Lokacioni Industrial
Lokacioni industrial tregon vendndodhjen ideale të një ndërmarrjeje ku ajo siguron maksimizim të fitimeve. Lokacioni Industrial përcaktohet pas analizës së faktorëve të ndryshëm që ndikojnë si në procesin e prodhimit, ashtu edhe në atë të shpërndarjes së produkteve të përfunduara. Përzgjedhja e gabuar e lokacionit të një industrie ndikon në rritjen e kostove të prodhimit dhe mundësive të përshtatjes së saj me ndryshimet e shpejta të tregut.
Çështja e gjetjes së vendndodhjes më të mirë të aktivitetit prodhues shfaqet në dy nivele hapësinore.
Niveli i parë është rajonal dhe interesohet (shqetësohet) për përcaktimin e rajoneve që ofrojnë më shumë avantazhe për lloje të ndryshme të industrive krahasuar me pjesë të caktuara të një shteti ose edhe të shteteve të ndryshme me njëri-tjetrin.
Niveli i dytë është më i lokalizuar dhe i përqendruar në një lloj të veçantë ndërmarrjeje industriale. Ai përpiqet t'i japë përgjigje pyetjes, se pse një industrialist zgjedh që të vendosë aktivitetin prodhues në një vend të caktuar dhe jo diku tjetër? Në formulimin e përgjigjes duhet të përfshihen një sërë faktorësh tërheqës dhe favorizues si dhe ndikimin e kufizimeve fizike, politike, ekonomike dhe kulturore. Disa nga këta faktorë janë të rëndësishëm në të dy nivelet e analizës, ndërsa disa janë më të kufizuar, por asnjëherë nuk qëndrojnë më vete.
Faktorët lokacionalë karakterizohen nga ndërlidhje komplekse, rëndësia e tyre ndryshon me kalimin e kohës dhe në varësi të industrive ose rajoneve. Pavarësisht nga kjo, ato të gjitha janë të lidhura me parimet e lokacionit, të cilët mendohet se veprojnë në të gjithë sistemet ekonomikë, veçanërisht në ekonomitë e tregut të lirë.
Parimet kryesore të lokacioneve industriale
RedaktoParimet, ose "rregullat bazë" mbi të cilat mbështeten teoritë e lokacionit industrial janë:
a. Disa nga kostot e lëndëve të para për t'u përpunuar janë kosto fikse (të pandryshueshme) në një hapësirë të caktuar.
b. Në ndryshim nga kostot fikse, ekzistojnë kostot e ndryshueshme në varësi të hapësirës, të cilat ndryshojnë në mënyrë të ndjeshme nga njëri vend në tjetrin.
c. Qëllimi final i çdo aktiviteti ekonomik është maksimizimi i fitimit.
d. Meqenëse në totalin e kostove të prodhimit disa prej tyre janë pothuajse të njëjtë, pavarësisht nga distanca, kostot fikse nuk kanë një rëndësi të veçantë dhe nuk merren parasysh në përzgjedhjen e lokacioneve me kosto më të ulët.
e. Çmimet e transportit, që përmbledhin kostot e grumbullimit të lëndës së parë dhe të shpërndarjes së prodhimeve - janë kosto që ndryshojnë shumë në varësi të vendit.
f. Ndërmarrjet industriale rrallë funksionojnë të vetme, ato janë pjesë e proceseve dhe mjediseve prodhuese në të cilat ndërvarësia rritet me rritjen e kompleksitetit të proceseve industriale[i].
Këto parime janë përgjithësime rreth tendencave të lokalizimit të industrisë. Rëndësia e tyre është relative dhe e ndryshme në varësi të tipit të industrisë apo ndërmarrjes prodhuese. Gjithashtu, roli i tyre varet nga ndikimi i kufizimeve ekonomike, politike dhe mjedisore në diktimin e vendimeve lokacionale.
Faktorët e Lokacionit Industrial
RedaktoFaktorët që kanë ndikuar dhe vazhdojnë të ndikojnë lokalizimin e saj në hapësirë kanë ndryshuar vazhdimisht. Në fazat e para të industrializimit, faktorët gjeografikë ishin vendimtarë në përzgjedhjen e lokacionit të ndërmarrjeve ose komplekseve industriale. Në ditët tona mund të themi që teknologjia me zhvillimin që ka arritur ndikon fuqishëm në shpërndarjen e aktivitetit industrial në botë, duke i kaluar në plan të dytë shumë nga faktorët natyrorë.
Faktorët që ndikojnë në lokalizimin e industrisë ndahen në dy grupe të rëndësishme:
1. Faktorët gjeografikë (lënda e parë, toka, klima, burimet ujore dhe të energjisë etj.);
2. Faktorët shoqëror ekonomik (Kapitali, puna, transporti, kërkesa, tregu, forma e qeverisjes, sistemi politik, struktura e taksave, menaxhimi etj.)[ii].
References:
Redakto1. Chand, Smriti. Factors Controlling and Influencing the Location of Industries
2. J. W. Harrington, Barney Warf. Industrial Location: Principles, Practice, and Policy. Published by Routledge. New York, USA. 1995
[i] J. W. Harrington, Barney Warf. Industrial Location:Principles, Practice, and Policy
[ii] Chand, Smriti. Factors Controlling and Influencing the Location of Industries