Niko P. Qafoku është një kimist, mineralog dhe profesor universitar shqiptar.[1] [2]

Biogragfia

Redakto

Dr. Qafoku njihet në SHBA dhe komunitetin ndërkombëtar shkencor si ekspert dhe lider në fushën e kimisë dhe mineralogjisë së tokës e në atë të kimisë dhe mbrojtjes së mjedisit, ku ka dhënë kontribute të shkëlqyera për më tepër se tre dekada. Gjatë periudhës mbi dhjetë vjeçare në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ai dha mësim dhe zhvilloi kurse të reja universitare e pasuniversitare si dhe shkroi librin e mësimdhënies “Agrokimia, plehërimi i tokave dhe ushqimi i bimëve”. Fillimisht si asistent pedagog, më vonë u zgjodh shef i Katerdrës së Pedologjisë dhe Agrokimisë si dhe zv-dekan për shkencën në Fakultetin e Agronomisë. Kreu kërkim shkencor në fushën e kimisë së tokës dhe plehërimit të bimëve e mbrojti gradën shkencore Kandidat i Shkencave (më vonë gradën Doktor i Shkencave). Më 1994 fitoi bursën Fulbright dhe studioi e kreu kërkime mbi modelimin e tokave në Institutin Politeknik dhe Universitetin Shtetëror të Virxhinias, SHBA. Në të njëjtin vit kreu studimet pasuniversitare në Universitetin e Xhorxhias e mori gradën Master shkencor në Matematikën e aplikuar dhe Informatikë, dhe gradën Doktor i Filozofisë në Kiminë e tokës dhe mbrojtjen e mjedisit. Nga viti 2000 Dr. Qafoku punon në Laboratorin Kombëtar të Pacifikut Veri Perëndimor në shtetin Uashington, ku së fundi mori gradën më të lartë të mundshme, Laboratory Fellow. Ka botuar shumë artikuj në revistat më të mira në botë si Science, Nature, Soil Science Society of America Journal, Geochimica et Cosmochimica Acta, Advances in Agronomy, American Journal of Science, dhe ka botuar kapituj librash në Encyclopedia of Soil Science dhe Handbook of Soil Science. Dr. Qafoku ka fituar shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare si “Outstanding Individual Performance” dhe “Exceptional Contribution Awards (PNNL 2005, 2007, 2009, 2014, 2016). Mori çmimin e publikimit më të mirë shkencor të vitit (PNNL 2015, 2016, 2019); fitues i çmimit pretigjioz “R&D 100 Award” 2017; fitues i çmimit si studiuesi më i mirë në Amerikë 2019 në kiminë e tokës (SSSA 2019 Jackson Award) dhe u emërua Fellow i Shoqatës së shkencave të Tokës në Amerikë, titulli më i larte që kjo shoqatë u jep anëtarëve. Dr. Qafoku ka prezantuar rreth 300 herë në konferenca ndërkombëtare. U zgjodh Kryetar i Departamentit të Kimisë së Tokës të Shoqatës Amerikane të Shkencave të Tokave si dhe Kryetar i Përgjithshëm i Takimit të 57 Vjetor të Shoqatës së Mineraleve të Tokës.[3]

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ "Nikolla P. Qafoku: Një shkencëtar shqiptaro-amerikan që na nderon". Bota Sot. Marrë më 2024-11-07.
  2. ^ https://360grade.al/366228/shqiptaro-amerikani-niko-qafoku-futet-ne-listen-e-shkencetareve-me-eminente-te-shba/
  3. ^ Mustafa Ibrahimi (red.) Instituti Alb-Shkenca ndër vite 2002-2023 (Monografi), fq. 65, ISBN 9789951518208