Lëvizja Kaqake në Karadak
Lëvizja Kaçake në trojet shqiptare, në formë guerile, paraqitet që nga shekujt XVI-XVII të periudhës së sundimit të Perandorisë Osmane. Në këtë trajtë e formacion ajo ekziston deri në vitet e 40-ta të shekullit XX. -Flaka e luftës, u përhap në të gjitha trojet shqiptare të Kosovës. Kështu zjarri i kësaj kryengritjeje, u përhap edhe në Anamoravë. Në rrethin e Gjilanit, kushtrimin për kryengritje e dha Lotë Vaku me çetën e tij, i cili me një aksion të rrufeshëm kundër xhandarmërisë serbe, e cila kishte shkuar të plaçkiste fshatrat e Malësisë së Gjilanit në Karadak e që pastaj u përhap edhe në fshatrat e Moravës së Epërme, në Kabash e në Beguncë e në fshatra të tjera, të prira nga Xheladin Limani (Xhel Guri), Islam Ali Jusufi Drenogllava, Ali Ramadani – Kabashi, Murtez e Liman Sylejmani-Begunca, Fazli AjetiÇaushi nga Godeni dhe prijës të tjerë të çetave kaçake në Anamoravë. - Po prijësi më i njohur i kryengritjeve antiosmane të vitit 1910 i Betejës së Termopileve Shqiptare, në Grykën e Kaçanikut ishte Idriz Seferi-Kreshniku i Karadakut, i cili deri në vitin 1913 qëndron me pushkë në dorë, por për shkak të moshës së pleqërisë dhe rrethanave të tjera, ai pas këtij viti tërhiqet nga jeta e kaçakut, por megjithatë me përvojën e tij të gjatë jepte udhëzime dhe këshilla për çlirim nga robëria serbe. Lëvizja Kaçake, sipas veprimeve të çetave, ishte e ndarë në 16 zona operative. Gjilani dhe Karadaku bënin pjesë në zonën e trembëdhjetë me udhëheqësit më të njohur të çetave, si: Lotë Vaku, Xheladin Limani (Xhel Guri), Ali Nekoshtaku, Behxhet Runica etj. Kryengritja u shua në qershor – korrik 1919, por rezistenca me pushkë në dorë e Lëvizjes Kaçake ndër male vazhdoi edhe më tutje. Vlenë të përmendim se në këtë zonë operative, udhëheqës i autorizuar nga Komiteti i Mbrojtjes së Kosovës dhe përgjegjës i zonave të Prishtinës, të Llapit, të Ferizajt, të Karadakut, të Gostivarit e të Pazarit të Ri ka qenë i famshmi Ibush Vuçitërnalia, i njohur në popull si Ibush Aga, i cili ka qenë njëkohësisht edhe anëtar i kryesisë së Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës në Shkodër.
- Zona e Karadakut (Gjilanit) bashkë me atë të Ferizajt përbënin një lidhje natyrore me zonën operative të Shkupit, Tetovë-Gostivarit e deri tek ajo e Dibrës dhe e Manastirit. Këtë lidhje e dëshmon edhe rasti kur më 20 qershor 1920, Hasan Prishtina, nën përcjellje të Azem Bejtës, udhëtoi për në Sofje të Bullgarisë për të koordinuar bashkëveprimin me Komitetin e VMRO-s, me qendër në Sofje për rezistencë të përbashkët në luftë kundër pushtetit okupues serb, e ku zona në fjalë luajti një rol të rëndësishëm. Në popull nuk është paraqitur Hasani, por ai ishte i shoqëruar nga Azem Bejta, i cili e siguroi shkuarjen e tij në Sofje, ku qëndroi prej 5-7 qershor 1920. Nga ky konsultim, pas kthimit nga Sofja e Bullgarisë pasoi Kuvendi i Lëvizjes Kaçake në Murgull të Llapit, i mbajtur më 17-20 qershor 1920, në të cilin nga zona e Gjilanit – Karadakut, mori pjesë Xhel Guri e Lotë Vaku, në përcjellje të të cilëve ishte çeta e Xhelë Gurit. Në këtë çetë pat marrë pjesë edhe kaçaku i vitit 1912, Sali Staneci, të cilit në tetor 1912, ushtria serbe ia pati rrëmbyer familjen dhe e kushtëzoi që të dorëzohet. Saliu u dorëzua, por tani regjimi serb e kushtëzoi që të ndërrojë edhe fenë edhe emrin, i cili për të shpëtuar familjen pranon të ndërrojë fenë dhe emrin nga Sali në Savë, ndaj shokët e vet në shpoti, e quanin Sali Sava, i cili nuk e lëshoi kurrë pushkën nga dora në luftë kundër pushtetit okupues serb deri më 1927 kur i humb çdo gjurmë. Çetës së tij, më 1918, i bashkohet edhe Jusuf Baftjari alias Hoxhë Lipovica, i cili pasi vrau udhëheqësin e njësitit xhandar serb, që ia masakroi familjen, qëndroi në mal deri më 1921, kur dorëzohet dhe dënohet me 20 vite burg të rendë, nga të cilët 13 vite i mbanë.
- Duhet përmendur edhe konfliktin e grupit të kaçakëve të armatosur, të udhëhequr nga Jakup Deda i Gjilanit dhe Jusuf Kajolli i Gjylekarit, me okupatorin bullgar në Gjilan më 1918. Konflikti filloi pas një mosmarrëveshje me bullgarët dhe pas një lufte të ashpër dhe të pabarabartë, gjatë natës, të rrethuar në një shtëpi afër qendrës, pasi digjet shtëpia, mbetën të vrarë Jakup Deda dhe Jusuf Kajolli me 5-6 kaçakë të tjerë, disa i shpëtuan rrethimit. Poashtu duhet përmendur rasti i kaçakut Xhafer Jabuqa i Livoqit të Epërm, i cili pasi ekzekuton në qendër të Gjilanit komandantin e xhandarmerisë me emrin Lubo, i bashkohet njësive kaçake, dhe pastaj në luftë të ashpër me xhandarët vritet më 1927 në fshatin Zhegër.[1]