Njeriu me fat
Njeriu me fat Gjinia: Roman. Autori: Fatos Kongoli. Shtëpia botuese: "Toena". Viti i botimit 2013. Fqet e librit 320. ISBN 978-99943-1-920-6
Mbi librin:
Në këtë libër, Kongoli risjell një personazh të njohur të tij, inspektorin Sabit Kurti. Në prag të pensionit, ai ngarkohet me një detyrë të fundit, disi të veçantë, të shmangë vrasjen e paralajmëruar të një personin VIP. S'dihet kush do të jetë viktima, as vrasësi, as motivet e vrasjes. Dihet afërsisht koha dhe saktësisht vendi i ekzekutimit, një hotel me emrin shekspirian "Elsinor", diku në bregdetin shqiptar.
Ky është vetëm sfondi i këtij libri. Në qendër të tij janë dy histori paralele dashurie, njëra reale, tjetra virtuale, të personazhit kryesor Gentian Engjëlli, pedagog i ri i frëngjishtes te Gjuhët e Huaja, përkthyes me të ardhme, siç e cilësojnë.
Dashuria reale është një bionde e quajtur Kleopatra. Ajo virtuale, një vajzë me sy të mëdhenj të zinj e quajtur Vega. Dhe një ëndërr e fshehur, më turbulluesja e Gentian Engjëllit: t'u largohet përkthimeve, të bëhet romancier.
Asnjë lidhje në dukje midis anketës së inspektorit për shmangien e krimit dhe protagonistit pothuaj anonim. Trajektoret e tyre, megjithatë, ndërpriten në një dhomë të hotelit metaforik "Elsinor". Është një rrëfim në hapësirat e absurdit, me misterin e lajtmotivit "Shikomë në sy, vogëlushe!"