Medreseja e Vushtrrisë
Medreseja e Vushtrrisë ose e njohur edhe me emrin Medreseja e Gazi Ali Beut ka qënë një medrese që ka funksionuar në qytetin e Vushtrrisë prej gjysmës së dytë të shekullit XV deri në vitin 1950.
Historiku
RedaktoMedreseja më e vjetër e ngritur në trojet shqiptare konsiderohet se është Medreseja Medah, e ndërtuar nga udhëheqësi i Shkupit, Jigit Pasha, rreth vitit 1398.[1] Kjo medrese ka nxjerrë shumë personalitete të shquara, midis të cilëve më i njohuri është filozofi Lutfullah Efendiu. Sot pranë medresesë gjendet edhe tyrbja dhe varri i Jigit Pashës. Medreseja e dytë është Medreseja e Is’hak Beut, po ashtu në Shkup, e hapur para vitit 1411.[2] Këto institucione edukative dhe arsimore u bënë qendra të rëndësishme për zhvillimin e arsimit dhe kulturës islame në rajon.
Medreseja më e vjetër në Kosovë konsiderohet se është themeluar në Vushtrri mes viteve 1444 – 1455,[3] ose më së largu deri kah fundi i shekullit XV. Themeluesi i saj ka qenë Gazi Aliu Beu, sanxhakbej i kohës. Pas kësaj, u themeluan edhe medrese të tjera, si Medreseja e Mehmet beut në Pejë (1516) dhe Medreseja e Gazi Mehmet pashës në Prizren (1537). Me kalimin e kohës, u hapën medrese edhe në qytete të tjera. Kështu p.sh. në shekullin XVIII numri i tyre u shtua aq shumë sa kishte edhe qytete me më shumë se një medrese. Edhe në Vushtrri në gjysmën e dytë të shekulli XIX dhe në fillim të shekullit XX do të funksionojnë dy medrese.
Medreseja e Gazi Ali Beut në Vushtrri, së bashku me hamamin e qytetit dhe një xhami, janë ndërtuar nën përkujdesjen financiare të Gazi Ali Mihalollit.[4] Edhe pse të dhënat direkte për vitet e para të themelimit dhe funksionimit të saj janë të pakta, në defterin e regjistrimit të popullsisë nga viti 1569/70 krahas myezinëve, imamëve, kadilerëve, hatibëve, mytevelinjëve, shehlerëve, dervishëve, mualimëve, talebeve, etj. përmendën edhe dy studentë të medresesë (Memi i biri i Ibrahimit dhe Sylejmani i biri i Ibrahimit).[5] Ekzistimin e kësaj medreseje në Vushtrri e përmend edhe Evlija Çelebiu në udhëpërshkrimet e tij të vitit 1662.[6] Ekzistenca e saj dëshmohet edhe në dokumente të tjera të viteve 1822, 1874, 1889, 1893, 1896, 1900, 1910, 1935, 1943, etj.[7]
Në Arkivin e Kosovës ruhet edhe një diplomë e vitit 1885, e cila dëshmon për punën e kësaj medreseje dhe mësimdhënësit e saj. Diploma është e Haxhi Mustafës, të cilën e kishte lëshuar myderrizi Haxhi Ahmet efendiu nga Vushtrria. Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX në këtë medrese dhanë mësim edhe dijetarë të tjerë si: Abdylkadër Efendiu, Hasan Myderrizi, Nasi Ahmeti,[8] Tahir Popova, Selim Sami Drejta, Sabit Murat Zajmi, Emin Ismajl Hoti, etj.[9] Nga një dëftesë e lëshuar më datën 25 shkurt 1935 vërehet se në këtë institucion arsimor mësoheshin këto lëndë mësimore: 1. Kur’ani, 2. Alfabeti arab, 3. Gjuha arabe, 4. Gjuha osmane, 5. Historia osmane, 6. Itikadet, 7. Ibnadat.[10] Gjuha shqipe nuk mësohej si lëndë e veçantë mësimore prandaj edhe nuk figuron fare në plan programin e saj por ajo ishte gjuhë e komunikimit mes personelit arsimor dhe nxënësve të saj. Krahas kësaj gjuha shqipe mësohej edhe fshehurazi nga nxënësit dhe mësimdhënësit e këtij institucioni arsimor fetar. Medreseja kishte mësonjëtoren dhe gjashtë dhoma mësimi të ndërtuara enkas për këtë qëllim.[11] Pas vitit 1945 medreseja ka funksionuar me pengesa si dhe është përballur me vështirësi të ndryshme, ndërsa në vitin 1950, është mbyllur përfundimisht.[12]
Shih edhe
RedaktoReferime
Redakto- ^ Nexhat Ibrahimi (2017) Fjalori Enciklopedik Islam. Logos – A, Shkup, fq. 534 - 535
- ^ "Medreseja Medah dhe një hoxhë si Ataullah ef. Kurtishi". KOHA. 2017-11-18. Marrë më 2024-07-30.
- ^ "Zanafilla e medreseve në trojet shqiptare – Dituria Islame" (në anglishte amerikane). Marrë më 2024-07-30.
- ^ https://www.researchgate.net/profile/Genti-Kruja/publication/343554980_NJE_VESHTRIM_ANALITIK_MBI_ARSIMIN_ISLAM_NE_SHQIPERI/links/5f31513b92851cd302ed4301/NJE-VESHTRIM-ANALITIK-MBI-ARSIMIN-ISLAM-NE-SHQIPERI.pdf
- ^ Grup autorësh (2003) Vushtrria – Viciana me rrethinë, Kuvendi i Komunës së Vushtrisë, fq. 96 - 97
- ^ Jusuf Osmani (2005) Vendbanimet e Kosovës – Vushtrria, fq. 234
- ^ Grup autorësh (2003) Vushtrria – Viciana me rrethinë, Kuvendi i Komunës së Vushtrisë, fq. 312-314
- ^ Ferit B. Dibrani (2010) Arsimi shqip në Vushtrri përballë pushtuesit serbë. fq. 15
- ^ Mehmet Kraja (red.) Fjalori Enciklopedik i Kosovës 2. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, fq. 1079
- ^ Grup autorësh (2003) Vushtrria – Viciana me rrethinë, Kuvendi i Komunës së Vushtrisë, fq. 312-314
- ^ Mehmet Kraja (red.) Fjalori Enciklopedik i Kosovës 2. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, fq. 1079
- ^ "Kompleksi dhe Medresja e Gazi Ali Beut në Vushtrri - DRINI.us". web.archive.org. 2024-07-30. Arkivuar nga origjinali më 30 korrik 2024. Marrë më 2024-07-30.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)