Pëllumb Kulla (Zëmblak, 10 janar 1940) ka qenë regjisor, komediograf, satirist dhe diplomat shqiptar.

Arsimimi

Redakto

Përfundoi arsimin e mesëm në degën mekanike të Politeknikumit "7 nëntori"(1957) dhe studimet e larta i kreu në Shkollën e Lartë Teatrale "Aleksandër Moisiu" më 1964.

Aktiviteti profesional

Redakto

U emërua regjisor i Estradës së Vlorës. Një vit më pas i bashkohet trupës së aktorëve të Teatrin të atij qyteti.

Më 1967 bie viktimë e luftës së klasave dhe biografia me njollë e çon për riedukim në gurore, minierë e më pas në ofiçinë. Riedukimi zgjat po aq sa iu desh për të kryer studimet e larta; plot katër vjet.

Më 1972 emërohet aktor në Teatrin e Fierit, më pas regjisor; dhe punoi aty 18 vjet, si regjisor i Estradës dhe Teatrit.

Nën drejtimin e Kullës, Estrada e Fierit arrin “kullën” e suksesit. Është më e mira në vend, duke fituar çmimet më të larta në festivalet kombëtare. Firmos libretin dhe regjinë në pesëmbëdhjetë spektakle, ndër të cilët "Çobo Rrapushi me shokë" (1980) bëhet një sukses kombëtar afatgjatë. Gjatë kësaj kohe shkruan më se 300 skeçe dhe komedi një aktshe, 40 kuplete dhe 23 monologëe, shumica e të cilëve shfaqen në TV. Një pjesë e kësaj krijimtarie voluminoze botohet nga Shtëpia Botuese "Naim Frashëri" nën titujt "Lipe Shtogu në listë" (1979), "Shoku Niqifor" (1981), "Portrete pa makjazh" (1983), "Po martojmë Malon" (1984), "Këshilla për fëmijët e moshave nga 5 deri 55 vjeç" (1988), si edhe në buletinin "Teatër". Më të plotë letërsinë e tij për skenën e gjejmë në pesë vëllime, në një botim të bukur financuar nga Bashkia e qytetit të Fierit, me titullin e përbashkët "Teatri kjo lojë magjepsëse"

Nga 1977 deri më 1990 është bashkëpunëtor i përhershëm i TVSH për spektaklin e Vitit të Ri. Më 1987 i jepet Çmimi "Naim Frashëri" i Klasit të Dytë. Paralelisht me punën në Estradë, realizon dhjetë produksione dramatike, të gjitha drama ose komedi të shkruara prej tij, nga të cilat shquhen "Shoku Niqifor", "Dy krismat në Paris", "E bukur shtëpi e vjetër". Produksionet shfaqen me sukses në të gjithë vendin, si edhe në festivalet kombëtare, por nuk arrijnë kurrë më lart se çmimi i dytë. Përjashtimin e bën komedia "Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë", vënë në skenë nga S. Duni në Teatrin "Skampa" të Elbasanit, që fitoi çmimin e parë në Festivalin Kombëtar të vitit 1989.

Vitet '80

Redakto

Në vitet '80, humori i Kullës bëhet i kërkuar edhe në kinema. Me skenar të tij xhirohen kinokomeditë "Telat për violinë" dhe "Stolat në park" pa llogaritur pastaj angazhimin si autor dhe regjisor i skenarëve me metrazh të mesëm televiziv, në televizionin e vetëm shtetëror.

Aktiviteti pas viteve '90

Redakto

Më 1990 largohet nga Fieri, për të nisur punën si pedagog, e më pas Dekan i Fakultetit të Artit Skenik, në Tiranë. Karriera e tij pedagogjike nuk zgjat shumë, pasi zëvendësohet nga ajo diplomatike.

Më 1992 emërohet Sekretar për Kulturën dhe Shtypin në Ambasadën e Shqipërisë në Bonn, Gjermani dhe një vit më pas Ambasador në Misionin Shqiptar pranë OKB, në Nju Jork (1993-1997). Pas përfundimit të shërbimit diplomatik shtetëror doli në pension dhe u vendos me familjen më parë në Waterbury, Connecticut. Shumë shpejt u rikthye në New York dhe u angazhua për afro dy vjet si gazetar dhe editing manager i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”. Gjatë qëndrimit në SHBA prodhimtaria e tij u pa e begatë. Botoi një seri librash që u pritën me interes. E nisi fillin me esseë e gjatë, me një studim të gjithanshëm të humorit nën diktaturë, “Si qeshnim nën diktaturë” dhe vijoi me romanet "Rrëfenja nga Amerika", "Lejlekët nuk vijnë më" dhe "Vdekja e Enver Hoxhës". Ndërkohë Shtëpia Botuese TOENA e përfshiu autorin në kolanën e Tregimeve të Zgjedhura të Autorëve Shqiptarë me vëllimin me tregime “Pushtimi i Amerikës” (2005) teksa Shtëpia tjetër Botuese GEER ia përmblodhi edhe një herë më gjerë novelat dhe tregimet e tij nën titullin tërheqës “Rrëmbimi i nuses në Nju Jork” (2012). Pa u shkëputur nga librat e tij shënojmë një botim të bukur të Universitetit Europian të Tiranës me afro 700 faqe nën titullin emblematik “Luftë pa Fund” ku gjenden tërë shprehuritë politike të autorit në periudhën e tranzicionit të zgjatur të vendit të tij. Aty janë që nga bashkëpunimet e para me gazetën “Rilindja Demokratike” e pastaj me tërë gazetat e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Itali, Greqi dhe ShBA. Vlen të theksohet që edhe në tokën amerikane nuk pushoi bashkëpunimi i tij në fushën e skenës teatrore për të sjellë pranë shqiptarëve të emigruar humorin e vatrave të mëmëdheut dhe për këtë u angazhua shumë me koncerte duke shfrytëzuar bashkëpunimin me aktorët e njohur shqiptarë të vendosur me banim të përhershëm apo të përkohshëm në qytetet amerikane. I takon skenës përkushtimi në shkrimin e një sërë komedive të plota që pastaj u realizuan në atdhe. Këto janë “Kërcuri” (2003), “Milioneri” që u cilësua vepra më e mirë në Festivalin e Dramës Shqipe në Gjilan të Kosovës (2011), “Dikush duhet të vdesë” (2011) dhe “Shshsht! Ule zërin” (2013).

Vlerësime: Është vlerësuar me titullin “Nderi i Qarkut” Fier (2005) dhe me dekret të Presidentit Alfred Moisiu i është akorduar titulli “Mjeshtër i Madh” (3 dhjetor 2003)

Aktiviteti letrar si përkthyes

Redakto

Ndërsa në fushën e letrave, një tjetër ndihmesë e Kullës është përkthimi i autorëve të njohur si Pirandello, Çehov, Gogol, De Mysse, Buzzatti etj.

Shënime dhe referenca

Redakto