” e trashëguan bijtë e tij. Njëri nga djemtë e Gjonit, Kostandini, e plotësoi më tej “Memorien”, duke e pajisur me shënime dhe duke i shtuar shkrime të tjera. Pas Kostandinit, “Memoria” u trashëgua nga pjesëtarët e tjerë të familjes Muzaka dhe ky dokument u ruajt deri në vitin 1600, kur mendohet që u shua kjo familje. Pas këtij viti besohet se “Memoria”, që ishte në dorëshkrim, në pergamenë, të ketë kaluar në Bibliotekën e Brankaçiones të Napolit. Noli, në librin e tij “Gj. K. Skënderbeu 1405-1468”, përshkruan zbulimin në vitin 1863 të dorëshkrimit nga albanologu gjerman Karl Hopfi : “Hopfi zbuloi dorëshkrimin dhe mori një kopje nga bibliotekari Volpiçela. Ai e bëri të njohur zbulimin e vet më 1864 dhe vuri në dukje rëndësinë e tij”. Katër vjet më pas, historiani rus Makushev, botoi disa pjesë të zgjedhura nga “Gjenealogjia”, çka e detyroi Hopfin që ta botonte të plotë “Gjenealogjinë” në librin “Kronikat greko-romane” (Chroniques Greco-Romanes), në vitin 1873 pas gati dhjetë vjet pas zbulimit. Por, a është viti 1863 viti i zbulimit të dorëshkrimit? Historiani shqiptar Gegaj, i cili ka shkruar në vitin 1937 një histori të Shqipërisë me titull “Shqipëria dhe invadimi turk në shekullin e pesëmbëdhjetë”, shkruante se “Gjenealogjinë” e Muzakës e pat botuar më herët se Hopfi, Rika (Ricca). Por ky i fundit, sipas Nolit, botoi vetëm një dokument ku është përmendur “Gjenealogjia”. Ky informacion është shumë i rëndësishëm, pasi dëshmon se “Gjenealogjia” e Muzakës njihej të paktën që në vitin 1606.

Një historik të shkurtër të gjetjes së “Gjenealogjisë” së Gjon Muzakës nga Karl Hopf, na e tregon edhe historiani Pëllumb Xhufi në librin e tij “Nga Paleologët te Muzakajt” (2009). Xhufi shkruan se dorëshkrimin Hopfi e gjeti në shtëpinë e sekretarit mbretëror Skipion Volpiçela në Napoli. Një ekzemplar të saj, Hopf ia dhuroi albanologut Hahn me qëllim që ai t’ia bënte të njohur atë botës shkencore. Në pamundësi që t’i shkelte vetë vendet e përshkruara në kronikën e Muzakës, Hahn ia besoi një kopje dr. Auerbahut, mjekut të karantinës së Vlorës. Xhufi, në veprën e përmendur, shkruan se kopja e ekzemplarit të “Gjenealogjisë” së gjetur nga Hopfi, kishte mbërritur edhe në Shqipëri që në vitin 1885. Kjo kopje përfundoi në koleksionin e Peshkopit të Beratit, Anthim Aleksudhi, i cili, me një shënim të tij, e dorëzoi në Bibliotekën Kombëtare të Athinës, ku u gjet në sektorin e dorëshkrimeve të rralla. “Memoria” e Gjon Muzakës është dokumenti më i rëndësishëm i shkruar nga një bashkëkohës i Skënderbeut. Albanologu austriak Johan Georg fon Han (1811-1869) e ka vlerësuar zbulimin e Hopfit, duke e quajtur një “margaritar të zbulimeve të tij”. Por pati edhe nga ata historianë, veçanërisht të huaj, që e panë me rezerva “Gjenealogjinë” e Muzakës. Historiani gjerman Franc Babinger shkruan se te “Don Gjon Muzaka, në shumë gjëra të veçanta në të vërtetë janë të diskutueshme”. Kurse Ducellier e konsideron atë “një material me të dhëna konfuze”. Por, pavarësisht kritikave, “Memoria” e Gjon Muzakës është vlerësuar nga shumë studiues të huaj dhe shqiptarë, si një pasqyrë e realitetit shqiptar të periudhës skënderbejane të shekullit XV. Ajo ka qenë një dokument i vyer historik që ka shërbyer si bazë për tekstin e Historisë së Shqipërisë për periudhën e shekullit XV. Pëllumb Xhufi e konsideron kronikën e Gjon Muzakës si “një burim të dorës së parë dhe të pazëvendësueshëm për historinë mesjetare të Shqipërisë”. Në vitet ‘30 të shekullit XX u bënë përpjekje nga disa priftërinj katolikë të qytetit të Shkodrës, për ta kthyer në shqip “Memorien” e Gj. Muzakës, duke përkthyer disa pjesë të tij në revistën periodike “Hylli i Dritës”. Në vitin 1996 “Memoria” u përkthye dhe u botua nga studiuesi Dhori Qiriazi.