Musa Hoti
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Musa Hoti u lind në Mitrovicë me 11 korrik 1946 në një familje të njohur patriotike. Qe në fëmijëri, i edukuar me frymë dhe ndjenjë kombëtare nga babai, Daut Hoti, ish-luftëtar i brigadës së Shaban Polluzhës dhe më vonë i burgosur politik si dhe nga gjyshja Nurie, mbesë e Shaban Polluzhës. Musa Hoti i rritur dhe i edukuar në një vatër patriotike me ndjenjën e atdhedashurisë qysh në fëmijëri iu përkushtua leximit të literaturës asokohe të ndaluar, ku flitej për historinë e luftën shumëshekullore të Shqipërisë e të shqiptarëve për mbrojtjen e trojeve etnike, të lirisë dhe të drejtave kombëtare. Musa Hoti kishte një karakteristikë të veçantë që egziston tek njerëzit të cilët janë misionarë të shquar për veprimtari e vepra madhore. Atij i ishin rrënjosur në vetëdijë tregimet e babait për metodat, mynxyrët dhe torturat që politika shoveniste rankoviçiane i kishte bërë jo vetëm atij, jo vetëm bashkëluftëtarëve të Shaban Polluzhës, por mbarë popullit shqiptar. Mbas shkollimit e studimeve, Musa Hoti për një kohë punoi në arsim, mësues në shkollën « Rilindja » në fshatin Dritan të Drenasit, ku iu përkushtua edhe edukimit të nxënësve me ide e frymë atdhetare. Por krahas mësimdhënies merrej edhe me veprimtari praktike atdhetare. Që heret Musa Hoti që në demostrat e vitit 1968 shquhet për tiparet e një lideri politik i nivelit shumë të lartë. Prandaj në Drenas qeveria e asaj kohe e kualifikoi atë si person të papërshtatshëm politikisht. I transferuar në shkollën « Migjeni » në Obiliq, pas një viti punë, për qëndresë e vendosmëri atdhetare, e larguan përfundimisht nga arsimi dhe nga puna. Prej asaj kohe filloi përndjekja, prandaj u arratis nga Kosova. Edhe në Bruksel, si emigrant politik, vijoi veprimtarinë, duke u organizuar në Lëvizjen Kombëtare për Republikën e Kosovës, ku u konsolidua, u njoh dhe u pranua si një lider politik në diasporen shqiptare. Musa Hoti iu përkushtua kauzës së çlirimit të Kosovës nga pushtuesit sllavo-komunist serb dhe sherbëtorëve të tyre edhe me veprimtari të gjërë e të pareshtur gazetareske, duke organizuar e drejtuar për shumë kohë edhe një radiostacion në gjuhën shqipe. Por ai u bë i njohur, i shquar e respektuar nga baskatdhetarët me veprën e tij, kur në zemër të Brukselit, më 4 gusht 1981, në rrethana të vetëmbrojtjes qëlloi kundër të të dërguarve të UDB-së famkeqe, duke vrarë njerin prej tyre, i veshur me rrobat e diplomatit, dhe plagosi dy të tjerë. Krismat e pushkës së Musa Hotit në Bruksel u dëgjuan edhe në Beograd; bënë jehonë të madhe në diasporen shqiptare në Europë, duke e krahasuar me krismat e pushkës të Avni Rrustemit kundër Esat Pashës në Paris. UDB-ja me të dërguarit e Beogradit dhe spiunët e saj e ndoq këmba këmbës Musa Hotin derisa më 16 janar 2004 e vranë në Bruksel, duke e përjetësuar si një hero të kauzës kombëtare. Musa Hoti u varros me nderime të posaçme dhe ceremoni shtetërore në varrezat e dëshmorëve të Prishtinës.