Mejreme Berisha Shema
Mejreme Berisha-Shema u lind në fshatin Leletiq (Rrezore) më 8 nëntor 1945, komuna e Lipjanit. Ishte anëtare e Lëvizjes për Bashkim Kombëtar në grupin e Adem Demaçit dhe e burgosur politike. Më vonë Mejremja ishte e anëtare në Lidhjen Demokratike të Kosovës, dhe anëtare e Kryesisë dhe Forumit të Gruas. Njëkohësisht ishte Kryetare e Kryesisë në Sindikatën e Punëtorëve të Arsimit të Mesëm të Kosovës (SPPAMK) dhe ishte anëtare e Këshillit Ekzekutiv të BSPK-së për Arsim, Shkencë dhe Kulturë në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK). Në vitin 2003 themeloi Rrjetin e Grave Sindikaliste të Kosovës në BSPK dhe kreu detyrën e Koordinatores së këtij rrejti deri në vitin 2012. Ishte gjithashtu anëtare e Rrjetit të Gruas Sindikaliste të Evropës.
Jeta e hershme
RedaktoMejreme Berisha-Shema u lind më 8 nëntor 1945. Shkollën fillore e kreu në fshatin Magurë gjatë viteve 1952-1960. Shkollën e mesme për infermieri e përfundoi në Prishtinë nga viti 1960 deri në vitin 1964. Gjatë studimeve Mejreme Berisha – Shema shquhej si nxënëse e mirë duke fituar çmimin e tretë për hartimin më të mirë në nivel të Kosovës më 1962.
Studimet larta i përfundoi në Fakultetin Filologjik, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë angleze nga viti 1965. Mejremja vazhdoi studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe u diplomua më 1972 e pastaj vazhdoi studimet në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, dega e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe ku u diplomua më 1974.
Mejremja është e martuar me Prof. Isak Shemën me të cilin ka pesë fëmijë, të gjithë tani të shquar në fushat e tyre studimore dhe profesionale: Besa Shema-Luzha, Artan Shema, Bardha Shema Qirezi, Pranvera Shema-Smith dhe Fatos Shema.
Veprimtaria
RedaktoQë nga viti 1962, Mejreme Berisha-Shema ishte anëtare e Lëvizjes për Bashkim Kombëtar në grupin e Adem Demaçit. Aktivitetet e ilegales në ketë lëvizje kanë filluar më 1963 dhe 1964. Ka qenë udhëheqëse e grupit të të rinjve. Aktivitet e kësaj organizate përfshinin kryesisht ngritjen e flamujve kombëtarë, shkrimin e parullave patriotike nëpër vendbanimet e Kosovës, ndihmën e familjeve të shokëve të burgosur dhe në punë të ngjashme. Grupi i të rinjve të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve vazhdoi veprimtarinë me aksionin e dytë, e që ishte ngitja e 40 flamujve kombëtarë në Prishtinë, më 4 korrik 1964. Më 8 qershor 1964 u burgos Adem Demaçi me një grup aktivistësh. Të nesërmen më 9 qershor 1964 u burgos edhe Mejremja bashkë me Avdyl Lahun e në korrik edhe Ilmi Rakovica, Elhame Shala e shumë aktivistë të tjerë.
Mejremja është burgosur për herë të dytë me Emine Rakovicën dhe Shazije Gërgurin për shkak të procesit të gjykimit të Adem Demaçit dhe aktivistëve të tjerë. Ato u mbajtën në burg deri sa është kryer gjykimi më 30 shtator 1964. Si bursiste e Komunës së Lipjanit ka filluar të punojë në shtëpinë e shëndetit në Lipjan por pas një muaj e gjysmë, sistemi e largon nga puna për shkak të aktivitetit politik. Më 1965 punësohet në Prishtinë në Spitalin e Përgjithshëm, repartin e sëmundjeve të lëkurës, në ndërkohë vazhdon studimet në Fakultetin Filologjik, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze.
Më 28 nëntor 1968, merr pjesë në demonstratat e organizuara nga Grupi Rinor i Rezistencës, plagoset nga të shtënat e policisë mbi demonstruesit. Mejremja ishte duke e mbajtur flamurin kombëtar në ballë të demonstruesve që qëndronin para ndërtesës së APJ-së (afër Hotelit Grand). Më 2 dhjetor pasi lirohet nga spitali, burgoset dhe dënohet me 30 ditë burg. Pas burgut, suspendohet nga puna. Mejremja vazhdoi studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike, dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe u diplomua më 1972 e pastaj vazhdoi studimet në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe ku u diplomua më 1974.
Në vitin 1979 u punësua me kontratë në Shkollën e Mesme Ekonomike “Velko Vllahovic” (tani "Hoxhë Kadria") e pastaj në gjimnazin "Hivzi Sylejmani" në Fushë Kosovë. Orët e tjera i plotësonte në Universitetin e Punëtorëve në Prishtinë. Në prill të vitit 1981 punësohet si mësimdhënëse e rregullt. Gjithashtu, merr pjesë edhe në demonstratat e organizuara nga studentët në vitin 1981.
Në vitet e 90-ta, Mejremja angazhohet në Lidhjen Demokratike të Kosovës, në degën e III-të Bregu i Diellit dhe ishte anëtare e Kryesisë dhe Forumit të Gruas në këtë degë, deri në muajin mars të vitit 1999. Në këtë periudhë njëkohësisht ishte e angazhuar në Sindikatën e Punëtorëve të Arsimit të Mesëm të Kosovës (SPPAMK) ku dhe u zgjodh Kryetare e Kryesisë së kësaj sindikate më 2 shkurt 1991 dhe shërbeu deri në vitin 2002.
Në kuvendin e dytë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Mejremja u zgjodh edhe anëtare e Këshillit Ekzekutiv të BSPK-së për Arsim, Shkencë dhe Kulturë. Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës- SBASHK e kundërshtonte këtë zgjedhje por përkundër kundërshtimit të tyre Mejremja vazhdoi aktivitetin sindikal e përkrahur nga BSPK dhe sindikatat e shkollave të ndryshme.
Më 1996 Kryesia e SPPMK mori qëndrim të dokumentojë mësimin që organizohej në shtëpitë shkolla. Mejremja u propozua të organizojë këtë dokumentim, dhe pas realizimit të filmit, nga studentët e Fakultetit të Arteve, bashkë me regjisorin e ri Fatos Berisha, filmi u shfaq para delegatëve të SPPMK e pastaj edhe në Tiranë dhe Turqi, ku Kryetari i LDK-së në Mitrovicë, Prof. Latif Berisha e prezanton filmin bashkë me fjalën e tij për gjendjen në arsim në atë kohë.
Në vitin 2003 themeloi Rrjetin e Grave Sindikaliste të Kosovës në BSPK dhe kreu detyrën e Koordinatores së këtij rrejti deri në vitin 2012. Ishte gjithashtu anëtare e Rrjetit të Gruas Sindikaliste të Evropës dhe gjatë gjithë angazhimit mori pjesë në shumë diskutime, tryeza dhe ndërmori shumë aksione e aktivitete gjithmonë me theks në fuqizimin e gruas dhe në kërkesën e pandalshme për arritjen e barazisë gjinore.
Lidhje të jashtme
Redakto- Leksikon i Grave të Lëvizjes Ilegale për Çlirim, i autores, Teuta Hadri.
- Kujtime, Elhame Shala
- https://rajonipress.com/shema-kycja-e-femrave-dhe-te-rinjeve-ne-sindikate-e-domosdoshme/
- https://www.evropaelire.org/a/1019785.html
- https://www.slobodnaevropa.org/a/tema_sedmice_natalitet_balkan/2083326.html
- http://www.trepca.net/2003/0503/030505-reagim-parregullsite-kuv.them.sindik.kosoves.htm Arkivuar 23 mars 2021 tek Wayback Machine
- https://web.archive.org/web/20130307000911/http://www.womensnetwork.org/documents/20130204162640267.pdf
- http://www.radiokosovaelire.com/a-q-femra-shqiptare-kurdohere-aktive-ne-jeten-e-popullit-tone-per-liri-arsim-dije-e-kulture/
- http://kosovare.forumotion.com/t2422-demostratat-e-shqiptarve-per-liri-ne-jugosllavi
- https://web.archive.org/web/20130307000524/http://www.womensnetwork.org/documents/20130120170146104.pdf