Kullat e Junikut
Trashëgimia kulturore dhe pamja turistike janë gërshetuar së bashku, madje të krijojnë përshtypjen se kanë mbrojtur me shekuj njëra-tjetrën. Kullat (banesa familjare të fortifikuara, shtëpi sipas traditës shqiptare), janë banesat që të bien në sy, të ndërtuara me gur të forta e të larta.
Kullat, sot nën petkun e trashëgimisë, në Junik janë restauruar dhe po vazhdon restaurimi i tyre, të ofrojnë ngrohtësinë familjare e kombëtare. Ato janë të hapura dhe për vizitorë. Brenda tyre ofrohen bujtina, si dhe ushqime tradicionale, në frymën ashtu siç jetonin familjet shqiptare dikur.
Kulla e “Ramë Zeqirit” është një nga to që ofron për vizitorë ushqim tradicional në restorant si dhe dhoma për fjetje për turistë ngjashëm me odat, po ashtu dhe qëndrimi ditën i turistëve apo gjatë mbrëmjes bëhet në odën të ulur përreth oxhakut. Rexhep Krasniqi, është një nga pasardhësit e familjes së Ramë Zeqirit, që tregon se viti i ndërtimit të kullës daton në 1860, kurse vizitorët sipas tij në fluks më të madh vijnë vikendeve dhe sezon së verës. Ai thotë se ndërkombëtarët e preferojnë ushqimin tradicional dhe qëndrimin në dhomat e kullës.