Muret e gjelbra përfaqësojnë struktura të mbjella vertikalisht, që mund të jenë të ngjitura në pjesën e jashtme ose të brendshme të një ndërtese. Ato ndryshojnë nga fasadat e gjelbra, pasi marrin ujë dhe lëndë ushqyese nga struktura vertikale dhe jo direkt nga toka. Në rastin e fasadave të gjelbra, bimët janë të mbjella në tokë dhe ngjiten në muret vertikale si bimë kacavjerrëse.

Muret e gjelbra ndërtohen që të shtohen sipërfaqet e mbjella në zonat e mbipopulluara, kryesisht në qendrat e mëdha urbane, që kanë shumë pak hapësira të lira. Planifikuesit e mureve të gjelbra përpiqen të imitojnë sa më shumë natyrën dhe që bimët të rriten në potencialin e tyre të plotë. Një element kyç për jetëgjatësinë e murit të gjelbër është planifikimi i tij me sa më shumë lloje bimësh si: bimë rezistente shumëvjeçare, bimë gjethore, shkurre ose pemë të vogla etj.

Muret e gjelbra quhen ndryshe edhe “muret e gjalla” ose “kopshte vertikale”. Struktura e tyre përbëhet nga korniza, panele të papërshkrueshme nga uji, sistem ujitës automatik, materiale të veçanta për lëndët ushqyese të bimëve, drita e përshtatshme dhe bimë të llojeve të ndryshme, të përshtatshme për të rezistuar në struktura të tilla.

Funksionet e mureve të gjelbra Redakto

Muret e gjelbra janë krijuar për të kryer disa funksione në shërbim të njerëzve. Në qendrat urbane, ato përdoren përgjithësisht për të rregulluar temperaturat e ndërtesave, duke shërbyer si një termoizolues. Veçanërisht gjatë stinëve të thata dhe me temperatura shumë të larta, muret e gjelbra shërbejnë si për të ulur temperaturën deri 4-5oC, por edhe për të rritur lagështirën. Muret e gjelbra e avullojnë me ngadalë ujin në krahasim me kopshtet horizontale.

Një funksion tjetër i mureve të gjelbra është filtrimi i ujit të ndotur, pasi ato marrin prej tij lëndët ushqyese të tretura. Gjithashtu ato pastrojnë ajrin duke thithur CO2 dhe çliruar oksigjen, si dhe reduktojnë zhurmat.

Muret e gjelbra kanë filluar të përdoren edhe për bujqësinë urbane. Shumë njerëz të apasionuar kanë filluar të kultivojnë shumë kultura bujqësore në apartamentet apo ballkonet e tyre në struktura të organizuara në formën mureve të gjelbër.

Muret e gjelbra po përdoren edhe për krijimin e veprave artistike në fasadat e pallateve të larta, duke shtuar funksionet e saj në shërbim të përmirësimit të jetesës në zonat urbane.

Llojet e mureve të gjelbra Redakto

Sipas llojit të strukturës, muret e gjelbra mund të jenë: muret e pavarura, muret e lirshme dhe muret me shtresë.

Muret e pavarura janë ato lloj muresh të gjelbra që mund të lëvizen me lehtësi nga një vend në tjetrin. Ato përdoren përgjithësisht për mjediset e brendshme.

Muret e lirshme janë ato mure të gjelbra që ndërtohen në struktura të quajtura “tokë në raft” ose “tokë në çantë”. Këto mure e kanë tokën (ose materialin e veçantë për lëndët ushqyese) të paketuar paraprakisht në rafte ose çanta dhe më pas instalohen në mur. Këto mure nuk është mirë të vendosen në vende që karaketerizohen nga erëra të forta ose reshje shiu shumë të rrëmbyeshme.

Muret e gjelbra me shtresë janë ato që krijohen mbi një shtresë të krijuar si një tapet me materialin për lëndët ushqyese. Këto mure kanë nevojë për rregullime të herëpashershme të vendeve ku shtresa e hollë dëmtohet.

Lloje të tjera janë: muret me fletë poliuretani dhe muret strukturore.

References Redakto

[1]

[2]

[3]

[4]

  1. ^ Reggev, K. (2018, January 18). Living Green Walls 101: Their Benefits and How They're Made. Retrieved March 2, 2019, from https://www.dwell.com/article/living-green-walls-101-their-benefits-and-how-theyre-made-350955f3
  2. ^ Hindle, Richard L. (June 2012). "A vertical garden: origins of the Vegetation-Bearing Architectonic Structure and System (1938)". Studies in the History of Gardens & Designed Landscapes. 32 (2): 99–110.
  3. ^ Mustonen, Tiina. "What are Green Walls - the definition, benefits, design and greenery". www.naava.io (në anglishte amerikane). Marrë më 2021-12-06.
  4. ^ https://en.wikipedia.org/wiki/Green_wall