Nuk ka versione të shqyrtuara të kësaj faqe, ndaj mund të mos jetë kontrolluar përputhja e saj me standardet.

Lili Këlliçi valltare shqiptare, lindi në 2 qershor 1932 në Tiranë. Që në fëmijëri ajo tregoi dhunti në artin e kërcimit dhe e filloi jetën e saj artistike që në moshën 13 vjeçare në Shtëpinë e Pionierit, ku u aktivizua me grupin e valleve. Fal pasionit dhe punës me grupin e valleve emërohet valltare në Filarmoninë e Shtetit, ku mori pjesë në premierat e para të Filarmonisë si “Flamuri i Paqes”, “Shatrivani i Bahçisarajt”, “Esmeralda”, apo edhe në vallet e operave “Rusallka”, “Ivan Susanin”, operetën “Agimi”, etj.

Ka marrë pjesë në shumë turne, festival të rinisë botërore në Hungari e Gjermani, në koncerte të trupës jashtë atdheut, ku është dalluar për nivelin e lartë të interpretimit. Në vitin 1957, kur u themelua “Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore”, Lili do të emërohej si një nga dy solistet e para të grupit të valleve dhe për 15 vite rresht interpretoi me mjeshtri e origjinalitet në pjesën më të madhe të valleve, në skena të ndryshme të vendit, por edhe jashtë Shqipërisë, ku shkëlqeu me elegancën, elasticitetin dhe frymën shpirtërore që i dha valles shqiptare.

Ajo shkëlqeu me interpretimin brilant të valleve popullore shqiptare, nga jugu në veri duke krijuar një figurë të veçantë artistike në vallet si: “Vallja e vajzave të Tropojës”; Vallja e Dardhës”, ”Vallja e Dibrës”, ”Dropullitja”, ”Potpuri tiranase”, “Vallëzimi i shqipeve”, etj. Për gjithë veprimtarinë e saj artistike, ajo është vlerësuar me titullin “Naim Frashëri”. U nda nga jeta më 2 gusht 2021.