Majlinda Dhuka
Majlinda Dhuka Ministëre Shteti dhe Kryenegociatore në Shqipëri. Znj. Majlinda Dhuka është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, si dhe mban diplomën “Master në Studime Evropiane”. Ajo ka kryer edhe disa studime pasuniversitare dhe trajnime, brenda dhe jashtë vendit, në të drejtë publike të Bashkimit Evropian, në Qendrën e së Drejtës Publike Evropiane (European Public Law Center) e në Universitetin e Athinës; marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci, si dhe lidership, inovacion dhe qeverisje ekonomike në Shkollën për Qeverisje John F. Kennedy (John F. Kennedy School of Government) në Universitetin e Harvardit.
Znj. Dhuka ka kryer disa funksione drejtuese si nëpunëse civile në drejtori dhe departamente si të legjislacionit; zhvillimit dhe planifikimit strategjik në Bashkinë e Tiranës, si dhe në bashkëpunimin për zhvillim dhe ndihmën e huaj; programimin e zhvillimit – planifikimin strategjik; mirëqeverisjen dhe politikën publike, në Kryeministri. Gjithashtu, znj. Dhuka ka luajtur rolin e Zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave.
Znj. Dhuka ka kontribuar edhe në fushën akademike, si lektore në shkollën e Magjistraturës, si dhe në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës etj. Është njohëse e disa gjuhëve të huaja.