Muji dhe Halili
Muji dhe Halili të njohur edhe si Gjeto Basho Muji dhe Sokol Halili, paraqesin çiftin e vëllezërve kryeheronj të këngëve të eposit shqiptar të kreshnikëve, shokë armësh në të gjitha bëmat. [1]
Përmbledhje
RedaktoTe Muji dhe Halili janë ruajtur të gjalla analogjitë e lashta ilire të atij çifti vëllezërish heronj, që ndeshen edhe te popujt e tjerë, si te Grekët (Dioskurët), Gjermanët, Indasit (Açvins), Armenet (Sanazar e Aslimelik) etj. Muji është përgjithësim i luftëtarit që jeton e vepron në mjedisin tipik të malësive shqiptare. Mund të themi se ai ishte një personifikim i vlerave të larta shpirtërore e fizike të popullit shqiptar, si: besa, burrëria, trimëria, qëndresa përballë vështirësive e armiqve, krenaria, dashuria për lirinë e vendin e vet. Fillimisht bari lopësh e kecash, falë forcës që i japin Zanat e malit (shih), e të cilën ai e parapëlqen përpara pasurisë e dijes, Muji bëhet i pamposhtur me tipare të jashtëzakonshme. Halili, vellai më i vogël, ka raste që e zëvendèson Mujin në kuvende e çetime dhe i bindet autoritetit të vëllait më të madh, por vrulli rinor nganjëherë e bën të shpërthejë në veprime të papërmbajtura. Bëmat heroike, ku vërehet njëfarë epërsie edhe ndaj Mujit, i japin figurës së tij një madhështi legjendare origjinale. [2]
Për t`i mbrojtur viset e tyre ilire-arbërore, ata kishin luftuar me ushtarë të Krajlit e me “asqerë” të Sulltanit. Por, para se gjithash kishin luftuar kundër bandave sllave të njohura si „çeta të harambashëve“, të cilat asokohe kishin bërë grabitje, djegie e vrasje në mesin e fiseve ilire-arbërore. Të dy vëllezërit janë përgjithësime artistike të individualizuara, që jetojnë secili në botën e vet shpirtërore dhe njëkohësisht plotësojnë njëri-tjetrin.[1]
Shih edhe
RedaktoReferime
Redakto- ^ a b Lafe, Emil, red. (2009). Fjalor Enciklopedik Shqiptar [Encyclopedic Dictionary of Albania]. Vëll. 2. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 1771. ISBN 9789995610272. OCLC 426069353.
- ^ Robert Elsie (2001). A Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture (në anglisht). C. Hurst & Co. Publishers. fq. 183. ISBN 9781850655701.