Latif Sali Fodulli Lindi në Çepan të Skraparit më 17 janar 1940. Pasi mbaron shkëlqyeshëm shkollën fillore shkon në shkollën shtatëvjeçare në konviktin e Ujit të Ftohtë, Vlorë, të cilën e përfundon, gjithashtu shkëlqyeshëm, në qershor të vitit 1954. Në shtator të atij viti fillon në Politeknikumin “7 nëntori” Tiranë, dega Gjeologji-Miniera ku u diplomua teknik i mesëm minierash me rezultatin shkëlqyeshëm, emri i tij shkruhet në Tabelën e Artë të shkollës. Në korrik 1958 emërohet në Ministrinë e Ndërtimit (Drejtoria Hidroteknike), punon teknik i mesëm për gjeologji ndërtimi por kryen jo pak detyra inxhinierike, në Lushnjë, Bistricë, Roskovec, Durrës, Milot, Shkopet, Korçë, Vlorë, dhe Tiranë, me vlerësime të shkëlqyera. Në korrik 1961 konkurron për aktor dhe fiton të drejtën për të filluar studimet në Institutin për aktor Teatri, por po në tetor të atij viti dërgohet me bursë shteti për studime në Kinë (në qytetet Pekin e Shenian) ku, pas pesë vitesh studimi, diplomohet inxhinier elektrometalurg me diplomë të shkëlqyer. Pasi u kthye nga Kina, në dhjetor 1966 u caktua inxhinier në laboratorin e uzinës mekanike ushtarake të Poliçanit, ku punoi vetëm 149 ditë. Më 12 maj 1967 u gjend i mbytur në lumin Vjosa, kur më 28 prill kish qenë dërguar me shërbim në Uzinën e Gramshit.

Pavarësisht nga jeta shumë e shkurtër e tij, Latifi la një trashëgimi jo të vogël në drejtim të profesionit që ushtroi si teknik gjeolog dhe si inxhinier elektrometalurg. Janë të shumta punimet që ka lënë ai në fushat e gjeologjisë, të formacioneve të tokës ku do të ndërtoheshin veprat e planifikuara, diga, argjinatura, tunele, ndërtesa, fabrika, shtylla tensioni të lartë, etj, të cilat meritojnë të studiohen dhe të evidentohen për të parë përmasat e këtij njeriu.

Por Latifi, veç punës dhe profesionit, ka qenë një shkrimtar dhe artist i vërtetë. Ai ka lënë 44 skica letrare, 16 tregime, 79 poezi, 27 reportazhe të ndryshme, kritikë letrare 11 faqe të printuara ; skeçe e pjesë teatrale : (bashkëkohësit tregojnë se ka shkruar disa të tilla, por nuk gjendet asnjë dorëshkrim në arkivin personal, kurse arkivi i degës minerale, të shkollës së mesme, ku shpresohej se mund të gjendej ndonjë, është djegur në vitin 1992) ; përkthime nga gjuha kineze ; nga gjuha angleze ; nga gjuha ruse, letërkëmbime, shënime, letra e dorëshkrime të ndryshme e të shkruara në gjuhët kineze, angleze, ruse e franceze, të përkthyera dhe të pa përkthyera ; 189 Vizatime; ditar personal : fotografi artistike personale e kolektive 137 copë...