Nerënxa

lloj agrume, fryt nga druri portokallit

Nerënxa është dru frutor i llojit të agrumeve, i lartë 10–15 m, me gjelbërim të përhershëm, me kurorë të rrumbullakët. Degët i ka me gjemba, gjethet vezake, të dhëmbëzuara, me ngjyrë të gjelbër të errët, me aromë karakteristike, lule të bardha që çelin në pranverë. Bën fryte të rrumbullakëta, pak të shtypura në të dy anët e me lëkurë të ashpër ngjyrë portokalli në të kuqërremtë. Jeton mesatarisht 60-70 vjet. Nerënxa e ka prejardhjen nga vendet e Azisë. Në Shqipëri mbillet kryesisht në Sarandë, Delvinë, Vlorë dhe Elbasan. Nga lulet, lëkura e frutit dhe gjethet nxirret esencë me vlerë.