Muharrem Frashëri
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Muharrem Frasheri profesor i shkencave i cili ka bërë shpjegimin e disa termave të shkencës e të teknikës për hartuesit e Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980.
Jeta
RedaktoProfesor Muharrem Frashëri ka lindur në 10 shtator 1922 në Hekal të Mallakastrës. Shkollën fillore e kreu në Frashër të Përmetit nga ku është edhe origjina e familjes së tij dhe në fshatin e lindjes. Më pas, në vitet 1934-1943 u arsimua në Liceun e Korçës, një nga Shkollat më të njohura jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Në vitet e Luftës edhe pse në moshë fare të re Prof. Frashëri mori pjesë aktive në lëvizjen kundër pushtuesit. Pas çlirimit të vendit, kreu studimet e larta në Çekosllovaki, në Shkollën e Lartë të Inxhinjerisë Kimiko-Teknologjike të Pragës, ku u diplomua si Inxhinier i Kimisë dhe Teknologjisë së Ushqimeve. Në vitet e Universitetit u shqua për pasionin, këmbënguljen dhe korrektesën që vazhdon ta shoqërojë gjatë gjithë jetës së tij. Në fillimet e karrierës profesionale ai ka kryer me sukses dhe devocion detyra të rëndesishme në institucione shtetërore, arsimore e shkencore. Ndër të tjera përmenden detyrat e vështira si Shef i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës, Drejtor i Përgjithshem në Ministrinë e Bujqësisë, Kryeinspektor i Cilësisë në Ministrinë e Industrisë, Punonjës Shkencor i Laboratorit Kimik të Institutit të Shkencave, etj. Mendimi i pjekur, mençuria, mirësia dhe komunikimi i ngrohtë me njerëzit ishin karakteristikat e tij, që e shoqëronin kudo, i lehtësonin zgjidhjen e detyrave të vështira për kohën dhe e rrisnin në profesion. Megjithëse i zënë, i përkushtuar ndaj punës dhe familjes, profesor Frashëri, u shkëput për katër vjet për të kryer Studimet Pasuniversitare në Institutin e Biokimisë në Akademinë e Shkencave të ish Bashkimit Sovjetik; në përfundim, në vitin 1960, u laureua me gradën shkencore Kandidat i Shkencave Biologjike. Që nga kjo periudhë Profesori ju përkushtua mësimdhënies dhe kërkimit shkencor në universitet, në Fakultetin e Shkencave Natyrore [1] Arkivuar 2 korrik 2013 tek Wayback Machine, ku ka kryer një veprimtari shumë të gjërë mësimore e kërkimore-shkencore, për një periudhë 30 vjeçare, si punonjës efektiv. Ai ka qënë i ngarkuar me detyra mjaft të rëndësishme dhe i vendosur në poste drejtuese të Universitetit dhe Fakultetit, ku vazhdon të kontribuojë edhe sot me të njëjtin pasion e përkushtim. Në vitin 1964 mori titullin Docent dhe në 1972 titullin Profesor. Prej 30 vjetësh Profesori ka drejtuar Katedrën e Teknologjisë Kimike, duke mbartur në të njëjtën kohë edhe funksione të tjera si Zv. Dekan i Fakultetit të Shkencave Natyrore, Kryetar i Degës Shkencore të Universitetit, Zv. Rektor i Universitetit të Tiranës,kryeredaktor i buletinit të Shkencave të Natyrës, Anëtar i Këshillave Shkencore të Institucioneve të ndryshme, Ministri, Institute, etj. Autorësinë e profesor Frashërit e mbajnë shumë programe e plane mësimore të nivelit Universitar e Pasuniversitar, disiplina të reja shkencore të Kimisë së Aplikuar, si Kimia dhe Teknologjia Ushqimore, Mikrobiologjia Industriale e Ushqimore, Enzimologjia, etj, shumë veprimtari kërkimore e shkencore, në tematika të Kimisë e Teknologjisë së Ushqimeve, Mikrobiologjisë e Bioteknologjisë. Ai është autori i 11 teksteve për Universitetin dhe shkollat e mesme, i mbi 30 artikujve të botuar në buletinet shkencore brenda dhe jashtë vendit, i shumë botimeve në periodikë dhe udhëheqës i mbi 50 punimeve punimeve të diplomave dhe 10 doktoratave. Emrin e tij mbajnë shumë ndryshime në strukturat akademike, për të rritur efektivitetin e punës në njësinë bazë të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor dhe për t'u përshtatur me institucionet e ngjashme me zë dhe eksperiencë në vendet e zhvilluara evropiane. Të rejat e shkencës, të përvetësuara nga kualifikimet dhe specializimet jashtë vendit, janë transmetuar tek të diplomuarit apo sapodiplomuarit në Fakultetin e Shkencave Natyrore, duke shpejtuar kualifikimin e tyre dhe duke i përgatitur si specialistë të aftë për të punuar dhe drejtuar sektorë të rëndësishëm të Industrisë Ushqimore dhe njësi të procesit edukativ dhe shkencor në Universitet. Gjatë gjithë jetës personale, profesionale e akademike, Profesori është shquar e nderuar me medalje e urdhëra. Ai është dekoruar me Medaljet e Kujtimit, të Çlirimit dhe Trimërisë dhe më pas është vlerësuar në karrierën profesionale me Urdhërin e Punës, Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të Parë e të Dytë si dhe me Titullin 'Punonjës i Shquar i Shkencës dhe i Teknikës'. Megjithëse në pension, Profesori vazhdon të kontribuojë me të njëjtin pasion e përkushtim për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe shkencor në Degën e Kimisë Ushqimore. Ai vazhdon të mbetet njeriu i drejtë e korrekt, lekori i apasionuar, kërkuesi këmbëngulës e i papërtuar dhe miku më i mirë i të gjithë kolegëve e studentëve. Shumë punime shkencore të viteve të fundit pasqyrojnë këshillat dhe propozimet e tij; shumë studentë vazhdojnë të udhëhiqen nga Profesori i nderuar, në punimet e tyre teorike e eksperimentale. Institucionet kërkimore shkencore vlerësojnë punën e tij si ekspert dhe pasqyrojnë në tematikat e tyre mendimin e tij të mençur. Profesor Muharrem Frashëri vazhdon të jetë pjesë e pandarë i stafit të degës Kimi Ushqimore dhe koleg i respektuar e i vyer i të gjithë punonjësve të Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Universitetit të Tiranës. Mendimi i tij është mendimi i urtë e i pjekur i Prindit dhe i Profesorit.
Veprat
Redakto-"Industria ushqimore në Shqipëri" Dashamir Hajdëri,Muharrem Frashëri (red.),Hilmi Bimbashi (red.) Botuar Tiranë : Dita 2000, 2005
-"Te fshehtat e kimise" Muharrem Frashëri, MESONJTORJA, 2001 faqe 248 ISBN 99927-46-11-4 [2]
-"Nxitje e tregut të një bujqësie organike" Muharrem Frashëri Botuar 1998 Në Zëri i popullit. - Nr. 70, 27 mars, 1998, f.6
-"Praktikumi i mikrobiologjisë teknike" Muharrem Frashëri,Donika Prifti,Ema Voshtina (red.) Botuar Tirane : SHBLU, 1997
-"TEKNOLOGJIA KIMIKE 2", Agim Mala,Muharrem Frashëri,Hilmi Bimbashi, Tiranë 1995
-"Mikrobiologjia : për shkollën e mesme profesionale : teknologji ushqimore" Muharrem Frashëri,Donika Prifti,Teuta Mati (red.) Botuar Tiranë : SHBLSH, 1995
-"Mikrobiologjia : për shkollën e mesme profesionale : teknologji ushqimore : marketing" Muharrem Frashëri,Donika Prifti,Teuta Mati (red.) Botuar Tiranë : SHBLSH, 1988 Ribot.
-"Mikrobiologjia : për shkollën e mesme profesionale : teknologji ushqimore : marketing" Muharrem Frashëri,Donika Prifti,M. Filipeu (red.) Botuar Tiranë : SHBLSH, 1987
-"Analiza e produkteve ushqimore" Muharrem Frashëri (përshtat.) Botuar Tiranë, 1986
-"Mikrobiologjia : për shkollat e mesme profesionale : merceologji dhe organizim tregtar" Muharrem Frashëri,Stefan Cilka,Fejzi Hizmo (red.) Botuar Tiranë : SHBLSH, 1986
-"Praktikumi i mikrobiologjisë teknike" Muharrem Frashëri,Donika Prifti Botuar Tiranë, 1985
-"Mikrobiologjia (shtojcë) : për shkollat e mesme profesionale : merceologji dhe organizim tregtar" Muharrem Frashëri,Evgjeni Papazisi (red.) Botuar Tiranë, 1983
-"Mikrobiologjia teknike" Muharrem Frashëri Botuar Tiranë : Universiteti i Tiranës, 1982
-"Kimia dhe teknologjia e ushqimeve" Muharrem Frashëri,Hilmi Binbashi Botuar Tiranë : Universiteti i Tiranës, 1973
-"Bazat e teknikës në laboratore" Muharrem Frashëri, Hilmi Binbashi Botuar Tiranë : Naim Frashëri, 1970 ISBN: IIF-037330
-"Veçoritë e kontabilitetit në ndërmarrjet tregëtare" Muharrem Frashëri,Aristotel Pano,Myftar Memia (red.) Botuar Tiranë : Universiteti Shtetëror i Tiranës, 1968
-"Mikrobiologjia" F.M. Cistjakov,K. A. Mudresova-Viss,Muharrem Frashëri (përkth.) Botuar Tiranë : Drejtoria e Botimeve të USHT, 1967
-"Teknologjia e duhanit" Muharrem Frashëri Botuar Tiranë : Naim Frashëri, 1967