Metodika për estetikën e të folurit
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Metodika për estetikën e të folurit Gjinia: Shkenca sociale. Autore Sonila Kapidani. Shtëpia botuese: West Print.( qyteti????) Viti i botimit 2011. Faqet e librit 132. ISBN 978-99956-37-77-4
... Të folurit është cilësi e veçantë dhe e dallueshme e qenieve njerëzore. Ky proces nuk është i lindur, por është i zhvilluar historikisht. Nevojat e mbijetesës diktuan nevojat e komunikimit. Qeniet njerëzore fillimisht përdornin komunikimin me gjeste dhe me zëra ende të paformatizuara si tingujt e sotëm. Gradualisht, organi i prodhimit të zërit u kualifikua të bëjë dallueshmërinë tingullore. Sipas nevojave të çastit lindën gruptinguj që shprehnin lidhjet midis njerëzve në forma fillestare. Shprehja e emocionit dhe e kuptimeve thelluan më tej procesin e dallueshmërisë së gruptingujve e me kalimin e kohës të kalohej nga gruptingujt e veçantë në tingujt e formës së "fjalive" kuptimore apo të tingujve të veçantë si në të folurin e sotëm.
Gjuha e folur e çdo kombi krahas funksionit kuptimor, pra për të shprehur mendimet dhe realizuar komunikimin është e ngarkuar edhe me realizimin e komunikimit emocional. Kësisoj ndodh shpesh që me të njëjtat fjalë e fjali shprehen qëndrime dhe emocione që marrin forma kuptimore të ndryshme, disa herë edhe ekstremisht të kundërta dhe kjo realizohet nëpërmjet nuancave që marrin veshje tingëllore të fjalëve dhe fjalive apo të frazave të ndryshme.
Të folurit është mjeti kryesor shprehës. Të flasësh mirë është çelësi për një komunikim të mirë mes njerëzve dhe një kusht për të mbajtur të shëndetshëm organet e zërit. Qëllimi i edukimit të zërit është edhe të arrish të të dëgjojnë të tjerët kur flet pa u lodhur.
Të folurit skenik apo kudo tjetër përpara një audicioni të gjerë, përmbledh të gjitha anët e punës me fjalën. Për edukimin e zërit janë të gjithë dakort në parim, por mangësia e metodikave praktike përbën një problem dhe sjell mangësi në stërvitje. Ky tekst synon të orientojë aktorët sesi të punojnë, për ta aftësuar veten teknikisht që të përballojnë kërkesat e përcjelljes tek publiku të atyre ideve për të cilat aspiron komunikimi qoftë i një shfaqjeje teatrale, dublimi, të folurit në mikrofon, etj...
Por jo vetëm kaq. Ky tekst synon të orientojë gjithashtu të gjithë ata që me anë të fjalës përcjellin vizione të reja, edukojnë brezin e ri, shpalosin alternativa e projekte, atyre që predikojnë mesazhe e ide të çfarëdo lloji, pra të gjithë atyre që iu nevojitet të folurit publik. Si qenie sociale, secili nga ne ka rolin e vet në shoqëri. Ka disa rregulla që gjithsecili duhet të respektojë, nëse nuk do që të humbasë këtë rol.
Të flasësh do të thotë të kesh kapacitetin e adoptimit në situata të ndryshme. Çdo ditë e më shumë njeriu duhet të bëhet i vetëdijshëm se një marrëdhënie e drejtë kërkon fjalët e duhura dhe tonin e duhur. Këtij qëllimi i shërben edhe ndjekja e rregullave të trajnimit teknik që të çon në një të folur të kuptueshëm të ngarkuar me ide dhe emocionet e duhura.